E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund të bëhet kryeministër një kryekooperativist?!

09-11-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Të gjithë e shohin në bebe të syrit Edi Ramën, sesi do të vendosë ai për t’i dhënë fund dilemës: Në BE, për statusin përfundimtar të kandidatit për në komunitetin europian? Apo, për herë të tretë, jashtë kësaj aspirate, që nuk do të ishte dështim i Ramës por zhgënjim i të gjithë popullit shqiptar. E shohin në sy, natyrisht ata të partisë, të cilën ai e quan partia e tij. Por e shohin në televizor édhe kundërshtarët e pjesës së skajshme të asaj partie, rrëmbushur me mëkatarë. Plot e përplot me enveristë të kamufluar ose të hapur fare, të cilët, për rrethana të veçanta, kanë gjetur parajsën e paprekshmërisë, në PS-në emërndërruar.
Sytë e E. Ramës janë aq të lëvizshëm, të papërqendruar, sa s’mund të merret vesh asgjë. Nuk mund t’i deshifrojë as një neuropsikiatër.  Në një shkrim të 6-7 viteve më parë, një e përditshme, që s’deshi me u shqetësue asfare për muhabete të “privacy-t” , - sepse mediet e së majtës ia kishin lëshuar gojës havadan,  - shkruante troç se, kur djaloshi i përhedhur kishte vajtur për zbor në Burrel, Kristaqi dhe Aneta i ishin lutur D. Agollit, që të mundohej e të shkonte urgjentisht në repartin e stërvitjes ushtarake që t’i bënin rixha komandantit që të mos i linin në dorë armë, se mos bënte ndonjë hatá! Lexuesve u kishte bërë përshtypje edhe çështja e një gjyqi të detajuar e me fax símile nga seancat gjyqësore, që e nxinin si tepër huqllí personazhin e zborit. Autori i shkrimit ishte një gazetar ekstravagant, që PD-ja e kishte kandiduar edhe deputet në Durrës, por nuk kishte dalë deputet, sepse  kandidati i PS-së i kishte punuar qindin, në manipulime gjer në ndërrim të komisionit zgjedhor! Por, siç janë ata që hanë bukën e përmbysur kupën, ky e ktheu timonin nga Edvini! Dhe ky i fundit, tani, thotë se këto poshtërime nuk ia paska bërë ai gjurmuesi i dikurshëm i lajmeve sensacionale, por... Sali Berisha!
Kurse ne po flasim për privatësinë, kur vetë i përfoluri, ia nxjerr si pa të keq, petët lakrorit!- në “Kurbanin” e tij. Në të cilin as do t’ia dijë fare për atë lokucionin që e njohin të gjithë, se “në shtëpinë e të varurit nuk kujtohet litari! Le të hapet ky libër pa din e pa iman, në faqen 175. Atje përmenden gjëra për të cilat do të duhet të heshte. Por ja çfarë shkruan, duke përmendur vetëm disa fraza: Pasi flet sesi e akuzonin, e përmend vençe atë litarin kur përmend lejet e ndërtimit e për lidhjet e tij me terroristët e Al Kaedës. Ekzagjerimet i duhen që akuzat të bëhen të pabesueshme. Vazhdon: “ Flisnin edhe për shijet e mia ekstreme, për të dhunuar mamanë, gratë, fëmijët, për poza lakuriq në ballkon apo për të mbushur jastëkët  me pupla shumëngjyrëshe e me dollarë ose edhe brekët me lëndë narkotike(!)... “ . E këto i quan “një sulm i pashembullt nën udhëheqjen e Saliut”. I përvishet edhe “shtypit të PD-së”. “Në këtë luzmë (mizërí njerëzish)  (...) spikaste talenti i veçantë gazetaresk dhe nxinte opozitarizmi atëbotë egërsisht antietik i Mero Bazes”.
Natyrisht nuk e kurseu edhe këtë të fundit. Por gjene mirë. E quajti vetëm “pa etiketë” . Lumi i sharjeve iu ofrua të tjerëve. Kam dëgjuar interpretime çudish të papërmbajtura, për ato që kishte shkruar  gjurmuesi i lajmeve të pazakonta kundër tij. A mos, vallë, paska qenë kaq zemërgjerë ky Edi? Më duket se shpjegimin më të mirë ma bëri njëri nga miqtë tanë, në një tavolinë në kafe. – Edvini, tha ai, është aq i  përvëluar pas pushtetit të tij vetjak, sa  s’e ka për gjë ta përnjollosin me nënë e babë, madje edhe deri te djali dhe te keqtrajtimi i grave, mjafton që të ketë bërë prapaktheu, e t’i ketë shërbyer, tanimë, në ambicien e tij të pafrenueshme për  pushtet vetjak. Tani le të vijmë sërish te ai zbori i Burrelit.  Ajo gazeta kishte përmendur emrin e atij shkrimtari të dëgjuar, që paska vajtur tepër larg, për atë muhabetin e armës, që mund të ishte e rrezikshme.  Shumëkush ndiqte shtypin e përditshëm për ndonjë përgënjeshtrim, nëse ishte një episod i sajuar. Asnjë përgënjeshtrim.  Pra, gënjeshtra do t’i kishte këmbët e shkurtra, kur përmendet edhe një njeri me emër, si dëshmitar.

*   *   *
Kështu, Edit i ka dalë nami si njëri harbut, me defekte tangërllëqesh që nga koha e fëmijërisë.  Por, në ditët e sotme duhet të ballafaqohet si politikan, me finesën me të cilën trajtuan njëri-tjetrin  të dy kandidatët për president të Shtëpisë së Bardhë.  Asnjë fjalë fyese. Madje edhe përqafime, para takimeve publike të një rëndësie të veçantë. Këtë e ka vënë në dukje edhe ambasadori amerikan, z. Arvizu, që të merret si model edhe në debatet politike në vendin tonë.
Këshilla e Ambasadorit është rrjedhojë e një vëzhgimi të drejtpërdrejtë. Le të shohim zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Ndërsa kandidati Lulzim Basha e ruante kurdoherë gjakftohtësinë dhe mirësjelljen, duke e quajtur vazhdimisht zoti Edi Rama, ky i fundit e përmendte kandidatin tjetër me cilësorë tërë mllef e me emra të sajuar, si Lulzim Saliu! Ndërsa kryeministri, duke respektuar postin e kryetarit të opozitës, e cilësonte pa e ndryshuar  asnjëherë stilin e të folurit zyrtar.  Natyrisht që njerëzit dinë të gjykojnë e të interpretojnë. Kur Edi bënte retorikë propagandistike, z. L. Basha nuk e mësynte për çka nuk kishte bërë (ndonëse këto ishin të bollshme), por tregonte se ç’kishte në dorë të bënte konkretisht, në konsultë me banorët.  Premtimet ishin të shumta dhe të guximshme. Ishte një program pune me shtrirje të madhe e të thellë. Aq sa pati edhe gazetarë skeptikë. Po ku do t’i gjejë këto pare, vallë?  Koha tregoi se kryebashkiaku i ri nuk e sheh bashkinë me dylbi, siç akuzohej paraardhësi, që s’dinte ç’të bënte më parë. U kujtua edhe ky, por vonë, shumë vonë, për të bërë kinse një program: Për një tramvaj që do të jetësonte z. Basha, Edvini do të bënte dy!  E kështu me radhë. Por ishte si kofini pas të vjelit.
Kështu, përfundimisht, nuk triumfoi harbutllëku dhe kauçuku (kutia), por përkushtimi dhe vota e lirë e popullit. Meqë ish- kryetari e humbi bashkinë,  vuri atë shiritin e konsumuar të përmbyllur në tru: “M’i vodhën votat!”.
Kjo mënyrë sjelljeje nuk pi ujë në demokraci. Kështu ky kryetar opozitar, e pamë sesa zgjedhje të ndershme bëri brenda radhëve, në kongres, në Asamblé, në forumet e grave dhe në atë të FRESH-it.  I detyroi shumë deputetë e deputete të linin mandatin.  E kemi trajtuar hollësisht këtë temë. Dhe nuk është nevoja  të përsërisim emrat.  As të përmendim sërish atë skandalin me ato ndërhyrjet skandaloze në valët e celularëve të pjesëmarrësve. Obskurantizëm i vërtetë! Por mujshia, në disa njerëz, ja që qenka e pashërueshme. I ofendoi kolegët e vet duke u përmendur kooperativat. – Atëherë i bie që ti të jesh kryetari i kooperativave! - ia dha përgjigjen e merituar njëri prej deputetëve.
Tani mbetet vetëm pyetja: A mund të bëhet kryeministër një kryekooperativist?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›