E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e dini ç’është ‘Ding Zui’

Me kalimin e kohës duket se pasanikët kinezë kanë krijuar një sistem, përmes të cilit mund t’i shmangen shumëçkaje, madje edhe burgut. Natyrisht, nëse janë të gatshëm që të paguajnë majmë për një gjë të tillë. Në të vërtetë, ka kohë që kinezët angazhojnë dublues, të cilët në shkëmbim të parave i vuajnë dënimet e tyre me burg.

Gu Kailai, kinezja që para kohësh u dënua me burg, për shkak të vrasjes së biznesmenit britanik, Neila Heywood, sipas shkrimeve në rrjetet sociale, tashmë ka angazhuar një dubluese që do të vuajë burgun në vend të saj.

Kinezët e pasur dhe të fuqishëm shpesh angazhojnë dublues, të cilën i vuajnë dënimet me burg në vend të tyre, shkruan portali Oddity Central. Pra, nëse keni menduar se vetëm pasanikët në vendet tuaja janë të korruptuar, rimendojeni edhe një herë këtë gjë.

Në vend që të humbin kohën e tyre të shtrenjtë prapa grilave, kinezët e pasur i paguajnë dubluesit e tyre për një gjë të tillë. Këta të fundit, pas marrjes së një shume të negociuar parash, e zënë vendin e tyre nëpër burgjet kineze. Edhe pse një praktikë e tillë është pjesë e kulturës kineze tash e disa shekuj, kjo dukuri i kthye në qendër të vëmendjes së opinionit kinez në vitin 2009, kur shumë raste të tilla – pra, të vuajtjes së burgut për tjetërkënd – filluan të debatoheshin me të madhe në internet. Një prej rasteve të tilla ishte edhe ai drejtorit të një spitali, i cili kishte shkaktuar një aksident në komunikacion me pasoja fatale, e pastaj kishte paguar – si dublues - babanë e njërit prej të punësuarve në spital, i cili do të qëndronte në burg në vend të tij.

Angazhimet i një dubluesi për vuajtjen e dënimit janë bërë aq të popullarizuara në Kinë, saqë kinezët këtë dukuri tashmë e quajnë “Ding Zui”, që e përthyer në shqip i bie “keqbërës i zëvendësuar”. “Keqbërësit e zëvendësuar” janë për shumë shekuj pjesë e pandashme kulturës kineze, kështu që kjo ishte gjëja e parë që vërehej në sistemin juridik të këtij vendi nga të gjithë perëndimorët që qëndronin në Kinë. Madje, këso lloj zëvendësimesh mund të bëheshin edhe në rastet e dënimeve me vdekje. Për më tepër, disa zyrtarë të Kinës imperiale një praktikë të tillë e konsideronin shumë të efektshme. Sipas këndvështrimit të tyre, një kriminelë i vërtetë detyrohej që, për krimin që e kishte bërë, të paguante një çmim që ia impononte tregu, përderisa dënimi që e vuante dubluesi shpeshherë i frikësonte kriminelët e tjerë.

Mirëpo, ishte rasti i Hu Bin, gjegjësisht i djaloshit të pasur që kishte lënë të vdekur një këmbësor derisa po garonte me veturë nëpër rrugët e qytetit Hangzhou, ai që këtë fenomen sërish e ktheu në qendër të vëmendjes të opinionit kinez. Fotografitë e djaloshit dhe të miqve të tij, duke pirëp duhan, përderisa prisnin që të vinte policia, kishin zemëruar tejmase opinionin kinez, i cili pastaj kishte akuzuar Hu Bin se në gjykatë kishte sjellë dubluesin e tij, i cili ishte dënuar me tre vjet burgim.

Fotografitë e djaloshit nga vendi i krimit, kinezët i krahasonin me ato të djaloshit që ishte paraqitur para gjykatës, duke insistuar se këtu nuk mund të bëhej fjalë për të njëjtin person. Mirëpo, kurrë nuk u vërtetua se Hu Bin kishte angazhuar një dublues për gjykim. Nga ana tjetër, po aq bizar ishte edhe dënimi i tejet i butë - me vetëm tre vjet burgim, duke marrë parasysh se personat e tjerë që kishin shkaktuar aksidente të ngjashme komunikacioni, pothuajse rregullisht ishin dënuar me vdekje.

Edhe Gu Kailai, kinezja që para pak kohësh u dënua me vdekje për vrasjen biznesmenit britanik, Neil Heywood, duket se ka angazhuar një dubluese për të vuajtur dënimin në vend të saj. Edhe këtu mund të ketë diçka të vërtetë, sepse dënimi i saj me vdekje nuk do të ekzekutohet menjëherë. Në fakt, sipas tekstit të aktvendimit, dënimi do të mund të zëvendësohet me burg të përjetshëm (ose më të shkurtër), me kusht që ajo të dëshmojë një sjellje të mirë gjatë vitit të parë të vuajtjes së dënimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›