900 mijë protestues në Francë, vendi paralizohet nga grevat masive

Franca po përjeton një nga protestat më të mëdha të viteve të fundit. Presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri Sébastien Lecornu po përballen me zemërimin e sindikatave, që kundërshtojnë shkurtimet e buxhetit dhe masat shtrënguese.
Mbi 900 mijë qytetarë dolën në rrugë në gjithë vendin, duke paralizuar transportin publik, shkollat dhe shërbimet shëndetësore. Përplasjet gjatë marshimeve sollën incidente, ndërsa mbi 100 persona u arrestuan.
Në Nantes policia përdori gaz lotsjellës, në Lyon disa protestues u plagosën, ndërsa në Paris qindra persona arritën deri tek Ministria e Ekonomisë, duke hedhur bomba tymi.
Sindikatat më të mëdha të vendit CGT, Solidaires dhe Force Ouvrière, kërkojnë më shumë fonde për arsimin dhe shëndetësinë, taksa më të larta për të pasurit dhe anulimin e reformës së pensioneve që i detyron qytetarët të punojnë më gjatë.
Me 80 mijë forca policie në terren, Franca është pothuajse e paralizuar. Macron dhe Lecornu janë nën presion nga protestuesit dhe partitë e majta, por edhe nga investitorët e shqetësuar për deficitin në ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës. Parlamenti është thellësisht i ndarë dhe nuk ka shumicë të qartë për të miratuar planet fiskale.
Protestuesit kërkojnë anulimin e planeve fiskale të qeverisë së mëparshme, më shumë shpenzime për shërbimet publike dhe ndryshimin e masave që i detyrojnë qytetarët të punojnë më gjatë për pension.
/rtsh.al/