E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të ndryshojnë raportet mes Serbisë dhe Malit të Zi?

Udhëheqësit e Qeverisë së Malit të Zi ishin ndër të parët që e përgëzuan Listën Studentore për fitoren e saj bindëse në zgjedhjet në Serbi. Përveç Kryeministrit dhe Presidentit, urime dërguan edhe kryetari i Kuvendit dhe lideri i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiq, një aleat i deritanishëm i Aleksandar Vuçiqit në Mal të Zi.

Analistët vlerësojnë se ripërcaktimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve do të ishte i dobishëm për të dyja palët, ashtu si edhe rishikimi i ndikimit politik dhe financiar të Vuçiqitnë proceset në Mal të Zi.

Urime dhe distancim

Duke e uruar Listën Studentore, Kryeministri Milojko Spajiq tha se beson fuqishëm se Mali i Zi dhe Serbia kanë përpara një kapitull të ri, të bazuar në respekt dhe dialog të hapur, "pa rritur tensione të panevojshme”. Një shpresë të ngjashme shprehu edhe presidenti Jakov Milatoviq.

Kryetari i Kuvendit dhe lideri i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiq, i cili deri pak muaj më parë bashkëpunonte ngushtë me Aleksandar Vuçiqin dhe Partinë Progresive Serbe (SNS), shkoi edhe më tej duke i uruar Listës së Studentëve "shumë mençuri, lumturi dhe sukses në udhëheqjen e Serbisë”. Ai falënderoi qeverinë e deritanishme serbe "për të gjitha të mirat” që kishte bërë për popullin e saj jashtë Serbisë.

Ftohja e marrëdhënieve mes Vuçiqit dhe Mandiqit ndodhi pasi ky i fundit iu përkushtua zbatimit të axhendës evropiane si pjesë e shumicës parlamentare në Mal të Zi. Ndërkohë, partneri i tij i koalicionit, Milan Knezheviq, lider i Partisë Demokratike Popullore (DNP), ka ruajtur lidhje të forta me Beogradin zyrtar.

Për vite me radhë, Mandiqi e ka konsideruar qeverinë e Vuçiqit si një partner kyç politik për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Mal të Zi, ndërsa qarqe pranë SNS-së kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në proceset zgjedhore në vend.

Ndikimi i Vuçiqit mbetet, kërkohet shqyrtim i financimeve

Për vite me radhë, afrimi me Vuçiqin ka qenë burim mbështetjeje politike dhe legjitimiteti rajonal për aktorë të caktuar politikë në Mal të Zi. Largimi i tij nga pushteti ndryshon rrethanat në të cilat kanë funksionuar këto marrëdhënie.

Megjithatë, sipas Ana Neneziq, bashkëpunëtore në Institutin për Studime të Avancuara në Universitetin e Malit të Zi, do të ishte naive të pritej që Vuçiq të humbiste menjëherë të gjithë ndikimin e tij politik në Mal të Zi.

"Strukturat partiake, marrëdhëniet me median, lidhjet e biznesit dhe rrjetet informale rajonale mund të mbijetojnë edhe pas një ndryshimi qeverie. Retorika e tij pas humbjes së zgjedhjeve, përfshirë akuzat për ndikimin e Malit të Zi në proceset politike në Serbi, tregon se përplasja politike nuk do të marrë fund domosdoshmërisht me ndryshimin e pushtetit”, vlerëson Neneziq.

Për këtë arsye, ajo i konsideron të rëndësishme njoftimet e disa përfaqësuesve të Listës së Studentëve se do të rishikojnë transfertat buxhetore për organizatat në Mal të Zi. Këtë e deklaroi sociologu Jovo Bakiq, tashmë deputet, në një intervistë për gazetën malazeze "Vijesti”.

Një hap i tillë mund të ndihmojë në përcaktimin e shkallës në të cilën burimet shtetërore serbe janë përdorur për aktivitete me pasoja politike në Mal të Zi, si dhe rolit që kanë luajtur aktorë të ndryshëm në këtë proces.

"A ka pasur ndikim politik në vendimmarrje, financim jotransparent, favorizim institucional të aktorëve të caktuar apo përpjekje për të ndikuar në proceset zgjedhore?”, pyet Neneziq.

Bashkëpunim, duke nisur nga lufta kundër krimit?

Neneziq mbetet optimiste e matur sa i përket orientimit proevropian të qeverisë së re në Serbi, megjithëse, siç thotë ajo, "orientimi prodemokratik i lëvizjes nuk është domosdoshmërisht i njëjtë me orientimin proevropian të politikës së jashtme të qeverisë së ardhshme”.

Ajo shton se deklaratat e para tregojnë ndryshime në qëndrimet ndaj Rusisë dhe Kosovës, ndaj duhet pritur formimi i qeverisë dhe përcaktimi i qartë i prioriteteve në politikën e jashtme.

Në mesazhin e urimit drejtuar Listës së Studentëve, kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, tha se të dy vendet presin një afrim edhe më të madh në rrugën e tyre të përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Serbinë që të bëhet anëtarja e parë e radhës pas Malit të Zi. Ne duam që Mali i Zi dhe Serbia të jenë vende të njerëzve të lirë, të lumtur dhe të pasur. Zoti e bekoftë Malin e Zi dhe Serbinë”, përfundoi Mandiq.

Deri atëherë, ekzistojnë fusha të shumta për bashkëpunim, shkëmbim informacionidhe hetim të lidhjeve kriminale ndërmjet SNS-së dhe ish-qeverisë së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), si dhe strukturave të pushtetit aktual në Mal të Zi.

Pritet llogaridhënie, drejtësi...

Qytetarët që mbështetën lëvizjen studentore presin llogaridhënie, drejtësi, luftë kundër korrupsionit dhe institucione funksionale. Duke qenë se reformat në gjyqësor, administratën publike dhe sektorin e sigurisë kërkojnë kohë, Neneziq thekson se mësimi më i rëndësishëm që Mali i Zi mund t'i ofrojë Serbisë, gjashtë vjet pas ndryshimit të qeverisë, është dallimi mes fitores në zgjedhje dhe konsolidimit demokratik.

"Ne kemi treguar se është e mundur të rrëzosh në mënyrë demokratike një qeveri të vjetër, por edhe se praktikat e vjetra mund të mbijetojnë nën një udhëheqje të re politike”, përfundon Neneziq.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›