E Shtunë, 31 Tetor 2026

A munna me e shptu gjuhën letrare?

Nuk ka sesi të të shpëtojnë debatet që kanë filluar prej disa kohësh dhe që ende po vazhdojnë për gjuhën letrare shqipe. Ka lloj-lloj tezash e hipotezash, interpretimesh e propozimesh. Bien në sy sidomos thirrjet që bëhen për ta ndryshuar standardin, në kundërshtim me atë që do të ishte rruga normale e zhvillimit të tij: hapja e përpunimi mbi bazën e studimeve e diskutime shkencore. Si bazë për këtë po shërben prirja e papërgjegjshme për ta ideologjizuar në skaj problemin dhe për ta paraqitur gjuhën standard si një "padrejtësi" që u është bërë folësve të dialektit geg, si një hegjemoni nga ana e toskëve, si shkakun e varrosjes së vlerave kulturore gege, pra si një send që duhet zhbërë sa më shpejt për t‘u rivendosur "drejtësia". Pasiguria dhe mosnjohja e problemit, çka është e kuptueshme, se jo gjithkush është specialist i fushës, e ndërlikojnë edhe më tepër situatën. Prapa pasigurisë fshihet frika dhe prapa frikës veprimet e pakontrolluara.

Në fakt nuk ka asgjë për t‘u shqetësuar, e aq më pak për t‘u alarmuar. Për specialistët e gjuhës është e qartë që çdo gjuhë letrare është rezultat i një kompromisi dhe që nuk ekziston një e tillë që do të mund të kënaqte dëshirat e të gjithë folësve të saj. Kurrkund nuk mund të gjendet një gjuhë letrare që të përfaqësojë një harmoni absolute midis të gjitha dialekteve dhe të folmeve. Vetë krijimi i një gjuhe letrare mbështetet në nevojën që ka shoqëria për të pasur në zotërim një mjet komunikimi në nivel mbidialektor, duke u shërbyer kështu të gjithë folësve. Në fund të fundit, gjuha letrare nuk mund të barazohet me asnjërin nga dialektet e saj. Kjo do të thotë që asnjëherë nuk do të jemi në gjendje të krijojmë një gjuhë letrare shqipe, e cila të plotësojë dëshirat edhe të gegëve edhe të toskëve, edhe të arbëreshëve edhe të çamëve. Jemi të detyruar të pranojmë kompromisin. Qejfmbetjet në këtë pikë do të ishin absurditeti më i madh. Prandaj është e domosdoshme që debatet aktuale dhe hipotetike për gjuhën letrare të çlirohen nga spekulimet me karakter ideologjik dhe të vendosen në hullinë e diskutimeve shkencore.

Raportet gjuhë letrare - dialekt

A nënkupton gjuha letrare shuarjen e dialekteve? Absolutisht që jo. Dialektet dhe gjuha letrare ekzistojnë dhe zhvillohen paralelisht, duke ndikuar reciprokisht te njëri-tjetri. Askush s‘ka arsye të mendojë se gjuha letrare lulëzon në kurriz të toskërishtes apo të gegërishtes. Ka pasur dhe do të ketë gjithmonë edhe përpjekje për ta lëvruar me shkrim dialektin. Sot në botë ka shkrimtarë që shkruajnë në dialekt, ka këngëtarë që këndojnë në dialekt, ka tekste e organe shtypi që botohen në dialekt, bile edhe vepra letrare. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në gjuhën shqipe. Por administrata zyrtare e çdo niveli, shkollat, shtëpitë botuese të librave dhe të gazetave me karakter kombëtar, redaksitë e ndryshme shkencore dhe letrare etj. duhet të zbatojnë me rigorozitet normat drejtshkrimore të gjuhës letrare. Nëse nëpër tekste shkollore e gazeta do të fillonin të mbinin si kërpudhat pas shiut ndërtime gramatikore të parregullta, kjo do të shkaktonte një kaos të pariparueshëm.

Ja, mjafton të shikoni titullin e këtij shkrimi, sigurisht të zgjedhur me qëllim prej meje. Shumë veta do të thonë se nuk është në rregull. Kanë të drejtë. Edhe unë vetë nuk jam e sigurt. Si duhet të themi: me shptu, me shptue, me shptua apo me shpëtu, shpëtue, shpëtua? Më tej, si do të ishte më mirë: munna, munena, mun apo munemi? Në shkrimet e kundërshtarëve të standardit shprehet dëshira për futjen e paskajores gege, por nuk jepen zgjidhje gjuhësore konkrete, nuk thuhet se në ç‘mënyrë duhet bërë kjo. Gjuha letrare e njësuar shqipe mbështetet kryesisht në dialektin tosk. Nga disa specialistë të gjuhës, shkrimtarë, analistë etj. kjo shikohet si një e "metë" e madhe. Sigurisht, gjuha letrare nuk është një këmishë prej hekuri. Ajo nuk mund të jetë asnjëherë ideale dhe paraqet vazhdimisht probleme të ndryshme, të cilat bëhen objekt studimi dhe diskutimi nga specialistët. Mbi bazën e studimeve dhe diskutimeve shkencore, mbi bazën e marrëveshjeve dhe kompromiseve bëhen edhe ndryshimet. Kjo duhet të jetë një procedurë zyrtare, por edhe kolegiale.

Institucionalizimi i debatit për gjuhën letrare

Shoqëria e lirë dhe demokratike krijon mundësi shumë të mira për diskutimin dhe zgjidhjen e problemeve, por kjo gjë nuk mund të lihet në dorën e individëve të veçantë. Duhet të fillojnë përpjekjet për institucionalizimin e diskutimeve që kanë të bëjnë me gjuhën letrare. Kjo duhet të jetë një nga prioritetet e Qendrës së Studimeve Albanologjike të sapokrijuar. Duhet të organizohen grupe pune, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, sepse shqipja është aktualisht gjuhë zyrtare në dy shtete dhe gjuhë e folur në shumë vende të botës (me status të ndryshëm). Në këto grupe duhet të përfshihen jo vetëm gjuhëtarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, por edhe të huaj, sepse sot në botë ka specialistë shumë të kualifikuar të shqipes. Ndihma e tyre do të ishte shumë e vlefshme, sepse specialistët e huaj kanë shpeshherë një këndvështrim tjetër. I gjithë ky proces duhet shoqëruar me një diskutim të gjerë popullor. Kjo për shkak se, siç theksohet në literaturë, reforma drejtshkrimore është një temë që mund të shkaktojë emocione të jashtëzakonshme. Nga folësit e saj gjuha vlerësohet si një fushë me shumë sensibilitet, çka nënkupton që ndryshimet duhet të bëhen me kujdesin më të madh.

Shkolla, zhvillimi ekonomik apo reforma drejtshkrimore?

Desha të përfitoj nga rasti për të shprehur dhe disa mendime personale lidhur me këtë çështje, duke u mbështetur edhe te përvoja që kam me një gjuhë tjetër siç është gjermanishtja. Fillimisht shumë shkurt disa të dhëna historike. Konferenca e parë ndërkombëtare për arritjen e një kompromisi më të gjerë në drejtshkrimin e gjuhës gjermane u mbajt në Berlin në vitin 1876. Ajo nuk mundi të arrinte një zgjidhje përfundimtare. Konferenca e dytë e ortografisë u bë gjithashtu në Berlin më 1901, përfundimet e saj u botuan më 1902. Edhe këtu arritën të trajtohen vetëm një pjesë e problemeve ortografike. Në vitet që vijuan u desh që ato të plotësoheshin nga vepra dhe fjalorë me karakter kodifikues të autorëve privatë. Reforma e fundit drejtshkrimore e gjermanishtes u nënshkrua si një akt ndërkombëtar - gjermanishtja ashtu si shqipja është gjithashtu gjuhë zyrtare e disa shteteve - më 1 korrik të vitit 1996, d.m.th 95 vjet më vonë. Kjo periudhë, nga 1901 deri 1996, u shqua për intensitetin e studimeve në këtë fushë. U botuan shumë vepra paraprake dhe u propozuan mbi 100 projekte. U mbajtën shumë takime ndërkombëtare: më 1973, 1978 dhe 1979 në Vjenë, më 1980 në Basel dhe 1986, 1990 dhe 1994 përsëri në Vjenë. Tre takimet e fundit në Vjenë çuan në marrjen e vendimit zyrtar që i hapi dritën e gjelbër ortografisë së re të gjuhës gjermane.

Tani lind pyetja: kur hapësirës gjermanishtfolëse, që shquhet për kapacitetet e padiskutueshme ekonomike, financiare dhe shkencore, iu deshën 95 vjet për të hartuar një drejtshkrim të ri, si do t‘ia dalim ne pas 36 vjetësh, pa harruar se që nga viti 1990 kemi pasur aq pak mundësi që t‘i shtrohemi punës?

Mendimi im është se nuk jemi ende të përgatitur për reforma. Mungojnë shumë studime në të gjitha fushat. Shumë e shumë çështje të domosdoshme për hartimin e një ortografie moderne presin zgjidhjen. Duke filluar që nga gjuha e Autorëve të Vjetër e deri tek autorët modernë të letërsisë shqipe presin të bëhen objekt i shkencës. Shumë çështje të gramatikës së shqipes janë ende "të pashpjegueshme".

Nga ana tjetër kam përshtypjen se ata që bëjnë zhurmë lart e poshtë, duke kërkuar sa më shpejt ndryshime, nuk i kanë fare parasysh pasojat ekonomike. Një reformë e re do të thotë vepra të reja kodifikuese, pra njëkohësisht edhe nxjerrjen jashtë përdorimit të veprave kodifikuese ekzistuese. Në radhë të parë fjalorët. Leksikografia ka ecur mirë në këta 15 vjet. Janë botuar fjalorë shpjegues, dygjuhësh, fjalori antonimik, ai sinonimik, frazeologjik, fjalorët terminologjikë. Të gjithë këta nuk do të mund të përdoren më. Po ashtu gramatika, po ashtu metodat për mësimin e shqipes nga të huajt - e sot e para gjë që duam është të lidhemi me botën!

Por ajo që do të prekej në mënyrë kapitale do të ishte shkolla. Të gjitha tekstet shkollore do të duhej të ribëheshin. Për t‘iu rikthyer krahasimit me gjermanishten: u vendos që reforma e re e nënshkruar më 1996 të hynte në fuqi më 1 shtator 1998 me fillimin e vitit shkollor 1998/1999, pra dy vjet më vonë, por nga ana tjetër u rekomandua që brenda mundësive në shkolla të fillonte sa më shpejt zbatimi i saj, me qëllim që të pakësohej numri i nxënësve që do të duhej të përvetësonin drejtshkrimin e ri. U caktua një fazë transitore deri në vitin 2005. Gjatë kësaj kohe në shkollë do të lejoheshin të përdoreshin si drejtshkrimi i vjetër, ashtu edhe ai i ri. Deri më 1 shtator 1998 duhej të përfundonte adaptimi i të gjithë fjalorëve dhe teksteve të gjuhës. Reforma ishte një sfidë e madhe jo vetëm për nxënësit, por edhe për të gjithë ata që kishin të bënin direkt me gjuhën e shkruar. U organizuan kurse kualifikimi për arsimtarët, nëpunësit, botuesit, redaktorët etj. Atyreve që ankoheshin se drejtshkrimi i ri nuk ishte aspak më i lehtë se i vjetri reformuesit iu përgjigjën duke thënë se asnjë drejtshkrim nuk mund të jetë kurrë i thjeshtë dhe i lehtë. Reforma do të thotë gjithashtu edhe shkëputje me trashëgiminë letrare. Këto vepra letrare do të na shoqërojnë edhe pas reformës për një kohë të gjatë. Pra, reforma do të nxjerrë në pah edhe një problem midis brezave. Në fakt ajo do të jetë pa probleme vetëm për ata që e nisin nga e para. Për të gjithë brezat që janë shkolluar me drejtshkrimin e vjetër ajo do të mbetet për një kohë të gjatë problematike. Kuptohet që shumë gjermanishtfolës janë edhe sot e kësaj dite të pasigurt në drejtshkrim. Informacioni që u shpërnda në shkollat austriake menjëherë pas reformës drejtshkrimore mbyllet me fjalët: "Kohë të vështira për mësuesit dhe ata që do të shkollohen, për të gjithë autorët sidomos për hartuesit e teksteve, redaktorët, prindërit dhe nxënësit… Vetëm ata që do t‘ia nisin nga e para do ta kenë më të lehtë".

Në këtë kontekst problemi kryesor i një reforme eventuale sipas mendimit tim është që ajo përmbys raportet dhe zhvendos prioritetet. Në kohën tonë çështja qendrore në jetën e çdo individi dhe shoqërie është vendosja e prioriteteve. Cilat janë prioritetet e individit shqipfolës sot? Cilat janë sfidat me të cilën konfrontohet shoqëria shqiptare? Ajo ekonomike-financiare dhe ajo tekniko-shkencore. Kjo është detyra që ka shoqëria shqiptare sot dhe në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Synimi ynë është që të hyjmë në Bashkimin Evropian. E për këtë na duhet në radhë të parë shkolla, sepse vetëm njerëz të kualifikuar si duhet mund t‘i zgjidhin këto probleme. Prandaj shkolla është problemi ynë kryesor sot. Atje duhet t‘i përqendrojmë energjitë tona, duke u përpjekur të krijojmë një sistem arsimor të shkallës së lartë në të gjitha nivelet, duke filluar që nga kopshtet e deri tek Universitetet. Pra, a ka kuptim që në këtë fazë në të cilën ndodhet shkolla shqipe sot në Shqipëri dhe në Kosovë t‘i krijojmë asaj vështirësi të reja?

Në fund të fundit çështja shtrohet: reforma drejtshkrimore apo shkolla. Unë them shkolla. Reformën mund ta bëjmë edhe pas 50 vjetësh. Të paktën atëherë do të jemi më të përgatitur si shkencërisht, ashtu edhe ekonomikisht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›