E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësakët i duan Stjuardesat

Valeria Dedaj

Komedia Stjuardesat e shkrimtarit zviceran Marc Camoletti do të vazhdojë të shfaqet çdo fundjavë të muajit prill në teatrin Aleksandër Moisiu në qytetin e Durrësit. Kjo komedi trajton lidhjet poligami dhe nëpërmjet batutave i ofron argëtim publikut. Te Stjuardesat, në qendër është arkitekt Bernardi i cili është fejuar në një njëjtën kohë me tri stjuardesa dhe bënë një jetë poligami. Por papritur, vjen një moment që kjo situatë kaq e përkryer për të, merr fund. Sepse avioni Boeing sjellë ndryshimin e orareve të fluturimeve dhe të gjitha ngjarjet kthehen kundër Bernardit. Regjisorja Driada Dervishi tregon se si kjo komedi është mirëpritur nga publiku durrsak nën interpretimin e aktorëve, Xhejni Fama, Eralda Çaushi, Adriana Tolka dhe Andia Xhunga, Sanije Hoti dhe Besmir Bitraku. Boeing, Boeing Stjuardesat, është një komedi që njohu menjëherë sukses jo vetëm në Francë. Në vitin 1991 u fut në librin e rekordeve Guinness, si komedia më e shfaqur në botë. Ndërsa në Shqipëri është vënë në skenë para 10 vitesh nga regjisori Gëzim Kame.

Driada, përsëri me komedi?

Komedi apo dramë, e rëndësishme është që të bëhet një punë e mirë dhe emocioni të arrijë të përcillet tek të gjithë. Ndoshta sepse në Durrës ecën më mirë komedia. Ka disa që e shpjegojnë me faktin se këtu ka mjaft jod deti dhe njerëzit kanë më shumë nevojë të qeshin. Ndryshimi vihet re nga shfaqja në shfaqje. Unë kam rreth 10 vjet që punoj në teatrin e Durrësit dhe mendoj se e njoh mirë këtë publik. Është një publik që mezi pret premierën e radhës dhe mund të them se ka krijuar një terren mikpritjeje për teatrin në përgjithësi.

Pse pikërisht Stjuardesat?

Kur kjo shfaqje është vënë në skenë para 12 vjetësh nga regjisori i mirënjohur Gëzim Kame. Atëherë kam qenë studente por efekti që kam marrë ka qenë tepër pozitiv. Për mua kjo ngelej ende ngacmuese, derisa erdhi një moment i caktuar që ëndrrën e gjithë këtyre viteve ta kthej në realitet. Nuk kishte asnjë element që të dukej sikur nuk ishte shkruar për mua edhe pse vepra është shkruar në vitet 1960. Personazhet simpatike dhe subjekti interesant ndikuan në përzgjedhjen time.

Regjisori Gëzim Kame më ndihmoi të kontaktoja me përkthyesin e kësaj komedie franceze, shkrimtarin Nasi Lera dhe për këtë i jam mirënjohëse.

Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur gjatë punës, duke pasur parasysh gjendjen ku ndodhet sot teatrot e bashkive?

Kam nisur të punoj në një moment kritik, vetëm me tri aktore. Shfaqjet për shkak të shumë mangësive, ishin të pakta. Por them se këmbëngulja, pasioni e mbi të gjitha përkushtimi për të mos u dorëzuar e për tu përpjekur ti kthehet tradita shumëvjeçare këtij teatri, kanë sjellë ndryshimin. Kujtoj se jo para shumë vitesh, për arsye nga më të ndryshmet, mezi vihej një premierë në skenë, ndërsa sot teatri Aleksandër Moisiu ka arritur të verë deri në 5 premiera në vit.

Sa ka qenë kostoja totale për këtë shfaqje?

Për këtë shfaqje shpenzimet duhen thënë janë minimale. Sepse e  mësuar prej disa kohësh që ta kthejmë mungesën në favor të pjesës jam mbështetur më shumë në elementet që kisha në dorë së bashku me aktorët, për plastikën, kërcimet dhe muzikën. Sepse gjatë shfaqjes janë disa momente që këndohen nga aktorët dhe them i ka dhënë mjaft ngjyra komedisë.

Me çfarë shijeje mbeteni në fund të shfaqjes? 

Për mua të gjitha shfaqjet e mija kanë të njëjtin qëllim: të dhurojnë një teatër të mirë. Prandaj duke parë entuziazmin e publikut, shfaqja do të vazhdojë gjatë gjithë muajit prill  çdo fundjavë ora 19.00.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›