Itali: Qindra mijëra protestojnë në disa qytete kundër qeverisë Meloni

Më shumë se 200.000 vetë protestuan nëItalikundër qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni. Sipas vlerësimeve të pavarura, tubimet më të mëdha të premten (30.10.2026) u zhvilluan në kryeqytetin Romë dhe në qytetin universitar të Bolonjës, me rreth 50.000 pjesëmarrës secili. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë edhe në Milano, Napoli dhe Torino.
Në protesta morën pjesë ndër të tjera nxënës, studentë, punëtorë, fermerë dhe pensionistë. Sindikata USB kishte bërë thirrje për grevë të përgjithshme. Në total, protesta u zhvilluan në më shumë se 50 qytete. Sindikata deklaroi madje se në mbarë vendin kishin marrë pjesë më shumë se një milion njerëz. Megjithatë, kjo shifër nuk u konfirmua nga autoritetet.
Protesta kundër pagave të ulëta dhe rritjes së kostove
Demonstruesit kritikuan rritjen e kostos së jetesës, inflacionin e lartë, pagat e ulëta dhe shpenzimet e mëdha të qeverisë për armatime. Në pankarta shiheshin parulla si: „Ulni armët, rritni pagat" dhe „Jo ekonomisë së luftës". Pjesëmarrësit kërkuan gjithashtu më shumë fonde për shkollat dhe universitetet.
Sindikata USB kishte bërë thirrje gjithashtu për ndërprerjen e punës në transportin publik lokal dhe atë në distanca të gjata, si dhe në sektorin e shëndetësisë. Megjithatë, deri tani kufizimet në transport kanë qenë minimale, edhe për shkak se ministri i Transportit Matteo Salvini kishte vendosur ndalimin e grevës para festës së Ditës së Gjithë Shenjtorëve.
Masa të forat sigurie dhe prani e madhe policore
Pamjet e plaçkitjeve, zjarrvënieve dhe akteve të dhunës në Milano dy javë më parë janë ende të freskëta. Atëherë u plagosën 20 demonstrues dhe katër policë, ndërsa më shumë se 50 të rinj u arrestuan.
Edhe për këtë arsye, protestat e fundit u shoqëruan nga një prani masive e forcave policore. Në shumë qytete u shtuan kontrollet dhe masat e sigurisë për të parandaluar trazirat. Policia u kishte bërë thirrje protestuesve që gjatë demonstratave të mos mbanin kapuçë apo helmeta.
Protestat kryesisht paqësore, por me incidente të izoluara
Në Romë u angazhua një numër i madh forcash policore, ndër të tjera për të mbrojtur monumente si Koloseu dhe për të parandaluar përsëritjen e akteve të dhunës.
Shumica e protestave deri në mbrëmje kaluan në mënyrë paqësore. Në Torino pati përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Në Romë u hodhën kokteje Molotov pranë Koloseut. Edhe në qytete të tjera pati incidente të izoluara, por përmasat e tyre nuk mund të krahasoheshin me demonstratat e dy javëve më parë, kur vetëm në Milano u plagosën më shumë se 200 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Edhe në Xhenova, në veriperëndim të Italisë, të premten pati përplasjet e para mes protestuesve dhe policisë.
Projektbuxheti i Melonit nuk i qetëson protestuesit
Të mërkurën (28.10.2026), Meloni prezantoi projektbuxhetin e saj për vitin 2027. Një nga synimet ishte edhe zbutja e protestave në vend. Përveç lehtësimeve tatimore për personat me të ardhura mesatare dhe sipërmarrësit e vetëpunësuar, parashikohet të rritet edhe buxheti për sektorin e shëndetësisë.
Është planifikuar gjithashtu një paketë prej 175,2 milionë eurosh për fermerët, kompanitë e transportit dhe sektorin e peshkimit, me qëllim lehtësimin e barrës së kostove të larta të karburantit. Për të gjithë punonjësit nën moshën 30 vjeç është parashikuar një pagesë e njëhershme prej 2.500 eurosh.
Buxheti i ri pritet të financohet përmes rritjes së taksave për bankat dhe kompanitë e sigurimeve. Megjithatë, sindikatat thonë se këto masa nuk janë të mjaftueshme dhe kërkojnë lehtësime të mëtejshme për qytetarët.
ard/dpa