E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ishte i çmendur mbreti që humbi Amerikën?

Gazeta Shqip

Mjekësia moderne mund të na ndihmojë ne të kuptojmë arsyet e vërteta që fshihen pas sjelljes erratike të Mbretit George III, shkruan historiani Lucy Worsley për BBC

George III

Henry (1) Henry (2) Henry (3) Henry (4)

George III është i njohur në librat e historisë për fëmijë si mbreti i çmendur që humbi Amerikën. Kjo është ajo që së paku mësohet në Britaninë e Madhe.

Përgjatë viteve të fundit, është bërë tërheqëse mes historianëve për tia dedikuar çmendurinë e tij një çrregullimi fizik gjenetik të quajtur porfiria. Simptomat e kësaj sëmundjeje përfshijnë dhimbje të forta, si dhe urinë blu.

Teoria u bë edhe bazë për një drame të shkruar nga Alan Bennett, Çmenduria e George III, e cila më vonë u përshtat për film ku roli kryesor interpretohet nga Nigel Hawthorne.

Gjithsesi, një projekt i ri kërkimor në Universitetin e Londrës, doli në konkluzionin se me të vërtetë mbreti vuante nga një sëmundje mendore, por e nisën analizën nga një këndvështrim tjetër.

Duke përdorur prova nga mijëra letra të shkruara me dorë nga vetë mbreti dr. Peter Garrard dhe dr. Vassiliki Rentoumi analizuan përdorimin e gjuhës prej tij. Ata zbuluan se gjatë periudhave të sëmundjes, fjalitë e tij bëheshin shumë më të gjata sesa në periudhat kur ai qe në gjendje të mirë.

Në periudhat e krizës, një fjali me 400 fjalë dhe tetë folje nuk qe e pazakontë. George III, kur qe i sëmurë, shpesh përsëriste veten dhe në të njëjtën kohë fjalori i tij bëhej shumë më kompleks, krijues dhe shumëngjyrës.

Këto janë karakteristikat që sot vërehen kur analizohen shkrimet dhe fjalimet e pacientëve që janë në fazën maniake të sëmundjeve psikiatrike të tilla si çrregullimi bipolar.

Mania apo euforia e dëmshme, është njëra anë e një spektri të çrregullimeve të ndjenjave, ku trishtimi apo depresioni janë në anën tjetër të spektrit. Kur George qe në këtë gjendje, shkrimet e tij qenë në përputhje me përshkrimet bashkëkohore të sëmundjes nga dëshmitarët.

Ata folën për llafazanëri të pandërprerë, ndërsa ai fliste derisa i dilte shkumë nga goja. Në disa raste ai vuante nga konvulsionet.

Kërkuesit kanë hedhur dyshime edhe për një nga tiparet më të përfolura të sëmundjes së tij, urinës blu. Të dhënat mjekësore të mbretit tregojnë se atij i qe dhënë një lloj ilaçi me bazë një bimë të njohur për lule në ngjyrë blu të thellë, e cila edhe sot përdoret si tonifikues i mesëm, por që mund të jenë shkaku i urinës blu.

Kështu, ndoshta nuk ka qenë çmenduria e mbretit ajo që shkaktoi simptomën më të njohur. Mund të ketë qenë ilaçi.

Shumë mbretër dhe mbretëresha vuajtën nga të njëjtat dobësi biologjike dhe psikologjike nga të cilat vuajnë të gjithë njerëzit, por ndoshta ato kishin pasoja më të rënda nga këto sëmundje.

Shpërthimet e sëmundjes së George III e detyruan atë shpesh të tërhiqej nga jeta publike për të rikuperuar shëndetin. Çdo herë që ai tërhiqej, kjo gjë shkaktonte një krizë, pasi askush nuk mund të merrte vendime në mungesë të tij.

Djali i tij, Princi i Uellsit, me të cilin George III pati një marrëdhënie të tmerrshme, dëshironte të emërohej regjent në mënyrë që të merrte vendime njësoj si mbreti, por pa emrin e mbretit. Por e ardhmja e George IV qe shumë e lidhur me opozitën politike dhe qeveria qe e vendosur ta mbante atë larg.

Por megjithëse kriza shkaktoi shumë debate, ajo në fakt u zgjidh me shumë lehtësi. Kjo ndodhi pjesërisht për shkak se shëndeti i mbretit u përmirësua (pavarësisht trajtimit acarues dhe në disa raste, çnjerëzor që ai mori nga mjekët) dhe pjesërisht për shkak se në këtë pjesë të historisë së Britanisë, ai qe bërë një mbret kushtetues.

Kur hanoverianët u ftuan nga Gjermania më 1714 për të marrë fronin pas dështimit të linjës së trashëgimisë Stuart, ata erdhën me ftesë të Parlamentit. Parlamenti për rrjedhojë pati fjalën e fundit dhe fuqitë e monarkisë qenë reduktuar.

Por pavarësisht sëmundjes së tij, George III qe një mbret i përkushtuar dhe fitoi respektin e politikanëve. Në fakt, kur sëmundja e tij e hoqi nga skena politike, ata kuptuan se sa shumë nevojë kishin për efektin e tij qetësues mbi mosmarrëveshjet e tyre.

Ndoshta nuk është lehtësisht e kuptueshme se si, por problemet shëndetësore të monarkut mundet ta forcojnë monarkinë, për shkak se krijojnë simpati dhe afeksion nga individët.

Shkencëtarët që po kryejnë kërkimin mbi shëndetin e mbretit kanë filluar të mendojnë se në fakt teza se ai vuante nga porfiria, sëmundja e trashëgueshme e gjakut blu që është një legjendë për familjet monarkike, është një tezë e gabuar.

Sëmundja gjithsesi nuk e ndaloi mbretin të jetë i suksesshëm. Në një Britani me mirëqenie dhe në fazën e industrializimit, për monarkët u bë më e rëndësishme të mbretëronin sesa të sundonin, duke siguruar bazë për stabilitet më shumë sesa për udhëheqësi agresive.

George III mbretëroi për 60 vjet dhe siguroi vijimësi. Periudhat e tij të sëmundjes ndoshta kanë marrë më shumë vëmendje nga sa meritojnë dhe prekin padrejtësisht mendimet e historianëve për periudhën e qeverisjes prej tij.

Biografia mbretërore

George William Frederick lindi në Londër më 1738 dhe vdiq në kështjellën Uindsor më 1820. Mbret i Britanisë së Madhe dhe Irlandës që nga viti 1760 dhe mbret i Hanoverit që nga viti 1814 deri në vdekje.

U bë trashëgimtar i fronit në moshën 12-vjeçare kur babai i tij, Frederick Louis, vdiq më 1751.

U martua me Charlotte Sophia të Meklenburg-Strelitz më 1761 martesa zgjati 50 vjet.

U konsiderua i çmendur përgjatë 11 viteve të fundit të sundimit, kohë gjatë së cilës djali i tij, mbreti George IV veproi si regjent.

A ishte i çmendur mbreti që humbi Amerikën? burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›