A DO TË NDODHË DIXHITALIZIMI I TELEVIZIONEVE?!
Oltjon Koja
Miratohet së fundmi në Parlament ligji i ri i shumëdiskutuar e shumëpërfolur për median audiovizuale. Ky ligj rregullon jo vetëm funksionimin e medias elektronike, por edhe shërbimet mbështetëse të tyre, duke dhënë garanci për një media të lirë dhe të pavarur. Ligji, krahas garantimit të lirisë dhe pluralizmit në median audiovizuale, merr përsipër licencimin e platformave dixhitale dhe rrjedhimisht rregullimin ligjor për kalimin e plotë në këto transmetime. Kjo u arrit pas një maratone të gjatë disavjeçare diskutimesh në komisionet parlamentare, objeksionesh, vërejtjesh, pas dakordësive e mosmarrëveshjeve. Ligji në vetvete është një përafrim i përvojave më të mira europiane, dhe në tërësinë e tij jep garanci për të rregulluar më së miri veprimtarinë audiovizuale në vendin tonë.
Në një vështrim të thjeshtë, do të përpiqemi të zbardhim disa prej etapave ku ka kaluar dhe si është zhvilluar procesi për dixhitalizimin e transmetimeve televizive tokësore në vendin tonë.
Transmetimet dixhitale tokësore DVB-T në Shqipëri filluan në vitin 2003 nga platforma Digitalb. Ato ishin ndër transmetimet e para të kësaj teknologjie edhe në Europë. Përpara këtij revolucioni mediatik, jo vetëm legjislacioni ynë, por edhe i vendeve të tjera në rajon, u gjet i papërgatitur. Kishim të bënim me një teknologji vërtet të re dhe tërësisht të ndryshme nga teknologjia analoge, e për pasojë nuk mundi ti paraprinte kuadri ligjor.
Nga këndvështrimi i autoritetit rregullues si procesi i licencimit ashtu edhe procesi i planifikimit dhe shpërndarjes së frekuencave në këtë teknologji është tërësisht i ndryshëm nga ai i përdorur në teknologjinë e transmetimit analog.
Nga viti 2004 deri në vitin 2006, KKRT përfaqësoi Shqipërinë në procesin e hartimit, koordinimit me vendet fqinje të planeve frekuencore për shërbimet e reja dixhitale, në përpjekje për të mirëpritur teknologjinë e re. Në vitin 2006, në Gjenevë të Zvicrës, Unioni Botëror i Telekomunikacioneve (UBT) miratoi marrëveshjen Për planifikimin e shërbimit televiziv numerik tokësor në pjesë të Rajoneve 1 dhe 3, në brezat frekuencore 174-230 MHz dhe 470-862 MHz. Nga kjo marrëveshje, Shqipëria ka të miratuara 11 zona shërbimi (Allotments) dhe 1 nënzonë (sub-allotment) për televizionin dixhital tokësor (DVB-T), si dhe 121 frekuenca në bandat respektive UHF dhe VHF për të gjithë këto zona shërbimi. Për radion dixhitale (T-DAB), janë miratuar 2 zona shërbimi dhe 1 nënzonë shërbimi, si edhe 6 blloqe frekuencash.
Kjo marrëveshje është një nga arritjet më të mëdha të vendit tonë në fushën e transmetimeve dixhitale tokësore, pasi për herë të parë, Shqipëria koordinon frekuencat për shërbimin televiziv me vendet fqinje. Është me interes të theksojmë se këto plane frekuencore miratohen dhe mbrohen nga marrëveshjet ndërkombëtare.
Në vitin 2007, Parlamenti shqiptar miraton ligjin për rregullimin e transmetimeve numerike në vendin tonë, qëllimi kryesor i të cilit ishte licencimi i operatorëve televizivë dixhitalë ekzistues dhe rregullimi i funksionimit të tij me ligj, ndërkohë që lindin edhe operatorë të rinj. Pikërisht në këtë moment ndryshon edhe përbërja e KKRT-së dhe kryetarit të saj. Siç ndodh rëndomtë në Shqipëri, ky proces rotacioni u shoqërua me spastrimet e specialistëve që janë vlerat e institucioneve dhe për më tepër kanë të gjithë informacionin dhe përvojën e domosdoshme për funksionimin korrekt të institucionit.
Po çfarë është televizioni dixhital?
Është një evolucion, një teknologji e re e transmetimit të sinjalit në ajër, por jo vetëm. Përfitimet e kësaj teknologjie janë të shumta, e fillojnë që nga cilësia e lartë e figurës dhe zërit të transmetuar, në formatet e figurës me definicion standard (SD) dhe definicion të lartë (HD) e duke përfunduar te shërbimet e interaktivitetit dhe një sërë përfitimesh të tjera.
Përse duhet ky ndryshim?
Sepse brezi radio-frekuencor është një burim natyror i kufizuar i pasurisë kombëtare. Nevoja për programe e shërbime të reja është çdo ditë prezente në tregun mediatik. Teknologjia e transmetimit analog është e kufizuar në shumë drejtime. Pikësëpari, ajo kërkon shfrytëzimin e një frekuence për të përcjellë një program të vetëm në një zonë të caktuar shërbimi. Ndërkohë që në teknologjinë dixhitale tokësore mund të mbarten disa programe në një frekuencë të vetme. Pra, me këtë teknologji optimizohet përdorimi i frekuencave dhe krijohen mundësi të reja për operatorë të rinj në treg. Gjithashtu, krahas interaktivitetit, përmirësohet cilësia e transmetimit dhe shtohen shërbime të reja. Në favor të operatorëve televizivë, optimizohen shpenzimet për investimin fillestar, si dhe minimizohen kostot për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit.
Çfarë nevojitet për të kaluar në këtë teknologji të re?
Një operator televiziv ekzistues, duhet të ndryshojë pajisjet transmetuese në pikat e transmetimit, por jo vetëm. Në studion e transmetimit, produkti final që do të dërgohet në pikën transmetuese, duhet të konvertohet në formatin përkatës, të përshtatshëm për transmetim. Ndërkohë që shikuesit duhet të kenë një dekoder, apo marrës televiziv që të shikojnë këtë sinjal.
Cilët janë aktorët dhe rolet e tyre në këtë proces?
Ofruesit e programeve janë operatorë programesh televizive të mirëfilltë që prodhojnë content të përgjithshëm si Top Channel, Vizion +, Klan etj., dhe ofrues shërbimesh të profilizuar si rasti i Tring e Digitalb që transmetojnë filma, sport, dokumentarë, informacion etj., etiketuar ndryshe si operatorë tematikë.
Ofruesit e Multiplekserit janë ato subjekte që sigurojnë përshtatjen në formatin e duhur të transmetimit (MPEG-2, MPEG-4, SD apo HD) për të gjithë sinjalet që vijnë nga operatorët e programeve.
Ofruesit e rrjetit të transmetimit. Janë subjektet që sigurojnë transportimin e sinjalit final që merret nga ofruesit e multipleksit e më pas e transmetojnë nëpërmjet sistemeve të transmetimit në ajër në të gjithë territorin e dhënë.
Si ndodh praktikisht procesi i ndryshimit?
Licenca ekzistuese për ofrimin e shërbimit televiziv në teknologjinë analoge sipas ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 i mundëson një operatori televiziv të ndërtojë studiot e transmetimit, të hartojë dhe përgatisë programacionin e tij dhe të realizojë sistemin e transmetimit të sinjalit në ajër. Pra, çdo operator i licencuar nga KKRT duhet të zotërojë këto tre elementë të mësipërm për të funksionuar.
Në teknologjinë e re, nevojitet vetëm një sistem multipleksimi i përbashkët për rreth 12 deri në 20 programe televizive brenda një multipleksi, dhe një sistem transmetimi të sinjalit në ajër. Numri i këtyre programeve që mbështeten në platformën dixhitale, do të përcaktohet nga një sërë kombinimesh e parametrash teknikë të Multpileksit si formati i programit SD apo HD, Bitrate përkatës, etj., si dhe parametrat teknikë të sistemit të transmetimit siç janë tipi i rrjetit SFN (rrjete njëfrekuencore) apo MFN (rrjete shumëfrekuencore), lloji i modulimit (QPSK, QAM etj.), referenca e rrjetit etj.
A është miratuar strategjia e re e dixhitalizimit?
Më datë 2/05/2012, me VKM Nr. 292, miratohet strategjia e kalimit në teknologjinë e re. Më datë 15/06/2012, me urdhër të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit (MITIK), z. Genc Pollo për emërim të drejtuesit të sekretariatit tekn