8 Dhjetori, Begaj: Nder përjetë Dhjetoristëve. Ambasada e SHBA-së: Studentët formësuan të ardhmen

Sot, në Ditën Kombëtare të Rinisë, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, përkujtoi dhe nderoi lëvizjen studentore antikomuniste të dhjetorit ’90, e cila shënoi fillimin e pluralizmit në Shqipëri dhe rrëzimin e diktaturës.
Në një mesazh të veçantë, Presidenti vlerësoi guximin dhe vizionin e atij brezi të rinjve që u ngritën kundër regjimit dhe frymëzuan ndryshime të mëdha në vend.
Ai nënvizoi se “sot festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë”, duke e theksuar këtë si një burim frymëzimi për të arritur aspiratën evropiane të kombit shqiptar.
Në mesazhin e tij, Presidenti e përmendi thirrjen historike “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!“, duke e lidhur atë me idealet e lirisë, demokracisë dhe integrimit në vlerat perëndimore.
“34 vjet më parë, studentët shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë. Lëvizja e Dhjetorit ’90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë dhe demokracisë dhe vlerave perëndimore. Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë,” theksoi Presidenti Begaj, duke shtuar se e gjithë Shqipëria duhet të frymëzohet nga ky akt qytetar dhe politik për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.
“Nder përjetë Dhjetoristëve!” përfundoi Presidenti mesazhin e tij, duke i dhënë kështu një dimension përkujtimi dhe falenderimi për të gjithë ata që kontribuuan në këtë transformim historik të Shqipërisë.
Edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shpërndarë një mesazh me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë ku thekson rëndësinë e 34 viteve që nga momenti kur studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën për herë të parë kundër regjimeve të ashpra komuniste, duke hapur rrugën për liri dhe demokraci në Shqipëri.
Ambasada vuri në dukje se mbështetja për Shqipërinë dhe të rinjtë e saj mbetet e fortë dhe e qëndrueshme, ndërsa ata ndjekin aspiratat e tyre për të ardhmen.
“Sot, Shqipëria feston Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shënuar 34 vjet që kur studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës, duke shënuar rënien e tij dhe duke formësuar të ardhmen e kombit. Më 8 dhjetor kujtojmë ata që luftuan për demokraci. Rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”, shkruan ambasada e SHBA.
Në përvjetorin e 34-të të Ditës Kombëtare të Rinisë, edhe kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, theksoi rëndësinë simbolike dhe historike të kësaj dite për kombin shqiptar dhe për ëndrrën europiane të tij.
“8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si një faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale. Ajo thirrje e brendshme që buçiste së jashtmi, “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!”, ishte më e fortë se çdo parrullë, kongres, anti-miting, ishte, mbi të gjitha, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë përdhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar. Sot ecim më shpejt dhe jemi më pranë se kurrë Shqipërisë së ëndërrimtarëve dhe luftëtarëve të dhjetorit, në një proces intensiv negociatash, me objektivin e qartë Shqipëria në BE brenda vitit 2030. Ecim drejt kësaj ëndrre, tashmë një realitet i prekshëm, duke lënë pas fantazmat e komunizmit dhe shëmbëlltyrat e këqija të tyre, idhujt e rremë të tranzicionit, bartësit e gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, minuesit e bashkëjetesës, të bashkuar në aspiratën tonë madhore!”, shkruan Spiropali.
/rtsh.al/