A i lejohet Gjermanisë të fitojë?

Sa te jem gjalle
Ethet e përplasjes mes Italisë dhe Gjermanisë kanë kapluar shumëkënd në Shqipëri, por në Gjermani debati po zhvillohet pak më ndryshe. Disa përfaqësues të partive të vogla si Të Gjelbrit dhe Të Majtët kërkojnë që të bëhet kujdes, për të mos treguar nacionalizmin gjerman. Ata kërkojnë që të ulen tonet sa më shumë të jetë e mundur përpara këtyre përplasjeve.
Në studiot televizive diskutohet pikërisht se a duhet të jenë gjermanët nacionalistë apo jo në këtë Europian.
Kurse Der Spiegel ngre pyetjen se a i lejohet Gjermanisë që të fitojë këtë Europian. Duke mundur Greqinë, Italinë e më pas Spanjën, vendi do tregonte një dominancë në futboll. Dhe të mos harrojmë se po mund tre vendet më problematike sa i përket ekonomisë. Pamjet e njerëzve që djegin flamurin gjerman janë bërë normale në disa vende, ndaj gjithë kjo urrejtje mund të shumëfishohet. Spiegel tenton të ulë tonet kur shkruan se në fakt gjermanët kanë një nam të mirë jashtë vendit. Ata nuk harrojnë të shkruajnë se janë pikërisht të huajt që po i kërkojnë Gjermanisë të marrë rolin e liderit për të shpëtuar eurozonën. Por fabula nuk është kaq e thjeshtë. E përditshmja gjermane Die Welt theu një tabu para pak ditësh kur tha se situata në Europë është e tillë si në vitet 30 të shekullit të shkuar, kur Gjermania prodhoi një monstër si Hitleri. Kancelaria gjermane tashmë është nën akuzë jo vetëm nga mediat e huaja, që e kanë kryqëzuar jo pak herë, por edhe nga mediat gjermane, që janë kapur fort pas një deklarate të çuditshme të saj se nuk do të lejojë eurobonot sa të jetë gjallë.
I përzier me politikën futbolli po bëhet ndoshta pak i shëmtuar, por po na tregon edhe njëherë se sa thellë i ka rrënjët kjo krizë.