“95% e shërbimeve online”, Rama: Po përdorim AI për transferimin e legjislacionit të BE në korpusin tonë ligjor

Kryeministri Edi Rama ishte pjesë e panelit në Samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të mbajtur në Abu Dhabi.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal te transformimi digjital i administratës publike, përdorimi i inteligjencës artificiale dhe reformat për afrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Rama: Kemi nisur përpjekjet për të nxjerrë më të mirën nga teknologjia, por për shkak të shumë problemeve që i trashëguam teknologjia digjitale na lejoi të ndryshonim tërësisht mënyrën se si funksionon administrata përkundrejt qytetarëve. 95% e shërbimeve prej disa vitesh ofrohen në internet, i kemi mbyllur të gjitha zyrat në vend, pra nuk ke më zyrë fizike, nuk ka radhë, nuk ka kohë të humbur, e merr shërbimin online qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë. Ndërkohë inteligjencën artificiale po e përdorim për të gjithë procesin e transferimit të legjislacionit të BE ne korpusin tonë ligjor. Për të gjitha vendet ky ka qenë një vëllim i jashtëzakonshëm pune, ndërkohë që me AI ne po e bëjmë këtë gjë shumë shpejt, në mënyrë shumë të saktë. Po kështu kemi dhe një ministre të Inteligjencës Artificiale. Është asistente virtuale. Ajo punon për shërbimet, dhe po punon për transferimin e korpusit ligjor të BE dhe po punon për diçka që ne besojmë se do të jetë e fjalës së fundit, që është prokurimi publik me AI për t’i hequr njerëzit nga procesi dhe për të bërë që prokurimi të kryhet nga inteligjenca artificiale.