E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund të jetë fitues Jörg Plickat?

Boceti i Jorg Plickat

Elsa Demo

Te kjo pyetje na çon zhvillimi që po tregon konkursi ndërkombëtar për monumentin e 100-vjetorit të pavarësisë. E meqë projekti i artistit gjerman ka dalë në pesë propozimet më të mira, pyetja që përdor emrin e tij shtrohet në të vërtetë për prurjet e konkursit në këtë fazë vendimtare. Dje u bë e ditur edhe nga Ministri i Kulturës Aldo Bumçi se do të ndikojë në këtë vendim votimi i publikut.

Në hollin e Galerisë Kombëtare të Arteve janë ekspozuar pesë bocetet finaliste të artistëve dhe arkitektëve: Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas (Kosovë, Gjermani), Thoma Thomai Dhamo (Shqipëri), Jörg Plickat (Gjermani), Pjerin Kolnikaj (Shqipëri), Blerta Xhomo dhe Ilirjan Shima (Shqipëri). Është vendosur dhe një libër përshtypjesh ku qytetarët pasi të njihen me projektet, japin emër e mbiemër, numrin e kartës së identitetit dhe votojnë për numrin nga 1-5 të boceteve. Mendimi i qytetarëve do ti bashkëngjitet vendimit të jurisë ndërkombëtare e do ti çohen Komisionit Shtetëror të Festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë. Mund të ndodhë që ky komision ta miratojë ose ta përmbysë vendimin e specialistëve dhe mendimin e qytetarëve.

Që nga koha e kremtimeve madhështore të pavarësisë nga Monarkia e Zogut I më 1937, Shqipëria nuk ka shpallur ndonjëherë konkurs ndërkombëtar për vepër monumentale në kujtim të një ngjarje apo figure të rëndësishme të historisë. Konkursi i 1937-ës propozonte një vepër për Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotin, dhe nuk u realizua për shkak të rrethanave, vendi pak më u vonë u pushtua. Pas gjithë kësaj distance ne marrim përsipër të organizojmë një konkurs të tillë ndërkombëtar. Shqipëria, në këtë kontekst, është një vend i panjohur dhe nuk ka ftuar artistë të rëndësishëm për të propozuar ose për të realizuar vepra arti, thotë Rubens Shima, i cili ka bërë publike dje për mediat në prani të Ministrit të Kulturës, argumentimet e jurisë ndërkombëtare për 5 bocetet më të mira. Si një nga anëtarët e jurisë, Shima e komenton përmasën ndërkombëtare të konkursit  momentin e dytë të rëndësishëm dhe sipas tij interesi që kanë treguar artistët e huaj ka qenë serioz. Bëhet fjalë për artistë që kanë pasur përvoja të ngjashme në realizimin e këtij lloj tipi monumenti, shton Shima.

E nëse fituesi është një i huaj?

Jemi përballur që në fillim me pyetjen: Pse një i huaj duhet të marrë pjesë në një realizim të tillë?, hyn në temë ministri Bumçi. Përgjigja ime është: Ne nuk mund të rrimë jashtë botës dhe të kthehemi në një izolim të një lloji tjetër. Është vlerësim nëse të huajt marrin pjesë në një konkurs kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë dhe prurjet e tyre e rrisin mundësinë e zgjedhjes. Nëse fituesi është shqiptar apo i huaj këtë e përcakton juria, opinioni i qytetarëve dhe vendimi përfundimtar i Komitetit të Festimeve.

Rubens Shima thotë se në pesë bocetet që kemi përpara juria reflekton edhe njëfarë mendimi mbi dasinë artist shqiptar-artist i huaj. Pjesëmarrja e të huajve është një pasuri e madhe për këtë konkurs dhe unë mendoj se duhet ta kemi praktikë të zakonshme thirrjen e artistëve të huaj në pasurimin me vepra arti të shesheve dhe hapësirave publike.

Veç kësaj, burime jozyrtare pranë jurisë ndërkombëtare thonë se disa anëtarë shqiptarë e kanë shmangur kategorikisht votimin e një artisti të huaj. Fakt është që në finale konkurron një artist e gjysmë i huaj. Dje u bë e ditur se pesë autorët janë shumë pranë njëri-tjetrit me një diferencë shumë të vogël pikësh sipas vlerësimit që ka bërë juria. Sa i mundshëm është që një nga të huajt të fitojë? Shumë e mundshme, thuhet.

Sa e mundshme është të fitojë projekti i Jörg Plickat-it? Është e mundshme për aq sa një vepër për 100-vjetorin e pavarësisë së popullit shqiptar erdhi lehtësisht te kjo finale. Për aq sa kjo vepër, ndryshe nga finalistët e tjerë, nuk bën as lexim të fjalëpërfjalshëm të simbolikës së 100-vjetorit, as interpretim patetik të historisë, madje kundër zakonit të të parit të historisë shqiptare si tepër tragjike, projekti i Plickat-it e jep dramën me një distancë të admirueshme siç mund të shprehet një vepër me tharm universal. E nga ana tjetër, ky propozim është i pabezdisur nga ferrat e krizës estetike që reflekton një art apo një artist në udhëkryq.

Prandaj vepra fituese nuk përfaqëson thjesht një monument: ajo ka për të përcjellë në një hapësirë publike mendimin e shoqërisë së sotme shqiptare për veten, për historinë, për trimërinë e atyre që e bënë të pavarur më 1912-ën, e për më shumë për dijen dhe largpamësinë e asaj pakice që e ka ruajtur Shqipërinë të mos gremiset, që e ka mbajtur në vetëdije, në zgjim kur pjesa e pavetëdijes në periudha të gjata të historisë e ka shtyrë nëb tentativa vetëvrasjeje.

Nëse do të hapen një ditë proces-verbalet e diskutimit për këtë vepër monumentale, do të marrim vesh të vërtetën se çfarë mentaliteti e ka udhëhequr parinë, e cila shpesh, tjetër sillet e tjetër shfaqet.

 

Argumentimet e jurisë për bocetet finaliste

 Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas (Kosovë, Gjermani), dy arkitektë nga Mynihu, propozojnë një projekt që frymëzohet nga banesa tradicionale shqiptare, që ka shërbyer si shtëpi dhe fortifikim njëherësh duke u bërë simbol kombëtar i qëndresës në shekuj. Për të shprehur idenë e pavarësisë ata sjellin një ndërtesë të hapur e cila paraqitet si dy gjysma kubi ku njëra gjysmë mban çatinë dhe tjetra platformën. Është menduar e lartë, e gjatë, dhe e gjerë 8 m. Njerëzit mund të kalojnë lirisht. Në faqet e brendshme me lazer incizohen Deklarata e pavarësisë, shqiponja dhe figura njerëzore.

Thoma Thomai Dhamo (Shqipëri) propozon idenë e një flamuri në valëvitje. Pjesë e rëndësishme e veprës së tij është materiali i bronzit të shkëlqyer që i ndryshon pamjen monumentit në varësi të dritës së natyrës dhe pasqyrimit të saj mbi të. Projekti synon një vepër që përpiqet të flasë me gjuhën plastike të skulpturës në shprehjen e valëvitjes së flamurit, e materializuar në vëllim skulptorik që shpreh forcën dhe triumfin e një populli në ngritjen e tij historike, ngritje e cila kulmon me pavarësinë.

Jörg Plickat (Gjermani)

Skulptori nëpërmjet një gjuhe të fortë plastike propozon një monument të lexueshëm lehtësisht. Dy hallka të hapura zinxhiri që simbolizojnë çlirimin e popullit shqiptar përbëjnë një monument që mund ti përshtatet madhësive e hapësirave të ndryshme. Është menduar të jetë në çelik të errët ose të ndritshëm por mund të përshtatet edhe si një skulpturë në gur natyral. Autori është përpjekur që nëpërmjet formës së ashpër kubiste që i ka dhënë hallkave të zinxhirit dhe përthyerjes së tyre, të shprehë vështirësitë historike që ka kaluar populli shqiptar për të arritur tek momenti i pavarësisë duke ofruar një shprehje artistike sa të thjeshtë aq edhe dramatike.

 Pjerin Kolnikaj (Shqipëri) propozon një vepër monumentale të lartë që vjen në formën e obeliskut e që kërkon të shprehë madhështinë e momentit të këtij përvjetori. Është menduar si një mbivendosje shtresash prej mermeri të bardhë. Janë 100 blloqe mermeri që ngrihen lart në formë vertikale në përkim të 100 viteve. Në trupin e kolonës së formuar shfaqen 10 kurba të lehta anësore të cilat rrisin vlerat shprehëse të figuracionit dhe e pasurojnë atë estetikisht duke simbolizuar njëkohësisht dhjetë dekadat e këtij njëqindvjeçari. Dimensioni i këtij monumenti është në varësi të hapësirës publike që do ti ofrohet.

Blerta Xhomo dhe Ilirjan Shima (Shqipëri) propozojnë një variant të stiliz

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›