7- vjeçarja mbahet tërë natën në Polici

Shtatëvjeçarja F.Sahiti është mbajtur në stacionin policor në Ferizaj për 12 orë, kështu të paktën pretendon babai i saj Bekim Sahiri. Zyrtarë të Policisë Rajonale të Ferizajit, si dhe ata të IPK-së, mohojnë se një gjë e tillë është shkelje.
Prindërit e F.Sahitit që nga muaji prill i këtij viti vazhdimisht kanë pasur mosmarrëveshje, e cila një muaj më vonë pason me urdhrin mbrojtës të Gjykatës për ndalimin e afrimit të Bekim Sahitit tek banesa ku jeton gruaja me tre fëmijët e tij.
Sahiti tregon se nuk e ka respektuar këtë urdhër dhe në pajtim me gruan, ai është kthyer në banesë, mirëpo pas një mosmarrëveshje djali dhe gruaja e kanë lajmëruar sërish në polici, ku edhe e kishte kaluar natën me vajzën e tij shtatëvjeçare, shkruan Kosova sot.
“Policia më ka pyetur nëse është e vërtetë që unë e kam të ndaluar t’i afrohem banesës, unë u kam thënë po. Në atë moment më kanë marrë me gjithë çikën në stacion të policisë, ku bashkë me atë më kanë mbajtur në stacion të policisë për 12 orë”, ka thënë Sahiti.
Ai thotë se rreshteri i krimeve të rënda në Ferizaj, Njazi Topalli, e ka bërë këtë me qëllim dhe për këtë ai ka adresuar ankesë kundër tij në IPK, e cila i është refuzuar komplet.
Drejtori i Drejtorisë së Hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, Jetullah Aliu, ka thënë se IPK-ja nuk ka gjetur shkelje në këtë rast.
Derisa zyrtarë të policisë rajonale të Ferizajit dhe IPK-ja pretendojnë se nuk kanë gjetur shkelje në këtë rast, avokati Tomë Gashi pohon se në bazë të parimeve juridike pa përfshirë aspak rastin konkret, një fëmijë shtatëvjeçar nuk guxon të mbahet./Indeksonline/