84 milionë lekë kundër përmbytjeve në Lezhë/Ndërhyrje në prita malore, përrenj dhe ura në disa zona problematike

Një paketë e gjerë ndërhyrjesh për mbrojtjen nga përmbytjet pritet të zbatohet gjatë këtij viti në Lezhë. Projekti përfshin ndërhyrje në pritat malore, sistemimin e përrenjve, disiplinimin e ujërave, si dhe ndërtimin dhe rikonstruksionin e urave mbi këto rrjedha ujore. Vlera totale e investimit llogaritet në rreth 84 milionë lekë.
“Mendoj se kemi zgjidhur një problem të rëndësishëm në këtë zonë për të parandaluar ngjarje të pakëndshme për shkak të reshjeve”, u shpreh Pjerin Ndreu, Kryetar i bashkisë Lezhë.
Punimet kanë nisur në Kolsh, një nga pikat më problematike, ku amortizimi i pritës malore kishte sjellë devijimin e ujërave drejt zonave të banuara dhe ambienteve publike, përfshirë edhe shkollën.
“Ne po investojmë me emergjencat një pritë malore e cila neutralizon një situatë të rrezikshme e cila agravohej për shkak të reshjeve dhe ardhjes së prurjeve nga sipër dhe prurjet pastaj shkonin në shkollë dhe rrezikoheshin disa banesa”, tha ai.
Projekti do të shtrihet në disa njësi administrative, përfshirë Markatomaj, Kallmet, Blinisht dhe Zejmen, zona të cilat janë përballur vazhdimisht me vërshimin e ujërave dhe transportin e inerteve drejt tokave bujqësore dhe zonave të banuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për banorët.
Gazetare: N. Spahiu
/rtsh.al/