Mjekësi jashtë vendit, kriteret për pacientët
Zhbllokohet komunikimi me Turqinë, nisin aplikimet për dërgimin e të sëmurëve në spitalet jashtë vendit
Turqia - Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Turqisë në fushën e shëndetësisë, ku ndër të tjera parashikon edhe kurimin e mbi 100 pacientëve shqiptarë falas nga spitalet turke
Përgjigjja - Pavarësisht marrëveshjes, spitalet pasi kanë marrë dokumentacionin, mund të kthejnë përgjigje negative apo pozitive në varësi të mundësive që ofrohen. Përgjigjet për pacientët vonojnë nga dy deri në katër javë
Lorina Mixha
Pacientët shqiptarë që prisnin të dorëzonin procedurat për tu trajtuar në spitalet jashtë vendit tani mund të nisin nga plotësimi i dokumenteve. Këtë javë, Ministria e Shëndetësisë ka rifreskuar modalitetet dhe ka kaluar të gjitha pengesat e hasura nga janari i këtij viti për nisjen e komunikimit me institucionet shëndetësore jashtë vendit. Dhjetëra pacientë nga i gjithë vendi, në pamundësi ekonomike, por edhe në kushte të rënda shëndetësore e emocionale, prej disa muajsh prisnin Ok nga Ministria e Shëndetësisë për plotësimin e kritereve për tu trajtuar jashtë vendit, kjo në bazë të bashkëpunimeve dhe nënshkrimit të dokumenteve për kujdes shëndetësor, me disa shtete me shëndetësi më të konsoliduar se e jona.
Të gjithë ata pacientë të cilët vuajnë nga sëmundje të vështira, për të cilat shëndetësia shqiptare nuk ofron pajisje diagnostikuese, nuk ofron kushte të specializuara dhe në rastet kur të sëmurët shqiptarë kanë nevojë për mjekim të veçantë, një komision mjekësh propozojnë dhe firmosin dokumentet për trajtimin e tij jashtë vendit, në një nga spitalet me të cilin shteti ynë ka marrëveshje. Për shkak të ndryshimeve por edhe procedurave, marrëveshja mes Shqipërisë dhe Turqisë, vend me të cilin kemi edhe bashkëpunimin më të ngushtë dhe ku dërgojmë numrin më të madh të pacientëve për trajtim të specializuar, kishte mbetur pezull. Për të aplikuar dhe për të marrë parasysh kërkesën e pacientëve, Ministria e Shëndetësisë kërkon si pjesë të procedurës epikrizë nga qendra spitalore universitare Nënë Tereza, si dhe vendim të komisionit nga QSUT. Vetëm pas paraqitjes së këtyre dy dokumenteve që vërtetojnë që pacienti nuk kurohet në Shqipëri, atëherë bëhet përfshirja në këto marrëveshje bashkëpunimi. Zyra e marrëdhënieve me jashtë dërgon të dhënat pranë homologëve në shtetet ku ka marrëveshje e pasi të jetë dhënë miratimi i tyre, pacienti bëhet gati për tu larguar, sipas kushteve të përcaktuara, kur shoqërohet nga një i afërm.
Trajtimi është falas, ndërkohë që sipas rregullit, pacienti duhet të marrë përsipër pagesën e faturës për transportin, udhëtimin me avion.
Pavarësisht marrëveshjes, spitalet pasi kanë marrë dokumentacionin, mund të kthejnë përgjigje negative apo pozitive në varësi të mundësive që ofrohen. Përgjigjet për pacientët vonojnë nga dy deri në katër javë. Zakonisht, rastet që nuk janë marrë në konsideratë janë ato të leucemisë, transplantimit të veshkave, transplantimit të mëlçisë, transplantimit të kornesë dhe ndonjë diagnozë tjetër që kërkon trajtim të zgjatur, ndërsa rastet e tjera janë trajtuar në kuadër të këtyre marrëveshjeve.
Këtë javë është çliruar gjithçka, janë vendosur piketat dhe është rënë dakord që të nisin dorëzimet e dokumentacioneve për pacientët shqiptarë të cilët duhet të trajtohen kryesisht në spitalet turke.
Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Turqisë në fushën e shëndetësisë, ku ndër të tjera parashikon edhe kurimin e mbi 100 pacientëve shqiptarë falas nga spitalet turke. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje për vite me radhë janë kuruar në spitalet turke qindra pacientë shqiptarë të cilët kishin nevojë për mjekim të specializuar.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë në Greqi në fushën e shëndetësisë, ku ndër të tjera parashikohen edhe kurimi i pacientëve shqiptarë falas në spitalet greke. Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë edhe me spitalin pediatrik Bambino Gesu, në Romë ku në vit parashikohet kurimi i pesë pacientëve shqiptarë në moshë të mitur. Rastet e trajtuara në këtë spital kanë qenë me leucemi akute.
Mjekësi jashtë vendit, kriteret për pacientët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email