E Shtunë, 31 Tetor 2026

“71” ose Gërdeci i radhës i PD-PS

Martin Leka

 Pa stërhollime, ajo që po mundohen të kryejnë me mendjelehtësi dhe naivitet të pashpjegueshëm PD e Berishës dhe PS e Ramës nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje për t’i hequr Kushtetutës, Aktit Themeltar të Shtetit, veneracionin dhe simbolin që ajo meriton. Më shqip, është një përpjekje për ta kthyer Kushtetutën e Shqipërisë në një “defter” rreckaman, siç është vetë politika që po bëjnë së fundi këto dy parti.
Pa emocion e larg teprimeve, e gjithë sipërmarrja e fundit e dy partive kryesore lidhur me ndryshimet që duhet t’i bëhen Kushtetutës, gjoja në emër të konsensusit për reformën zgjedhore, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për ta shtyrë vendin drejt modelit të një “demokracie të drejtuar” dhe ku demokracisë dhe pluralizmit i jepet një goditje e rëndë.
Gjithçka e ka nismën nga një marrëveshje, edhe pse e pa shkruar, mes PS-PD-së për të ashtuquajturin sistem zgjedhor, marrëveshje që rishfaqi në skenën publike shqiptare edhe njëherë sindromën e hendekut dhe përçarjes që ekziston mes forcave politike dhe arsyetimit se marrëveshje të tilla arrihen më shumë se nga dëshira, nga detyrimi për t’u dukur “largpamës” në sy të botës. Në rastin konkret, kjo kishte të bënte dhe koncidoi me evenimentin e rëndësishëm, pragun e Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria ishte në pritje të ftesës për në NATO. Kjo që po ndodh e ka “rrënjën” e sëmundjes pikërisht te defekti serioz i demokracisë në Shqipëri prej vitesh: te zëvendësimi i demokracisë, i rregullit dhe ligjit, i shtetit të së drejtës me “marrëveshjet politike”. Në jo pak raste, ky fenomen është bërë “shpëtimtari” i shumë prej liderëve të këtyre partive, të cilët më shumë se sa për fatin e demokracisë e të ardhmërisë së vendit, kanë patur synimin e mbijetesës së tyre politike, pavarësisht kostove për vendin.
Marrëveshja PS-PD për të cilën po flasim, u bë shkak për prishjen e koalicionit të majtë, çka ka vënë në një vështirësi serioze opozitën në përpjekjet e saj për të ardhur shpejt në pushtet. Por nga ana tjetër, edhe tek të djathtët ka treguar për mjaft pakënaqësi dhe komente negative, të cilat nuk kanë dalë ende në sipërfaqe vetëm për efekt të konjukturave që lidhen me qenien në pushtet të të djathtëve. Pra, reforma zgjedhore, reforma që duhej të ishte më e rëndësishmja dhe me konsensusin më të gjerë të mundshëm, pikërisht për shkak të tronditjeve që kanë shkaktuar zgjedhjen në mënyrë permanente në Shqipëri, po rezulton të jetë përsëri një marrëveshje bipartizane.
Ajo që të bën më shumë përshtypje në gjithë këtë histori të shkurtër e të beftë, është ngutja për të bërë ndryshime në Ligjin Themeltar të Shtetit. Duket qartë nga gjithë zhvillimet e gjertanishme, se në PD, sidomos, ka tension lidhur me këtë çështje. Ky tension u shfaq herët, por që e tregoi “amperin” në ditën kur befas, një deputete-ish-ministre, “ndërmori” një iniciativë të guximshme për të propozuar disa ndryshime në disa nene të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe me kundërfirmat e dekreteve të Kreut të Shtetit. Tërheqja e shpejtë e zonjës Trashani nga propozimet e saj, tregoi pikërisht se gjithçka ishte si një provë apo provokacion, një lloj “lakmuesi” për të parë reaksionin që do të shkaktonte ky propozim, qoftë te deputetët, qoftë te vetë Presidenti Topi. Ky i fundit, i shquar për qetësinë e veprimeve, nuk ra pre e këtij provokimi dhe siç mund të kuptohet i zhgënjeu të gjithë ata prisnin kundërveprime nervoze prej tij. Ai doli nga kompleksiteti dhe personalizimi dhe me një gjuhë të qartë u shpreh se kushdo qoftë, duhej të qëndronte larg institucioneve të stabilizuara, duke nënkuptuar qartë institucionin e presidentit, i cili nuk është i emrave të përveçëm, por është institucion i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.
Por dikush në PD nuk e “lexoi” mesazhin e tij, ndërsa në PS “mbyllën” veshët, heshtën. Tashmë jemi në një tjetër fazë, në fazën e një tjetër absurditeti, që ka të bëjë me nismën për ndryshimet në Kushtetut,ë që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Eshtë propozuar së fundmi që Shqipëria të ketë një president që të zgjidhet edhe me 71 vota. 71 vota janë gjysma e deputetëve të Parlamentit shqiptar plus një deputet. Do të thotë që Kreu i Shtetit, ai që simbolizon unitetin e popullit (që këtu fillon nonsensi) të ketë vetëm gjysmën e votave të deleguara të shqiptarëve?! Do të thotë që Kreu i Shtetit të zgjidhet si një kryetar komisioni parlamentar, si një anëtar bordi i një institucioni...(?!) Ajo që të le vend për dyshime në gjithë këtë maskaradë që kërkohet t’i bëhet Kushtetutës, është pikërisht ikja nga parimi i mëparshëm, i bërë publik, si nga lideri i PD-së, Berisha, si nga ai i PS-së, Rama, sipas të cilit “Presidenti të zgjidhet nga Populli”! Ikja nga ky parim do të jetë njëkohësisht edhe “ikja” nga parimet e lirisë dhe demokracisë, pikërisht për të ruajtur të paprekur pushtetin qeverisës në çdo rast.
Nxitimi apo ngutja për të na dhënë në të ardhmen një president kukull dhe një institucion po kaq të brishtë, sa numri 71, është përpjekja për të shkatërruar të vetmin institucion të konsoliduar në vend, pavarësisht kritikave të shfaqura. Jashtë paragjykimeve, është një përpjekje për të shtuar diktatin e kryeministrave, pavarësisht rotacionit të pushtit, djathtas apo majtas. Pa paragjykuar, por ka indicie që përveç përpjekjeve për të zvogëluar pushtetin e presidentit, ka edhe nuanca që kanë lidhje edhe me emrin e Presidentit aktual. Kjo duket se vjen sa nga mëritë apo inatet “e mbartura” kur zoti Topi ishte numri dy i PD-së, sa nga qëndrimet e tij korrekte gjatë këtyre tetë muajve në detyrë porsa i përket maxhorancës; apo mënyrës së zgjedhjes, porsa i përket opozitës, përkatësisht PS-së. (Apo mos ndoshta sondazhet e shumta që e kanë nxjerrë vazhdimisht zotin Topi si politikanin më popullor nuk u pëlqejnë liderëve respektivë?!)

* * *
Pse duhet të mbetemi “vend i veçantë”, kur rreth nesh, pavarësisht kompetencave, Presidentët zgjidhen nga populli? Franca, Kroacia, Qipro, Finlanda, Portugalia, Mali i Zi, Serbia, Rumania etj., apo edhe që nga Argjentina, Kili apo Australia e largët e zgjedhin presidentit me votë popullore. Pra, shembuj ka plot. Pse dhe në emër të kujt i duhet thënë popullit edhe në këtë rast: “Rri urtë”?!
Ka vetëm një përgjigje: Në emër të autoritarizmit e interesave meskine!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›