E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të zgjidhet çështja e Veriut të Kosovës?

Në fillim të muajit Korrik të këtij viti, ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, pas mbledhjes së Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar në Vjenë, se mbikëqyrja ndërkombëtare e Kosovës ka ardhur në fund dhe se nga Shtatori i këtij viti ky grup i jep të gjitha të drejtat e sovranitetit kombëtar Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që ishte prezent, deklaroi se kjo mbledhje kishte karakter historik. Kryetari i Zyrës Civile Ndërkombëtare i këtij Grupi Mbikëqyrës, diplomati holandez, Peter Feith, që ishte në këtë mbledhje në Vjenë, deklaroi se Kosova është bërë një vend” modern demokratik multietnik. Ditët e fundit të Korrikut, gjatë vizitës në Bruksel, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nënshkroi me komisioneren për Politikën e Jashtme të BE-së, Katherine Ashton, marrëveshjen për zgjatjen dhe dy vjet të Eulex, një hap ky mjaft tregues për demokratizimin e mëtejshëm dhe integrimin e Kosovës në BE. Këto hapa të rëndësishëm për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës u realizuan me ndihmën e madhe të BE-së dhe të SHBA-së. Në fillim të Gushtit u deklarua nga drejtori për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë se në bisedimet Kosovë - Serbi, me ndërmjetësinë e BE-së dhe vëzhgimin e SHBA do të marrin pjesë drejtuesit e lartë të dy vendeve, lajm ky që u konfirmua dhe në Prishtinë, dhe në Beograd. Në delegacionin e Kosovës do jetë dhe presidentja Jahjaga, ndërsa në atë të Serbisë do jetë dhe Presidenti nacionalist Timoslav Nikoliç. Sipas burimeve diplomatike flitet se takimi i ndërmjetësuar nga Katherine Ashton do mbahet në Tetor dhe si çështje kryesore do këtë atë të një lloj statusi të Veriut të Kosovës. Ne nuk kemi të dhëna se çfarë lloj statusi do propozohet nga Katherine Ashton. Dimë që drejtues të SHBA kanë deklaruar disa herë se çështja territorial dhe e kufirit të Kosovës nuk është në diskutim. Dimë se drejtuesit e Kosovës nuk pranojnë asnjë lloj ndarjeje të Veriut të Kosovës, apo ndonjë lloj statusi special, që serbët e veriut të kenë kontrollin me ndihmën e Beogradit. Dimë qëndrimin e Beogradit. Disa ditë pasi u konfirmua si President i Serbisë, Tomislav Nikoliç, i njohur për drejtimin e radikaleve dhe forcave të reaksionit e kishës ortodokse serbe, që bashkëpunon ngushtë me reaksionin atje, deklaroi se do Veriun e Kosovës. Ai i konsideron autoritetet e Kosovës si Provizore, madje thotë se dhe Thaçin nuk do ta takojë edhe pse vete ka bërë krime të mëdha kundër popujve të ish-Jugosllavisë dhe popullit shqiptar në Kosovë. Ai kërcënon hapur se autoritetet në Kosovë, nuk do ta drejtojnë kurrë Mitrovicën, ashtu siç nuk mund ta drejtojë më Beogradi pjesën tjetër të Kosovës. Ne nuk po shkruajmë për deklaratat e mëparshme të drejtuesve të Serbisë, që mitet e krijuara nga Kisha e tyre që u formësua në shekullin 17, do t’i paraqesë se realitet historike të Serbisë. Këto autoritete edhe kur flasin për serbët e Veriut, gjithnjë flasin për territor. Kemi theksuar disa herë se kisha reaksionare ortodokse paraprin pushtimet e territoreve duke vendosur një kryq. Këtë bëri kjo lloj kishe edhe në luftërat e fundit në ish - Jugosllavi. Çdo lexues, këtu dhe në Europë ka vënë re që në festimet për të ashtuquajturën humbje serbe në Fushë Kosovë me 1389, ata që marrin pjesë janë priftërinj dhe paramilitare ushtarake që drejtohen nga forcat radikale dhe kisha ortodokse. Ky mit u krijua kur filluan spastrimet e mëdha nga forcat serbe të popullsisë së Kosovës, pas pushtimit që i bënë Kosovës më 1912. Së paku këtë duhet ta dinë politikanët europiane që e mëshirojnë shumë këtë mit, dhe mëshirojnë akoma Serbinë, aq sa nuk e detyrojnë të kërkojë falje ndaj popullit shqiptar për genocidin që kreu. Pra flasin për territor dhe duket se Nikoliç do bëjë zhurmë të madhe me lloj lloj propozimesh për Veriun e Kosovës. Natyrisht do ketë dhe ndihmën e aleates së vjetër kishtare, Rusinë, që për t’i ardhur në ndihmë Nikoliçit dhe për ta bërë sa më të sigurt kërkesën e Nikoliçit deklaroi se në bisedime duhet të përfshihet dhe OKB-ja. Pra të ketë një rol dhe vetë Rusia për territore, ndonëse ka shumë konflikte të ngrira në vetë federatën e saj. Po të ishte Veriu i Kosovës territor serb, atëherë dikush në Bruksel do të kishte guximin të mendonte se duhet gjetur një zgjidhje, pasi Kosova nuk duhet e nuk mund të mbajë të pushtuar një territor tjetër. Është Serbia ajo që ka të pushtuar akoma territorin shqiptar. Çështja qëndron në atë dhe kjo duhet të mbahet parasysh nga Ashton se territor i Veriut të Kosovës është shqiptar, është i Kosovës. Natyrisht, duke qenë territor shqiptar, edhe ideja e vjetër e hedhur jo vetëm nga drejtuesit serbë, por dhe nga studiues grekë, të ashtuquajtur thinktanker( që nuk janë gjë tjetër përveç përçues të ideve të vjetra të kishës ortodokse ), nuk mund të shkëmbehet me territor tjetër po shqiptar, siç është lugina e Preshevës ku banojnë mbi 120 mijë shqiptarë e nuk gëzojnë as një të njëqindtën e të drejtave që gëzojnë ata pak serbë që ndodhen në Veriun e Kosovës. Ky është realiteti dhe bëhet mirë që Ashton do të drejtojë bisedimet, pasi do vijë momenti që të flitet e të arrihet rritja e standarteve demokratike për shqiptarët në luginën e Preshevës. Atëherë çfarë territori të marrim për ndërrim? Çështja e ndryshimit territorial është e përjashtuar, pasi nuk kemi territor të një shteti tjetër tek Kosova, por kemi rrudhje territoriale të Kosovës nga pushtimet serbe. Territori i Kosovës është territor i një shteti Sovran. Nëse Nikoliç kërkon të nxisë luftëra përsëri, siç bëri Millosheviçi, le t’i nisë, por Serbia do të ngushtohet e do arrijë në territoret e veta të vjetra, në rrethinat e Beogradit, pa Nishin, pa Vojvodinën, pa Sanxhakun, pa Preshevën e territoret malazeze e bullgare. Shqiptarët nuk lëshojnë më. Në 1912 u detyruan të lëshojnë territore. Këtë borxh të madh ia ka Europa shqiptarëve. Timoslav Nikoliç, këto ditë i deklaroi revistës “Danas” se do propozojë zgjidhjen për Kosovën si një autonomi e zgjeruar si gjermanët në Belgjikë dhe si austriakët e Tirolit të Jugut. Ky njeri është dy shekuj mbrapa kohës. Jo një Nikoliç, por njëqind Nikoliçë, bashkuar dhe me Putinë nuk mund të kthejnë më mbrapa rrotën e historisë. Me këtë njeri nuk mund të bisedohet sepse nuk arrihet asgjë. Ai do të shfrytëzojë Brukselin për propaganda, për të rritur përkrahësit e tij, për të bërë hapa edhe më afër Rusisë, siç pati deklaruar disa vjet me parë. Është Nikoliçi që pati deklaruar se më mirë me Rusinë se sa të shkojmë në BE. Edhe sikur ta kishte deklaruar këtë gjë vetëm për serbët e Veriut, ai nuk bën gjë tjetër vetëm se do të bëjë propaganda dhe nuk pritet asgjë nga ai. Serbët e Veriut u dukën në Mitrovicë pas pushtimit të Kosovës nga Serbia më 1912. Ata ishin pushtues, pjesëtarë të administratës ushtarake, policore, të taksave dhe të administratës. Janë shkatërruar mijëra shtëpi të shqiptarëve në Mitrovicë dhe dhjetëra mijëra janë burgosur dhe janë dërguar forcërisht në Turqi si myslimanë. Pas Luftës së dytë Botërore në Veriun e Mitrovicës kishte mbi 40 mijë banorë shqiptarë, sot numërohen 16 mijë shqiptare. Çfarë ka ndodhur në këto vite. Edhe katër vitet e fundit janë detyruar të largohen mbi 10 mijë shqiptarë, pasi nuk u lejohet të ndërtojnë shtëpitë e shkatërruara, dhe forcat e UNMNIK-ut kanë favorizuar paraushtarakët serbë dhe shërbimet sekrete serbe. Janë këto forca që bëjnë ligjin në katër komunat me shumicë serbe në rrethinat e Mitrovicës. Që kur mbaroi lufta e NATO-s dhe u tërhoqën trupat serbe nga Kosova, në veri të lumit Ibër forcat franceze nuk lejuan forcat ushtarake të Kosovës të hynin. Strukturat serbe nuk u prishën dot, as ato paramilitare, as policore, as të administratës dhe të shërbimeve të fshehta. Nikoliç kërkon me çdo kusht të ruajë strukturat serbe të drejtuara nga Beogradi në Veriun e Kosovës, ndaj kalon dhe në intervista me përmbajtje obskure. Ai bën politikë agresive kundër Kosovës. A do ta pranojë BE një agresivitet të tillë? Janë bërë dhjetëra rezoluta nga Këshilli Europës për heqjen e pushtetit paralel serb në Veri të Kosovës dhe asgjë nuk është bërë. SHBA e BE kanë folur që të hiqen këto struktura, asgjë nuk është bërë, pasi BE-ja akoma e përkëdhel Serbinë. Kjo përkëdhelje i shkon për shtat Nikoliçit që kërkon të institucionalizojë lidhjen e Veriut të Kosovës me strukturat shtetërore të Serbisë. Ai bën deklarata që u ka kaluar koha, që me luftën dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, që të arrijë një fitore në Veriun e Kosovës, të ruajë institucionet serbe atje dhe Kosova të mund të mos bëjë asnjë hap pa pyetur Beogradin. Në cilin vend europian ndodh kjo? A do ta pranojë BE një gjë të tillë? A do ta pranojë një vartësi të tillë Kosova? Nuk mendojmë që BE dhe Kosova ta pranojnë një ndërvarësi të re të Kosovës ndaj Serbisë. Serbia do bëjë presion për këtë, madje do kërkojë dhe ndihmën e Rusisë, që po përkrah hapur regjimin e Asadit e po dërgon përsëri këto ditë anije lufte për të ndihmuar këtë regjim. Nuk besojmë se BE do bjerë në këtë kurth të ri të Serbisë. Shqipëria ka forcën të këmbëngulë në zgjidhjen demokratike për minoritetet, nuk besojmë se do qëndrojë e heshtur. Po a ka zgjidhjen për Veriun e Kosovës. Ka sipas planit të Ahtisarit. Minoriteti serb në Veri do të gëzojë të gjitha të drejtat, bile më shumë se çdo minoritet tjetër në Europë. Paralel duhet të rritet dhe standarti i të drejtave demokratike për shqiptarët e luginës së Preshevës. Feith deklaroi se Kosova është shtet modern demokratik e multi-etnik. Grupi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës arriti në këtë konkluzion gjithashtu ndaj hoqi mbikëqyrjen, tani na vjen Nikoliç e kërkon kthim mbrapa, të mbajë një pjesë të sovranitetit të Kosovës. Që të arrihet zgjidhje për serbët minoritarë në Veri të Kosovës, së pari duhet të hiqen strukturat paralele serbe. Duhet të largohen strukturat ushtarake, policore e të shërbimeve të fshehta serbe. Së dyti, duhet të largohen me forcën e ligjit, me ndihmën e Eulex-it, strukturat kriminale serbe, bosët e krimit e të drogës, që kanë gjetur parajsën e pasurimit e të krimit të organizuar e që ndihmohen nga Beogradi. Së treti, duhet të ndërpriten lidhjet e partive politike të partive të vogla që janë krijuar nga Beogradi në katër komunat e në Mitrovicë, dhe të shndërrohen në parti të serbëve që do të jetojnë në këto territore shqiptare, për të mbrojtur e zhvilluar të drejtat demokratike të patjetërsueshme të tyre, të barabarta me të gjithë pjesët tjera të popullsisë së Kosovës. Së katërti, organet gjyqësore dhe policore të Mitrovicës dhe të katër komunave të kalojnë në vartësi të shtetit të Kosovës e jo të varen nga Beogradi. Së pesti, financimet për shëndetësinë, arsimin, ndihmat për të paaftët, etje, duhet të vijnë nëpërmjet shtetit të Kosovës dhe jo direkt nga Beogradi, siç ndodh sot. Këto janë disa nga çështjet që bëjnë të mundur zgjidhjen e problemit të Veriut të Kosovës dhe më kryesore është përshpejtimi nga ana e BE-së e dhënies të së drejtës qytetarëve të Kosovës të lëvizin pa viza, që edhe minoriteti serb në Veri të pajiset me dokumentet e shtetit të Kosovës. Në se pesë vendet anëtare të BE-së që akoma nuk e kanë njohur Kosovën, nuk e njohin edhe pse vendosi heqjen e mbikëqyrjes, grupi Ndërkombëtar i Mbikëqyrjes, dhe bisedimet mes Kosovës e Serbisë po ngrihen në nivel të lartë, atëherë BE do ta ketë të vështirë të mbajë pozicion të drejtë e neutraliteti në njërin e tjetrin krah dhe Nikoliçët do marrin gjithnjë zemër për kërkesa të tilla. Në se nuk zgjidhjen këto dhe nëse nuk ka angazhim më të madh të BE-së ndaj Kosovës, Nikoliç dhe Nikoliç të tjerë që do vijnë pas tij do përpiqen ta mbajnë Veriun e Kosovës si konflikt i ngrirë, që herë pas here tensionohet në funksion të interesave që ka Beogradi dhe Rusia. Midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë bisedime të tjera politike, siç dëgjojmë shpesh. Këto janë teknikë dhe do mbeten të tillë deri në fund. Në se Serbia ka vullnetin e mirë dhe do të integrohet në Be dhe jo të shkojë herë me Rusinë e herë me BE-në, atëherë duhet të bashkojë forcat me Kosovën dhe BE-në, me ndihmën e SHBA-së të japin kontribut për krijimin e një klime të pranueshme për të gjitha minoritetet kudo që ndodhen. Kjo do kontribuonte për një kthesë të madhe në Ballkan, do hapte perspektiva të mëdha bashkëpunimi e zhvillimi ekonomik për të gjithë popujt që jetojnë e duhet të jetojnë në paqe, siguri, mirëkuptim, fqinjësi të mirë e në bashkëpunim prosperiteti. Ky synim i integrimit në BE duhet të jetë hap historik me kontributin e të gjithëve që jetojnë në Ballkan.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›