E Martë, 3 Nëntor 2026

8 orë në Kanionet e Gjipesë për të gjetur 4 turistë polakë


Një operacion i vështirë kërkim-shpëtimi, që zgjati rreth tetë orë dhe vijoi edhe gjatë natës, u finalizua me sukses në Kanionet e Gjipesë, ku u shpëtuan katër turistë polakë, njëri prej të cilëve ishte dëmtuar pasi kishin rënë në një greminë gjatë eksplorimit të zonës.

Sipas Policisë, njoftimi për ngjarjen u mor mesditën e djeshme, ndërsa menjëherë nisën kërkimet në terrenin e thepisur dhe me rrezik të lartë për jetën.

Në operacion u angazhuan efektivët e DELTA Forcës, shërbimet e Policisë së Himarës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, helikopteri i Forcave të Armatosura, alpinistë të zonave të mbrojtura, zjarrfikës dhe ekip mjekësor.

Për shkak të vështirësive të terrenit, helikopteri nuk mundi të hynte në vendin ku ndodheshin turistët, ndaj evakuimi u krye nga efektivët e Policisë, zjarrfikësit dhe alpinistët, të cilët i nxorën turistët dy nga dy. Rreth mesnatës operacioni përfundoi me sukses.

Turisti i plagosur mori menjëherë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tre turistët e tjerë u evakuuan në gjendje të mirë shëndetësore.

Pas shpëtimit, katër turistët polakë falënderuan Policinë dhe të gjitha strukturat e përfshira në operacion për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe angazhimin e treguar për shpëtimin e jetëve të tyre.a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›