E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tallja e Ristanit, referendumi kundër importit të plehrave do bëhet pas nja dy vitesh

Share

Ristani, i udhëzuar nga Njazi Kosovrasti, shmang një referendum që do ishte një goditje për këtë mazhorancë përpara zgjedhjeve të përgjithshme, duke e shtyrë në kalendat greke

Anëtarët e shoqërisë civile kishin shpresë se Arben Ristani do u jepte një referendum kundër importit të plehrave. Por siç është bërë tashmë zakon, Ristani u ka dhënë referendumin, por me një kleçkë nga pas. Në fakt kleçka nuk është aq e vogël pasi ajo rrezikon që referendumi të mos bëhet.

Në ligj theksohet se pasi KQZ vendos për referendumin, kjo çështje shkon në Gjykatë Kushtetuese. Pikërisht këtu ka lindur edhe problemi. KQZ ka vendosur që ta dërgojë çështjen e referendumit në Kushtetuese vitin tjetër, më 3 janar. Ishte pikërisht Njazi Kosovrasti, përfaqësues i PD në KQZ, që bëri një kërkesë të tillë. Dhe ajo u pranua nga Ristani.

Por sipas ligjit mbajtja e një referendumi nuk mund të bëhet 6 muaj para zgjedhjeve dhe tre muaj pas tyre. Pas dorëzimit të vendimit të KQZ, Gjykata Kushtetuese ka 2 muaj kohë për vendimmarrjen e saj e pas kësaj 45 ditë i takojnë dekretit të Presidentit. Nëse përgjigja është pozitive, është KQZ që kërkon nga 1-3 muaj kohe përgatitje për referendum duke e shtyrë praktikisht atë dy vite më vonë.

Pas marrjes së vendimit nga KQZ, drejtuesit e Aleancës kundër Importit të Plehrave e cilësuan procesin një farse.

Përfaqësuesi i Aleancës, Lavdosh Ferruni, ka deklaruar se KQZ ka vendosur jashtë interesave të vendit. KQZ me këtë vendim mban në sirtar referendumin deri në vitin 2013. Por në këtë kohë nuk mund të zhvillohet për shkak të zgjedhjeve, tha ai, duke shtuar se Aleanca do të dalë brenda pak ditëve me të tjera alternativa.

Edhe më herët në mbledhjen e KQZ, përfaqësuesi i grupit nismëtar të AKIP ka theksuar se me deklaratat për firmat e falsifikuara është manipuluar publiku. Ai ka kërkuar nga KQZ-ja të marrë në konsideratë 50 mijë firmat e mbledhura e që janë konstatuar që janë të vlefshme për të miratuar me konsensus nismën për referendum nismën referendare si shprehje e vërtetë e demokracisë popullore.

Ne nuk e pritëm mirë shtyrjen e takimit për sot. Sot jemi përsëri këtu për bindjen se do merret në konsideratë kërkesa jonë për referendum. Insistojmë se kërkesa është dhënë në kohën e duhur, më 13 mars dhe e certifikuar nga ju. Ne kërkojmë që të ndiqet linja e djeshme ku u shpreh qartë që ne si firmëtarë i kemi 50 mijë firmat që kërkon Kushtetuta. Na vjen keq që është spekuluar me firmat dhe është manipuluar publiku, shtoi Ferruni.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, i cili theksoi se vetë Aleanca nuk duhet të kishte toleruar firmat nga e njëjta dorë. KQZ-ja nuk ka manipuluar publikun. Ne kemi thënë që 70 përqind të kampionit që ne çuam për verifikim ishin të falsifikuar prandaj është e papranueshme që të thuhet se procese të tilla ne e dimë si po kalojmë në Shqipëri, tha Ristani.

Anëtari i djathtë në KQZ, Njazi Kosovrasti, kërkoi hetime të thelluara për manipulimin e firmave. Ishte e qartë dhe me sy të lirë dukej që firmat ishin vënë nga e njëjta dorë. Por kërkesa e tij për hetim u rrëzua nga anëtarët e tjerë të KQZ-së.

Ndërkohë Aleanca Kundër Importimit të Plehrave arriti të merrte më shumë se 62 mijë firma nga qytetarët duke tejkaluar kështu me disa mijë kuotën për mbajtjen e referendumit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›