E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti për asgjësimin e arsenalit sovjeto- kinez

Brenda vitit 2013 duhet të asgjësohen të gjitha armët e vjetra. Ushtarakët: Për 11 vjet asgjësuam 90 mijë tonë municione


Një projekt i ri i qeverisë së Tiranës synon të përfundojë në vitin 2013 asgjësimin e gjithë arsenalit gjigant të municioneve stok sovjeto- kineze nga koha e diktaturës komuniste. Projekti synon të shmangë në kohë rrezikun potencial të shpërthimit të tyre, për banorët e zonave pranë depove, ku këto municione ndodhen. Shifrat zyrtare flasin për 184 mijë ton municione stok sovjeto- kineze të trashëguara nga regjimi komunist .


Shqipëria u bë një vend i armatosur deri në dhëmbë për t' u mbrojtur ndaj armiqve imagjinarë që sajonte paranoja e nomenklaturës komuniste. Arsenali gjigant i armëve nuk u përdor kurrë. Ai u shndërrua në një rrezik potencial për popullatën për shkak të rënies së parametrave të sigurisë nga shpërthimi në depo ku qëndronte prej 50 vitesh.


Procesi i asgjësimit të tij filloi në vitin 1999 si plotësim i një prej kushteve të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë demokratike në NATO dhe shmangies së rrezikut potencial për popullsinë nga shpërthimi i tyre.


Në harkun kohor të 11 viteve janë asgjësuar rreth 90 mijë ton municione pa përfshirë këtu minat, silurët detarë dhe predhat për avionët luftarakë MIG. Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi, në komandën e Brigadës së Logjistikës, që drejton projektin e ri të qeverisë flet për qëllimin e tij:"Asgjësimin e gjithë municioneve të tepërta deri në vitin 2013 dhe reduktimin e depove të municionit në afërsi të komunitetit me qëllim rritjen e shkallës së sigurisë në vend dhe në rajon." thotë ai.


Zbatimi i projektit realizohet përmes Qendrës së Asgjësimit të Municioneve, në periferi të Tiranës, që varet nga Brigada e Logjistikës. Komandanti i kësaj qendre, Nënkolonel Shkëlzen Mhilli tregon se asgjësimi bëhet në Uzinat ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, në Poliçan, Gramsh dhe Elbasan ku makineri moderne bëjnë të mundur asgjësimin e fishekëve, predhave dhe mortajave.


Por asgjësimi bëhet edhe në mënyrë mekanike, me shpërthim , në tetë poligone, të miratuara me vendim të posaçëm të Parlamentit. "Kjo strukturë u krijua me asistencën të ekspertëve më të mirë të NATO-s.


Në fillim u ndërhy në zonat ku ishin shpërthyer depot e armëve nga trazirat e vitit 1997. U pastrua një sipërfaqe e infektuar prej 157 hektarësh me municione të kalibrave të ndryshëm, në mënyrë që jeta e popullsisë në ato zona të ishte jashtë rrezikut dhe të vazhdonte rrjedhën normale," thotë Nënkolonel Shkëlzen Mhilli.


Asgjësimi i municioneve mbart me vete rrezik për jetën e atyre që e realizojnë atë. Gjenerali Xhemal Gjunkshi i cilëson ata heronj. Por strukturat e specializuara të Ministrisë së Mbrojtjes nuk janë vetëm në detyrën e tyre të vështirë.


"Kemi mbështetjen e vendeve anëtare, partnere të NATO-s si SHBA, Italia, Holanda dhe vende të tjera që kanë sjellë pajisje, kanë bërë stërvitjen e personelit ushtarak vendas për të kryer larg rrezikut për jetën asgjësimin e municioneve të tepërta. Kontribut ka dhënë edhe OSBE- ja për pajisjet që ajo ka sjellë për këtë qëllim."
Anëtarësimi vitin e kaluar i Shqipërisë në NATO ka sjellë objektiva të tjera për Qendrën e Asgjësimi të Municioneve.


Ajo duhet të menaxhojë jo vetëm asgjësimin e tonelatave të fundit nga stoku i municioneve sovjeto- kineze por edhe të gjitha municionet, që Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s nuk i hyjnë më në punë. Pas tre vitesh Shqipëria dikur e armatosur deri në dhëmbë do të jetë një vend i demilitarizuar, i sigurt për jetën e banorëve të saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›