E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e meritoi Ivo Andric Nobelin

Në vitin 1961, shkrimtari amerikan Robert Frost nuk e mori çmimin Nobel për letërsi për shkak të moshës së tij të shtyrë. I njëjti arsyetim u dha edhe për shkrimtarin anglez EM Forster. Italiani Alberto Moravia u cilësua nga juria e Nobelit si shkrimtar monoton, ndërsa JRR Tolkien si prozator i varfër. Si pasojë e kësaj, çmimi Nobel iu dha shkrimtarit jugosllav Ivo Andric.

Në vitin 1961, kur çmimi Nobel për letërsi iu dha shkrimtarit Ivo Andric, në mesin e pretendentëve për këtë çmim ishin edhe shkrimtarët e njohur Robert Frost, Graham Greene, EM Forster, Alberto Moravia dhe JRR Tolkien.

Por Akademia Suedeze e Nobelit disa prej këtyre shkrimtarëve i kishte eliminuar nga gara për shkak të moshës, ndërsa shkrimtarin italian Alberto Moravia e kishte cilësuar si prozator monoton, kurse shkrimtarin JRR Tolkien, autorin e trilogjisë ‘Lord of the Rings’, si prozator të varfër.

Pesëdhjetë vjet pas dhënies se çmimit Nobel shkrimtarit Ivo Andric, kanë dalë në shesh dokumente të Akademisë Suedeze të Nobelit, të cilat hedhin dritë rreth kësaj përzgjedhjeje.

Në një shkrim të botuar në numrin e së enjtes të së përditshmes britanike The Guardian bëhet e ditur se Akademia Suedeze i mban të fshehta dokumentet në arkiv për pesëdhjetë vjet dhe pas kësaj kohe të interesuarve u mundësohet akses në këto dokumente. Tani janë bërë pesëdhjetë vjet që kur iu dha Nobeli Ivo Andricit dhe dokumentet e asaj kohe kanë dalë në shesh gjatë kësaj jave në bibliotekën e Nobelit në Stockholm.

Gazetari suedez Andreas Ekstrom ka hulumtuar në këto dokumente për të zbuluar se juria e Nobelit ka anashkaluar emra të njohur të letërsisë, me disa sqarime jo edhe aq të natyrshme, për t’ia dhënë çmimin Nobel shkrimtarit jugosllav Ivo Andric.

“Derisa Andric u lavdërua për ‘forcën epike me të cilën ai ka gjurmuar tema dhe ka përshkruar fatet njerëzore të nxjerra nga historia e vendit të tij’, shkrimtarët tjerë kanë marrë shënime të shkurtra nga komiteti i Nobelit”, shkruan Ekstrom në gazetën suedeze Sydsvenska.

Proza e Tolkien – i cili ishte nominuar nga miku i tij dhe shkrimtari i letërsisë fantastike CS Lewis – ‘nuk është në lartësinë e duhur të rrëfimtarisë së cilësisë së lartë’, ka shkruar anëtari i jurisë Anders Osterling. Shkrimtari amerikan Robert Frost, në anën tjetër, ishte anashkaluar për shkak të ‘moshës së tij të shtyrë’ – në atë kohë ai ka qenë 86 vjeçar. Për jurinë e Nobelit mosha e poetit amerikan ishte ‘pengesa kryesore për ta fituar çmimin Nobel për letërsi. Edhe shkrimtari anglez EM Forster ishte përjashtuar për shkak të moshës së tij – ishte 82 vjeçar - faktor ky që më nuk merret parasysh nga juria, e cila në vitin 2007 ia dha Nobelin shkrimtares 87 vjeçare Doris Lessing.

Shkrimtari britanik Lawrence Durrell, sipas jurisë së Nobelit, ‘jep një shije të dyshimtë... për shkak të preokupimeve të tij monomaniake me komplikime erotike’, derisa romancieri italian Alberto Moravia ‘vuan nga monotonia e përgjithshme’.

Graham Greene, i cili kurrë nuk e fitoi Nobelin, ishte i dyti për ta fituar atë në vitin 1961, me shkrimtaren daneze Karen Blixen, autoren e librit ‘Out of Africa’, e cila ishte e treta.

“E kam bërë këtë si një lloj tradite personale dhe gazetareske gjatë pesë viteve të kaluara dhe kjo ishte hera e parë që e kam parë emrin e shkrimtarit JRR Tolkien në mesin e kandidatëve të sugjeruar”, shkruan gazetari Ekstrom.

“Sot, janë zakonisht rreth 300 sugjerime për çdo vit, ndryshe nga atëherë kur silleshin emrat e rreth 50 personave. Jo gjithkush mund të sugjeroj një kandidat. Akademia Suedeze i fton disa akademikë, fitues të mëhershëm të Nobelit dhe përfaqësues tjerë institucional për ta nominuar një kandidat dhe natyrisht edhe vet Akademia Suedeze mund të bëjë nominime.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›