E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 Maji do të hyjë në histori si 22 Marsi Socialist

Nga Toni Tahiri

Çdo parti politike, shqiptare apo e huaj, e ka një moment historik të sajin, i cili përcakton pakthyeshmërisht historinë e saj të mëpasshme. Një moment, i cili shërben si ujëndarës mes historisë së saj të kaluar, të tashme dhe të ardhshme, e pse jo në disa raste edhe si ujëndarës i historisë së një vendi të tërë. Ky moment mund të jetë një fitore elektorale, apo pse jo edhe vetë data e themelimit të saj.

Në rastin e partisë që është sot në pushtet, Partisë Demokratike (edhe pse shpresoj që nga fundi i sundimit të saj të na ndajnë vetëm pak muaj), kjo datë ishte 22 Marsi i vitit 1992, data kur ata arritën fitoren e tyre të parë elektorale në rang vendi, datë edhe të cilën ata e mitizuan në një masë të madhe, duke e institucionalizuar madje edhe si Ditën e Demokracisë në vend.

E pra një datë e tillë i mungonte Partisë Socialiste. Themelimi i saj në vitin 1991, i cili me të drejtë mund të interpretohet si shndërrimi i Partisë së Punës së asokohe, në vetvete nuk përbënte ndonjë moment të lavdishëm apo për tu trumbetuar me të madhe. Po kështu fitorja zgjedhore e vitit 1997, e cila i përket një momenti historik të ngarkuar me ngjyrime aspak pozitive (sapo kishim dalë nga kriza e piramidave dhe vendi ynë ishte i paaftë të mbante zgjedhje të lira e demokratike), nuk e përbën një moment të tillë.

Dhe kështu vijmë në zgjedhjet vendore të 2011-ës. Duke pasur parasysh edhe zhvillimet që i paraprinë ato: fillimi i erës Rama në Partinë Socialiste dhe zgjedhjet vendore të 2007-ës (të cilat i shërbyen konsolidimit të pushtetit të Edi Ramës brenda partisë së tij) dhe ato të përgjithshme të 2009-ës (për të cilat është më mirë të mos flasim për vetë natyrën e tyre skandaloze e gjakprishëse/truheqëse), këto zgjedhje merrnin një rëndësi jetike për PS-në dhe për liderin e saj.

Dhe me thënë të drejtën, këto zgjedhje ishin ndryshe nga paraardhëset. E them këtë sepse pamë një PS shumë më të organizuar në terren, qoftë nëpër komisionet e qendrave të votimit por edhe në grupet e numërimit të votave. Pamë një PS e cila iu qas këtyre zgjedhjeve pa iluzione të kota idealiste (se duke qenë se fitorja u takonte me të drejtë të majtëve ajo do të vinte vetë, apo si mund të thuash me urdhrin e peshkut), një PS që ishte e vetëdijshme për rëndësinë e procesit zgjedhor, për vetë faktin që këto ishin zgjedhje make it or break it, pra ishin vendimtare për të ardhmen e saj në të gjitha planet, përfshirë ato politike, shoqërore, civile, etj., si dhe një PS që hyri në zgjedhje e vendosur për të bërë gjithçka brenda limiteve të ligjshmërisë e të lojës demokratike për ta fituar sfidën elektorale. Po shohim një fitore madhështore (e cila ka asgjësuar edhe bastionet demokrate, si për shembull Laçi, Kavaja, Fushë-Kruja, Burreli, etj.) që e ka njollosur me rozë çdo cep të vendit, një fitore e arritur me meritë dhe falë punës së madhe organizative dhe propagandistike të PS-së, një fitore me të drejtë e krahasueshme me atë demokrate të 22 Marsit 1992, një fitore e cila me siguri që do të ndikojë në mënyrë domethënëse historinë e tashme dhe të ardhshme të kësaj partie, si dhe një fitore e cila me siguri do të përcaktojë (për mirë kuptohet) edhe të ardhmen politike të vetë liderit të kësaj partie, Edi Ramës.

Kështu që me të drejtë mund të konkludojmë se 8 Maji i 2011 është në fakt 22 Marsi Socialist. Është një datë që do ti bëjë të ndihen krenarë Socialistët Shqiptarë për brezat që do të vijnë, një datë që do të përcaktojë identitetin e PS-së në të ardhmen duke e lidhur atë pazgjidhshmërisht me liderin e saj, Edi Ramën. Pasi kaloi një kalvar 2-vjecar pas zgjedhjeve të 2009-ës, Edi Rama e sheh veten të konfirmuar si Liderin Legjitim Socialist, madje e sheh veten në një pozitë më të fortë brenda partisë së tij se sa edhe vetë edhe udhëheqësi historik Socialist, Fatos Nano. Edi Rama bëri realitet atë që askush nga Socialistët shqiptarë nuk e kishte ëndërruar ndonjëherë (apo që askush nga liderët socialistë nuk e kishte arritur asnjëherë): e pajtoi PS-në me Shqipërinë edhe i dha fund ndasive veri-jug, të provokuara me aq zell e mbrapshti nga Berisha e lakenjtë e tij.

Pra, nuk kam se çfarë të them tjetër veçse ti uroj PS-së që të shijojë e gëzojë sa më bukur 22 Marsin e saj. E meriton plotësisht! Edhe dashtë Zoti që ky 8 Maj të kthehet në preludin e një fitoreje po aq madhështore në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

*Një ish-simpatizant i zjarrtë i PD-së

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›