E Shtunë, 31 Tetor 2026

74 vjeçare dhe seksi

Aktorja Jane Fonda, seks simboli i viteve ’60-’70, shpjegon arsyet pse njerëzit e moshës së tretë duhet të bëjnë dashuri dhe të mos paragjykohen.

Për Jane Fonda-n parimi për të mos u kushtëzuar ka qenë gjithmonë kryefjala e gjërave që ka bërë dhe bën. Një grua dhe aktore tepër aktive, Jane e ka kaluar pothuajse të gjithë jetën në sheshxhirim, duke u përpjekur të përmirësojë veten. Edhe pse në moshën 74-vjeçare ajo vazhdon të mbetet një grua shumë energjike, madje gjithë kjo energji është shndërruar në filozofinë e mirëqenies psikologjike, një ekuilibër mes trupit dhe mendjes. Jane shton se ka rigjetur “intimitetin e vërtetë” me të dashurin 70-vjeçar Richard Perry dhe bën një jetë aktive seksuale më të mirë se kur ishte 20 vjeçe… Për këtë nuk ka dyshime, madje shton se për të pasur një jetë aktive seksuale duhen përdorur edhe “suplemente”, si viagra, pornografi, kura hormonale dhe elemente të tjera që jeta në çift të bëhet më e bukur.

Jane ju thoni se seksi në moshën 70-vjeçare është më i zjarrtë. Ndoshta jo të gjithë moshatarët tuaj e pohojnë këtë. A mos vallë është një fakt mendor? Cili është sekreti juaj?

Fonda: Unë e zbulova kur takova një person me të cilin kam marrëdhënie intime. Nuk është mashkulli tipik me të cilin do të isha lidhur kur isha e re, por dëshiroja që të kisha një marrëdhënie të vërtetë, intime, me një të dashur para se të vdisja. Pra një lloj “skene e fundit” para se të mbyllej sipari. E di se çfarë eksperiencash kam pasur më parë dhe atë që më ka munguar. Akti i tretë, mosha e tretë, pra është koha kur duhet bërë diçka që të plotësohen mungesat. Nga pikëpamja fizike gratë e pjekura e njohin më mirë trupin e tyre, e dinë çfarë duan dhe nuk kanë frikë që ta kërkojnë.

E përsërisni shpesh fjalën intimitet? Çfarë kuptimi ka saktësisht për ju?

Fonda: Intimitet do të thotë të mos fsheh ato gjëra të miat që nuk më dukeshin të përkryera ose të këndshme, apo të braktis një lidhje për arsye se nuk jam më e re. Intimiteti krijohet kur ke mjaftueshëm besim për të treguar gjithçka tënden në marrëdhënie me tjetrin.

Ju keni qenë një seks-simbol për shumë vite dhe keni pasur tre burra: nuk keni ndier fare intimitet deri tani?

Fonda: Intimiteti i vërtetë arrihet vetëm atëherë kur dy persona i tregojnë gjithçka njëri-tjetrit me shumë dashuri. Në fakt unë nuk jam rritur në një familje me ndjenjë të madhe intimiteti. Ai ishte një koncept i huaj dhe për këtë arsye i kam shmangur për shumë kohë burrat që prisnin intimitet nga ana ime. Zgjidhja ata që ishin të paaftë për lidhje të tilla. Duhet theksuar që ky ka qenë problemi im i madh.

Ju flisni shpesh për teknikat e përmirësimit të jetës seksuale, nga viagra, te testosteroni e pornografia. Mendoni vërtet se janë mënyrat e duhura për të përmbushur dëshirat në një moshë të caktuar?

Fonda: Po theksoj diçka: është shumë e rëndësishme që të kuptosh seksualitetin tënd pas të 50-ve. Kjo nënkupton edhe njohjen e trupit, ndryshimet që pëson ai me kalimin e kohës, si për meshkujt ashtu edhe femrat. Ajo që mund të bëjmë është të provojmë elementët që përmirësojnë jetën seksuale.

Për shembull?

Fonda: Janë filmat erotikë për gratë, të xhiruara prej tyre, që mund të jenë stimulues të mirë. Burrat e një moshe të caktuar kanë nevojë për stimulues dhe këtu përfshihet edhe ai pamor. Nëse filmi është i duhuri, do t’ju pëlqejë të dyve; por edhe nëse zgjedh gruaja, sërish do ta ndihmojë marrëdhënien, pavarësisht se mund të mos jetë e mjaftueshme për të eksituar partnerin.

Këtu futet në lojë viagra, apo jo?

Fonda: Po, është e vërtetë. Pilula blu mund të jetë zgjidhja më e mirë për problemin në fjalë, megjithatë të moshuarit duhet të bëjnë kujdes. Si çdo gjë tjetër, edhe këto duhen përdorur në mënyrë korrekte dhe nuk duhen shpërdoruar. Burri nuk mund të marrë një pilulë dhe të presë që papritur gruaja të ketë dëshirë të zjarrtë. Pas moshës 50-vjeçare çdo gjë bëhet e rëndësishme për gruan: filmat, qirinjtë, mesazhet. Të gjitha këto janë në të mirë të marrëdhënies dhe ju siguroj se çdo gjë është më e bukur se në moshën 20 vjeç.

Po thoni se seksi me viagra i të moshuarve është si seksi i të rinjve? Vërtetë nuk ka asnjë ndryshim?

Fonda: Planifikimi është shumë i rëndësishëm, po ashtu edhe marrja e viagrës. Përveç kësaj edhe gruaja duhet të jetë gati kur mashkulli merr stimulantë. Asgjë nuk duhet të ndodhë në mënyrë artificiale. Zemra e burrit duhet të rrahë vërtet për gruan. Pra kur të gjithë këto elemente të jenë të pranishme, atëherë edhe se seksi është më i bukur dhe më i zjarrtë se kur jemi të rinj.

Çfarë do t’u sugjeronit moshatarëve tuaj, të cilët dëshirojnë të kenë një jetë seksuale aktive, por që u vjen turp ta pranojnë?

Fonda: Nuk e kuptoj pse një person që ka ndjenja dhe dëshiron të bëjë seks duhet ta fshehë? Megjithatë mendoj se kjo vjen nga mungesa e një partneri të denjë. Por nuk duhet të dekurajoheni, sepse sot ka mënyra të ndryshme për ta gjetur. I pari që ju vjen në ndihmë është interneti. Aty mund të gjeni shumë partnerë të vetmuar që janë në kërkim të dashurisë. Mos ngurroni, por kërkoni atë që meritoni.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›