E Hënë, 2 Nëntor 2026

A duhen bërë vaksinat e gripit? Përgjigjet Alimehmeti në Quo Vadis

“Virusi i ri, a rrezikojmë izolimin?” Kjo ishte tema e kësaj të enjte në Quo Vadis në Vizion Plus nën moderimin e Pranvera Borakajt.

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti tha se ky virus është i njëjtë me gripin si dhe nuk është virus i ri.

Sa i përket vaksinave të gripit, mjeku tha se duhen bërë, pasi personat janë më të mbrojtur, teksa shtoi se përjashtim duhet të bëjnë personat që kanë reaksione alergjike.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Çfarë kujdesi duhet të kenë nënat në raport me fëmijët nën moshë, por edhe fëmijët për të moshuarit?

Alimehmeti: Kalkulimet tregojnë që pothuajse të gjithë fëmijët hyjnë në kontakt për herë të parë me virusin, gjë që ka tendencën të jetë më e fortë. Ky “koktej” virusesh kalon vit pas viti. Nuk është se e merr një herë dhe nuk sëmuresh më për gjithë jetën, nuk është ky rasti. Simptomat bëhen gjithmonë e më të lehta me kalimin e kohës, ndërsa rënia e imunitetit lidhet më shumë me moshën. Gjyshja thotë: “Rri brenda, mbulohu, pi çaj, mos tako njerëz që mund të të ngjisin virusin, po u djersite do ndihesh më mirë.” Një paracetamol për qetësim është i dobishëm dhe i jep kohë sistemit imunitar që të mundë virusin. Ky virus është njësoj si gripi. Ne në Shqipëri kemi ende një ndjeshmëri të ulët ndaj faktit që edhe gripi mund të jetë fatal. Në SHBA, për shembull, bazuar në një publikim për sezonin e kaluar, ka pasur 38 mijë humbje jete nga gripi.

Selmani: Ata që bëjnë vaksina janë më të rrezikuar apo më të mbrojtur? Duhet apo jo të bëhen vaksinat?

Alimehmeti: Janë më të mbrojtur, patjetër që po, ndaj bëhen vaksinat. Gripi mund të shkaktojë shtrime në spital dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete. Amerika i numëron këto raste dhe i bën publike, ndërsa ne në Shqipëri nuk i publikojmë. Këto shifra janë të nevojshme për të ndërgjegjësuar njerëzit, duke shmangur panikun. Çdo janar thuhet “grip si ky nuk kemi parë,” por edhe vitet e kaluara të njëjtën gjë kemi thënë.

Borakaj: Cili është target-grupi që duhet të përjashtohet nga vaksinat e gripit?

Alimehmeti: Patjetër që ka një grup përjashtimesh. Kush ka reaksione alergjike ndaj përbërësve të vaksinës nuk duhet ta bëjë. Një këshillë e madhe është që, vetëm pse ke temperaturë, mos shko menjëherë në urgjencë, sepse aty qarkullojnë shumë sëmundje. Mund të hysh me një problem dhe të dalësh me një tjetër. Qëndro në shtëpi; zakonisht gripi zgjat 4-5 ditë. Nëse simptomat përkeqësohen, kontakto patjetër me mjekun, i cili të udhëzon se çfarë ilaçesh të marrësh ose nëse duhet të drejtohesh në spital. /vizionplus.tv

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›