E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është thikë kjo që kam përpara?

Disa mendime për tekstet e letërsisë dhe gjuhës në gjimnaze. Përpjekjet për t'i paraqitur ato si një simbiozë gjuhë-letërsie janë të dështuara dhe vetëm fasadë. Në asnjë nga librat, prej vitit 1 deri në vitin 4, trajtimi i disiplinës së gjuhës nuk shkon përtej nivelit të tetëvjeçares


Është hapur një debat kohët e fundit lidhur me vendin e lëndës së letërsisë në tekstet e ardhshme të gjimnazit. Debati ka kohë që zjen mes palëve drejtpërdrejt të interesuara: Ministrisë së Arsimit dhe organizmave pranë saj më njërën anë dhe hartuesve të teksteve të deritashëm apo katedrave të letërsisë në anën tjetër, vetëm se ditët e fundit ai është bërë edhe më shumë publik nëpërmjet emisioneve televizive.


Në një letër të hapur drejtuar instancave më të larta të shtetit Agron Tufa, shkrimtar dhe pedagog i letërsisë së huaj në UT, i bie kambanës së një funerali, siç thotë ai, që po i bëhet lëndës së Letërsisë, duke theksuar se Ministria e Arsimit ka vendosur ta zhdukë këtë lëndë nga tekstet e gjimnazit.


Nga debati televiziv i javës së shkuar mësuam që anëtarët e Institutit të Kurrikulës pranë MASH në vizionin e tyre (kjo është fjala që përdorin më me qejf) nuk duan aspak ta likuidojnë lëndën e letërsisë, por duan të bëjnë të detyrueshëm një tekst që i jep nxënësit kulturën e domosdoshme letrare-gjuhësore, pra një tekst praktik si njëfarë stilistike ose retorike. Ndërsa letërsia e mirëfilltë do të jetë, si shumë të tjera në të ardhmen, lëndë me zgjedhje.


Ne nuk e kemi në dorë tekstin e projektuar, apo vizionin e ri, bartësve do t'u thoshim vetëm që të ruhen pak nga vizionet, gjithmonë duke kujtuar shprehjen e famshme të ish-kancelarit gjerman Helmut Schmidt: "Njerëzit që kanë vizione duhet të kontrollohen te doktori".


Pra një gjë është e sigurt: në këto fusha nuk mund të flitet aspak për vizione. Gjuha dhe letërsia, bashkë me dijet që lidhen me to, bëjnë pjesë në aktivitetet më të moçme të njeriut. Ato janë lavruar nga një sërë mendjesh të ndritura, radha e të cilëve është kaq e gjatë sa nuk po përmendim këtu asnjërin. E pra duhet ruajtur edhe nga pretencioziteti që, në këtë cep të rrazbitur të kontinentit, ne qenkemi në gjendje të shpikim një metodikë të re për t'ua mësuar gjimnazistëve letërsinë dhe gjuhën.


Pa hyrë mes debatit që kryhet, si shumë debate të tjera te ne, me një virulencë dhe urrejtje të pazakontë, duke mos njohur ndër të tjera as motivet jashtëlëndësore që i shtyjnë debatuesit, le të më lejohen disa konstatime për atë që ndodh me gjuhën dhe letërsinë në tekstet tona nga pozicioni i një qytetari që i ka dashur vazhdimisht këto dy fusha dhe si prind që ndjek zhvillimin e fëmijëve të tij në to.


Jemi dëshmitarë që prej periudhës së fundit të diktaturës, dmth. viteve 80 dhe deri sot se mësimdhënia e gjuhës dhe e letërsisë ka pësuar ndryshime që kalojnë deri në ekstreme. Duhet thënë se ndryshimet më të mëdha i ka njohur mësimdhënia e letërsisë. Gjuha ka mbetur aty ku ka qenë, pra në nivelin e një arsimi tetëvjeçar.


Prej kohës kur, nuk i dimë arsyet pse, mësimi i gjuhës nuk u quajt i vlefshëm për mendjet e nxënësve të moshës së gjimnazit, njohuritë bazë mbetën po ato: kryefjala, kallzuesi, kundrinat, kundrinorët dhe përcaktorët. Zhvillimi ose moszhvillimi i gjuhës në shkolla iu përgjigj stanjacionit të gjuhësisë në përgjithësi tek ne. Ndërkohë që te nxënësi që kalon në gjimnaz njohuritë për matematikën, për fizikën, për kiminë, për biologjinë etj. rriten nga viti në vit, për gjuhën dhe gjuhësinë u pa me vend që këto të mbeten në vend.


Nuk hyri në shkolla asnjë dituri që kishte të bënte me strukturalizmin, me semiotikën, ose qoftë dhe si thellim në albanologji, me historinë e gjuhës shqipe, me dialektologjinë e saj, me balkanologjinë etj. Jointeresante, me sa duket sipas parimit: interesante janë vetëm shkencat informatike dhe ekonomike, ato që mund të japin bukë drejtpërdrejt.


Njohuritë për gjuhën amtare nuk e kanë këtë veti, ato nuk hapin vende pune dhe as nuk kërkohen nga punëdhënësit e sotëm. Kjo bën që albanologjia dhe gjuha shqipe të mos ngjallë asnjë interes as te universitetet e shumta private që janë hapur ndërkohë, kjo bën që një fushë e tillë kaq e pasur dhe kaq e rëndësishme për kulturën dhe identitetin tonë të mbetet kompentencë e një grupi të vogël njerëzish që e shumta mund të quhet klub.


Përpjekjet për t'i paraqitur tekstet aktuale të gjimnazit si një simbiozë gjuhë-letërsie për mendimin tim janë të dështuara dhe vetëm fasadë. Në asnjë nga librat që kam në dorë, prej vitit 1 deri në vitin 4, trajtimi i disiplinës së gjuhës nuk shkon përtej nivelit të tetëvjeçares (sot nëntëvjeçares) dhe nuk i përgjigjet aspak nivelit të ngritur të dijeve që asimilohet në fusha të tjera si matematikë, kimi, fizikë etj. Në rastin më të mirë (kështu p.sh. në tekstin "Letërsia dhe gjuha 2") njohuritë gjuhësore të paraqitura janë përsëritje dhe përmbledhje e njohurive të fituara në tekstet e mëparshme.


Arsyet janë disa, kryesoret dy: më njërën anë nuk kemi profesionistët e duhur që do t'u shpjegonin nxënësve p.sh. historinë e gjuhës shqipe, së paku asaj të shkruarës, ose historinë dhe veçantitë e dialekteve të saj, më anën tjetër, dhe kryesorja, nuk ekziston në vendimmarrësit horizonti dhe vetëdija për rëndësinë e kësaj dijeje për formimin e të rinjve shqiptarë.


Të vijmë tani te letërsia: përderisa gjuha është rudimentare dhe anemike në tekstet e gjimnazit padyshim që pjesa e luanit i ka takuar në gjithë këto vite lëndës së letërsisë.


Por ç'të takuar se! Të katër ose të tetë librat (duke mbajtur parasysh tekstet alternative, mund të jenë edhe më shumë) janë të mbushur me autorë, tekste, analiza, komente, fakte, data, tituj. Bie fjala në librin e vitit 2 (shtëpia botuese Albas) vërejta që autorët e trajtuar janë 39: Dante Aligieri, Pjetër Budi, Bajroni, Mahir Domi, Jup Kastrati, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Migjeni, Pol Elyar, Garsia Lorka, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Marin Barleti, Faik Konica, Anton Pashku, Ernest Heminguei etj. etj. Ke ndjesinë sikur futesh në një det të madh, por jo në një det të caktuar po në detin e madh të Botës.


Në tekstin e vitit 3 autorët janë 26, në atë (ose ata) të maturës, përsëri mbi 30. Renditja e autorëve njëri pas tjetrit nuk ndjek ndonjë zhvillim logjik, të themi historik ose botëkuptimor ose nacional a çfarëdo, por thjesht dëshirën për të dhënë sa më shumë nga ajo botë e madhe në këtë botë të vogël që quhet Shqipëri. Stili i përzierjes është ai model i çuditshëm që e kemi parë vitet e fundit në disa revista letrare ku bashkohen në një rrafsh poetët dhe prozatorët më të mëdhenj të rruzullit me disa emra provincialë në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës.


Po të shikosh kapitullin për zhvillimin e dramës në tekstin e letërsisë 2 që u përmend do gjesh pas Eskilit, Aristofanit, Shekspirit, Kornejt, Gëtes, Ibsenit dhe Brehtit, Çajupin dhe Spiro Çomorën, të thuash se gjithë ky zhvillim i dramaturgjisë europiane i arriti kulmet e saj me poetin tonë zagorit në dramën e tij 14 vjeç dhëndër.


Në vitet 50 dhe 60 mësimdhënia e letërsisë u konceptua si përçim i diturive për gjuhën e letërsinë shqipe, pra si një albanologji e thjeshtuar. Tekstet e letërsisë për shkollat e mesme dikur hapeshin me formulën e pagëzimit dhe Mesharin e Buzukut, duke e ndjekur pastaj hap pas hapi e shekull pas shekulli letërsinë tonë deri në pasluftë.


E mira e padiskutueshme e kësaj metodologjie ishte që nxënësi jo vetëm vetëdijësohej për pasurinë kulturore të vendit të tij, por edhe aftësohej të lexonte tekstet e vjetra shqipe, autorët arbëreshë, shkrimtarët e Veriut: të gjithë këta sot janë praktikisht të palexueshëm jo vetëm për nivelin e shkollës së mesme por dhe për atë të Fakultetit Filologjik, siç kam dhe eksperiencën personale.


Më pas librat e gjimnazit u pasuruan edhe me autorë të huaj. Pas revolucionit kulturor, të fundviteve 60 kjo letërsi e huaj u reduktua në këta autorë: Homeri, Shekspiri, Bajroni, Balzaku, Tolstoi, Gorki, Ostrovski. Varfëri e madhe, por për çudi këta autorë mësoheshin, asimiloheshin, ishin jashtëzakonisht të rëndësishëm! Të pakët ishin nxënësit e gjimnazit tonë që të mos dinin përmendësh monologun e Makbethit (A është thikë kjo që kam përpara...) ose Zgalemin e Gorkit.


E pas këtij oazi të vogël por veprues erdhi një pyll tropikal, ku nxënësi humbi orientimin, ndoshta edhe çdo dëshirë për t'u njohur me drurët e veçantë, që janë të mëdhenj e të shumtë pasi e madhe në mos po e pafund është edhe letërsia e mirë e globit.


Kemi mbërritur në një paradoks: Dikur arsimi zyrtar ofronte vetëm një dorë shkrimtarësh, por të rinjtë lexonin shumë (natyrisht lexonin shumë sepse atëherë nuk kishte televizion dhe internet, por edhe pse ata pak autorë ngjallnin etje për më shumë), sot ofrohen shkrimtarë me dhjetëra dhe të rinjtë lexojnë fare pak.


Nuk e di se ç'motive ka patur Ministria e Arsimit dhe grupet e ndryshme të interesuara që prodhuan tekste me kaq shumë autorë, me gjithë ato rryma e metoda. Të kërkosh të përmbledhësh letërsinë botërore bashkë me atë shqiptare në 2-3 tekste është e njëjta gjë si ta përmbledhësh shpirtin njerëzor në 3 vite gjimnazi. Se letërsia vërtet është dije, por njëkohësisht nuk është dije, nuk është shkencë, është një botë po aq e pafund sa ç'është bota që na rrethon plus fantazinë e njeriut.


Në të njëjtën kohë vëmë re se të gjitha tekstet janë të hartuara nga grupe autorësh. Këto grupe rëndom përbëhen nga 5, 6, 7 autorë. Shpesh janë të njëjtët persona që hartojnë nga viti në vit. Rëndom janë emra të padëgjuar në kulturën tonë. Rekordin e arrin teksti "Letërsi dhe gjuhë shqipe 4" (Pegi), që ka plot 12 autorë!


Dikur tekstet e gjuhës ose letërsisë ose stilistikës i bënte një autor i vetëm që quhej Aleksandër Xhuvani ose Justin Rrota ose Dhimitër Shuteriqi etj. Në vendet e gjuhës gjermane b.fj. teksti më i njohur e më i përdorur Letërsisë së re gjermane është ai i kroatit Viktor Zmegac nga Universiteti i Zagrebit.


Një tekst i hartuar nga një autor apo autoritet i vetëm ka koncept, ka harmoni dhe konsekuencë. Kurse gjithë këta emra në tekstet e shkollave tona na kujtojnë proverbin: Shumë kuzhinierë e dreqosin gjellën.
Nuk duam të themi vetëm që janë interesat materiale ato që pjellin tekste me shumë autorë dhe me shumë shkrimtarë.


Mund të jenë edhe thjesht shije personale, dmth. aksh studiues ka rastin që të futë në tekst preferencat e tij letrare dhe e bën këtë gjë pa ngurrim, pa u interesuar shumë se si do të reagojnë të rinjtë sot ndaj kësaj oferte. Reagimi më i zakonshëm është, me sa duket, me sa kuptohet në fitoret e vazhdueshme që korr televizioni, interneti, chat-i, facebook-u mbi letërsinë një dhe vetëm një: indiferenca.


Për t'i mbyllur këto shtjellime ja disa pak konkluzione që ndoshta mund t'u vlejnë hartuesve të reformave dhe teksteve të ardhshme:


- Lënda e letërsisë dhe ajo e gjuhës janë disiplina krejt të ndryshme, sidomos për moshat e gjimnazit, ku ndarja e tyre duhet të jetë po aq e qartë sa dhe ndarja e fizikës nga kimia, e psikologjisë nga filozofia e kështu me radhë.


- Stilistika mund të jetë lëndë e veçantë, por ajo nuk zëvendëson dot as gjuhën dhe as letërsinë.
- Nëse duam t'u japim nxënësve njohuri kyçe për zhvillimin e letërsisë botërore, këtë mund ta bëjmë vetëm duke trajtuar disa pak autorë të rëndësishëm (6-7 çdo vit, jo më shumë) dhe disa pak rryma të rëndësishme (3-4 çdo vit, jo më shumë).


- Historia e letërsisë shqipe është një lëndë e veçantë, ajo duhet t'u kthehet shkollave sërish. E bashkuar me njohuritë për zhvillimin e gjuhës shqipe ajo do t'u jepte të rinjve një themel të pazëvendësueshëm për kulturën e gjuhës së tyre të shkruar e të folur.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›