E Diel, 1 Nëntor 2026

A do tia kthejë Edi Rama detin e vjedhur Shqipërisë?

tik-kelmendiRama, me mandatin e tij të parë si kryebashkiak, ia doli që Tiranës tia kthejë lumin dhe gjelbërimin e vjedhur nga ndërtimet. E ka shansin ta bëjë të njëjtën me bregdetin e Shqipërisë si kryeministër në ardhje. A do tia dalë ti rrënojë ndërtimet kaotike dhe të ndërtojë një rrugë buzë detit, siç e kanë të gjitha shtetet e tjera adriatike? I vjen në formë të sfidës kryeministrore: të jesh apo të mos jesh!

Nga Adriatik Kelmendi*

EDI RAMA E KA bërë një herë dhe i është ofruar shansi ta përsërisë vetveten. Atë që ka treguar me mandatin e parë si kryebashkiak i Tiranës e ka në dorë ta tregojë edhe si kryeministër i Shqipërisë.

Dhe çështë e vërteta, për atë që bëri në mandatin e parë me Tiranën meritat nuk ia kanë hëngër as kundërshtarët e tij më të mëdhenj politikë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën e Lulzim Bashën. Të gjithë ia kanë zgjatur dorën për pastrimin e qendrës së kryeqytetit shqiptar nga godinat e shumta pa leje dhe kthimin e një pamjeje dinjitoze Tiranës.

Tirana e viteve 90, ndonëse kishte pasur gjelbërim e lumë, i kishte humbur ato dhe Rama duke qenë i pakompromis ia ktheu edhe gjelbërimin e edhe lumin. Shqipëria e viteve të fundit, ndonëse ka bregdet e det, i ka humbur ato dhe do të varet nga Rama se a do ti rikthehen.

Ndërtimet e çoroditura, shpesh pa leje e edhe më shpesh pa asnjë kriter urbanistik e estetik, bashkë me mungesën e rrugëve të mira përgjatë bregdetit, kanë bërë që njerëzit ta kenë të vështirë ti shohin ato që do të duhej të ishin bukuri detare.

Tash Rama, pra, mbetet të dëshmojë se mund të kthehet në atë Ramën e mandatit të parë të kryebashkisë, i pandikueshëm nga interesat grupore, bizneset, aleancat politike e të tjera, për të cilat jo rrallë u kritikua në mandatet pasuese.

A do ta ketë fuqinë ta bëjë? Besoj se i vjen në formë të sfidës kryeministrore: të jesh apo të mos jesh!

E KA FILLUAR me fjalë të mëdha ende pa u ulur zyrtarisht në karrigen e të parit të Qeverisë së Shqipërisë.  Në një takim me krerët e Bashkive të zonave bregdetare, Rama ka kërkuar që të ndalet hovi i ndërtimeve pa leje atje, i cili, sipas tij, po shfrytëzon vakumin institucional deri më ndërrimin formal të udhëheqësve të qeverive.

Mirëpo, sigurisht se vetëm ndalja e ndërtimeve në proces, nuk do të mjaftojë. Pa rrënime të shumë godinave që kanë ngulfatur brigjet detare të Shqipërisë, nuk do të arrihet asgjë.

Bregu i detit të Shqipërisë sot ka filluar të marrë kritika gjithnjë e më të mira në gazeta e revista prestigjioze ndërkombëtare, por vetëm kur flitet për bukuritë e virgjëra natyrore. Kurse, tek bëhet fjalë për infrastrukturën, me keqardhje lehtësisht mund të konstatohet se bëhet fjalë për bregdetin më kaotik në të gjithë Evropën.

Thjeshtë, nuk ka edhe ndonjë vend në kontinentin e vjetër, i cili ka pasur fatin që të kufizohet me ujëra detare ose oqeanike, që të ketë një kaos të atillë ndërtimesh përgjatë vijës së detit, siç e ka Shqipëria.

A do të vazhdojë të mbetet kështu e ndoshta të katandiset edhe më keq, apo do të ia delet që bukuria natyrore bregdetare të barasvlerësohet me bukuri të ndërtuara nga dora e njeriut?

Sali Berisha nuk e ndaloi dot. A do ta bëjë Edi Rama?

SALI BERISHA MEGJITHATË ia ka dalë që të lë diçka të mirë sa i përket infrastrukturës. Pavarësisht polemikave lidhur me çmimin dhe cilësinë e punimeve, shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë gjithnjë do ta kujtojnë se në kohën e tij u ndërtuan rrugë të rëndësishme, përfshirë këtu edhe atë më madhoren Rrugën e Kombit drejt Kosovës.

Por, Berisha, siç konstatohet me lehtësi, se ka përsëritur të njëjtën me bregdetin.

Shqipëria, po ashtu, është vendi i vetëm që kufizohet me Detin Adriatik (e më poshtë me atë Jon), e i cili nuk ka një rrugë magjistrale, ose çfarëdo, që përshkohet buzë vijës së detit. Filluar nga jugu i Italisë e deri te veriu i saj, duke vazhduar pastaj tatëpjetë me Slloveninë, Kroacinë e Malin e Zi, që të gjitha këto shtete kanë vijë të pandërprerë rrugore nga e cila secili udhëtar ka mundësi që të kënaqet me bukuritë magjepsëse të një prej deteve më të njohura në botë, atij Adriatik. Vetëm me të arritur në afërsi të Shqipërisë, sipas një logjike që ska se si shpjegohet me arsye të shëndoshë, rruga e braktis bregun e detit dhe i qepet fushave e kodrave gjarpërore, si të ishte vizatuar nga ndonjë i çmendur që ka inat bukuritë e detit.

Siç mund ta verifikojë gjithsecili me një kërkim të shpejtë edhe në Google Earth, Plazhi i Madh i Ulqinit, që shtrihet deri në vijën kufitare Mal i Zi-Shqipëri, është vetëm 6-7 minuta larg Velipojës, në qoftë se do të ishte e ndërtuar një rrugë krejt standarde automobilistike aty. Mirëpo, sot, një udhëtari që niset nga Ulqini i duhet të bëjë rreth një orë e njëzet minuta rrugëtim me mjete transporti rrugor për të arritur në Velipojë.

Së këndejmi, një udhëtari jo fort të informuar me gjeografinë e Ballkanit Jugor, e i cili ka rrugëtuar përgjatë detit që nga Italia e poshtë, fare lehtë mund ti krijohet përshtypja e gabuar se bregdeti i Adriatikut përfundon në Mal të Zi dhe se nga aty ose duhet vazhduar në rrugë kontinentale, ose do kthyer mbrapshtë. Kjo sigurisht se ka qenë një e vërtetë përgjatë pjesës më të madhe të Shekullit XX, kur Shqipëria komuniste ishte e bunkerizuar, por pse të vazhdojë të jetë pak a shumë ngjashëm edhe mbi 20 vjet pas rënies së komunizmit, vetëm për shkak të mungesës së rrugës?

Plus, që një rrugë e mirë që do ta afronte Ulqinin më afër me bregdetin e Shqipërisë, do të kishte edhe përfitim politik e praktik për shqiptarët ulqinakë, natyrshëm duke i integruar në hapësirën etnike të përbashkët, pavarësisht se të ndarë me kufi shtetëror.

Por, mbi të gjitha, rruga e Adriatikut e Jonit, që do të vazhdohej nëpër Shqipëri, do të bënte që përfundimisht bregdeti shqiptar të ishte pjesë e pandashme e ofertës së gjerë turistike të shteteve bregdetare të Evropës Jugore.

NËSE RAMA DO QË në legatën e tij si kryeministër i Shqipërisë ta ketë një vepër me garanci që sdo të harrohet për shumë breza që vijnë, fati ia ka sjellë një rast të artë tia kthejë detin Shqipërisë.

Me rrënimet kaotike përgjatë bregdetit dhe vendosjen e rregullit ndërtimor, dhe me ndërtimin e rrugës bregdetare Adriatik-Jon, nga Mali i Zi e deri në Greqi, Shqipërisë do të mund ti kthehej deti që i është vjedhur dhe shumë më tepër.

*KOHA DITORE

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›