75-vjetori i NATO-s, ministrat e jashtëm mblidhen në Bruksel

Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen sot (4 prill) në Bruksel për të festuar 75-vjetorin e aleancës së tyre, pasi ranë dakord të fillojnë planifikimin për një rol më të madh në koordinimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Në takimin në Bruksel, ministrat do të kujtojnë nënshkrimin në Uashington më 4 prill 1949, të Traktatit të Atlantikut të Veriut që krijoi aleancën politike dhe ushtarake transatlantike.
“Ndërsa përballemi me një botë më të rrezikshme, lidhja midis Evropës dhe Amerikës së Veriut nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
NATO filloi me 12 anëtarë nga Amerika e Veriut dhe Evropa, e themeluar si përgjigje ndaj frikës në rritje se Bashkimi Sovjetik përbënte një kërcënim ushtarak për demokracitë evropiane. NATO është koncepti i mbrojtjes kolektive, ideja që një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve.
75 vjet më vonë, NATO ka 32 anëtarë dhe ka rimarrë një rol qendror në çështjet botërore, pasi lufta e Rusisë në Ukrainë i shtyu qeveritë evropiane ta shohin Moskën edhe një herë si një kërcënim të madh të sigurisë.
Dy anëtarët më të rinj të NATO-s, Finlanda dhe Suedia, u bashkuan në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
/rtsh.al/