E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do ta kopjojë Dervishi Bubeqin?

/* */

PEQIN, 2 janar 2012 - Roland Dervishi, golashënuesi më i mirë i Shkumbinit, por dhe i Kategorisë Superiore për fazën e parë, është duke përjetuar momentin më të mirë në karrierën e tij.

11 gola nga 19 që ka shënuar në 13 javët e para e gjithë skuadra peqinase, e për më tepër 5 gola në harkun e 90 minutave në fitoren 6-2 të Shkumbinit ndaj Tomorit, e bëjnë kapitenin bardhekaltër favoritin kryesor për të fituar “Këpucën e artë” të sezonit 2011-2012.

29-vjeçari është në superformë dhe me maturinë e tij i ka dhënë pikë të çmuara Shkumbinit.

Por, a do t’ia dalë dot Roland Dervishi të bëhet lojtari i dytë i Shkumbinit që fiton trofeun e çmuar individual?

Në sezonin 1997-1998, Dorian Bubeqi, me 26 golat e tij - nga 56 që realizoi Shkumbini në atë kampionat me 18 skuadra – fitoi “Këpucën e Artë”, duke e ndihmuar skuadrën e tij të renditet në vendin e katërt me 54 pikë (Vllaznia fitoi titullin kampion), njëherësh edhe renditja më e mirë historike e peqinasve në Superligë.

Kur kanë mbetur edhe 13 javë të tjera, pra komplet faza e dytë, Roland Dervishi ka shënuar 11 gola, ose 2 më shumë se Xhevair Sukaj (ende i pezulluar nga klubi i Vllaznisë),  francezi i Kastriotit, Brus Inkango dhe kapiteni i Bylisit, Amarildo Dimo, të tre këta në kuotën e 9 golave.

Daniel Xhafaj, i fundit që e ka fituar “Këpucën e artë”, madje dy sezonet e fundit, ka shënuar gjatë këtij gjysmësezoni 8 gola më pak se Roland Dervishi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›