E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi i Malit Hiei/Ati i Shenjtë inkurajon impenjimin e krerëve fetarë për paqen

05-08-2012 / Gazeta 55

“Impenjimi i krerëve fetarë për çështjen e paqes është me rëndësi të jashtëzakonshmë” në shoqërinë aktuale: kështu shkruan Papa Benedikti XVI në mesazhin për të nderuarin Kojun Handa, me rastin e 25-vjetorit të takimit ndërfetar të lutjes në Hieizan, në Malin Hiei, pranë Kiotos. Në këtë vend të Japonisë ngrihet manastiri budist tendai. Mesazhi u lexua dje paradite nga Sekretari i nderit i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Pier Luigji Çelata, që këto ditë, ndodhet për vizitë në Japoni. Ati i Shenjtë përmend faktin se takimi i Hieizanit, i përvitshëm tashmë, organizohet sipas frymës së takimit të Asizit në Itali, promovuar që më 1986 nga Papa i lum, Gjon Pali II. Edhe këtu, krerët fetarë kanë organizuar një simpozium për të diskutuar mbi përgjigjen që mund t’u japin fatkeqësive natyrore, me anë të solidaritetit dhe të ndihmës së ndërsjelltë. “Sipas perspektivës së krishterë – vazhdon mesazhi i Benediktit XVI – dashuria, që u dhurohet nevojtarëve, është pasqyrim i dashurisë së Zotit, i cili e ka dashur aq shumë botën, sa të dërgojë Birin e Tij të vetëm, Jezu Krishtin”. Papa përmend tërmetin dhe tsunamin, që goditën vitin e kaluar Japoninë, duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm të krerëve fetarë për të ndihmuar të dëmtuarit e për t’u dhënë atyre shpresë të re. Kjo tregon, përfundon Benedikti XVI, se njerëz me bindje të ndryshme mund të bashkëpunojnë ndërmjet tyre për të mirën e njerëzimit.
Papa falënderon Kalorësit e Kolombos për mbrojtjen e lirisë fetare/“Në një epokë, kur synohet të ripërcaktohet e të kufizohet ushtrimi i së drejtës për liri fetare, Kalorësit e Kolombos vijojnë, pa u lodhur, punën, duke e ndihmuar bashkësinë katolike t’i njohë e t’i zgjidhë problemet e reja, të pashembullta, që vënë në rrezik lirinë e Kishës dhe dëshminë morale publike”. Këtë pohon Papa në një mesazh drejtuar, përmes sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, Kalorësve të Kolombos, me rastin e kuvëndimit të tyre vjetor, që do të mbahet nga 7 deri më 9 gusht, në Kaliforni. Në mesazhin drejtuar Carl Anderson, kryekalorës i Kalorësve të Kolombos, Papa nënvizon: “Duke mbrojtur të drejtat e të gjithë besimtarëve, si qytetarë të veçantë e edhe në institucione, për të punuar me përgjegjësi në ndërtimin e një shoqërie demokratike, të frymëzuar nga feja, vlerat e aspiratat, Urdhëri juaj mbron krenarisht parimet patriotike e fetare, që janë në themelet e tij”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›