E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, ndryshojnë çmimet

Ndryshimet thelbësore në strukturën e lartë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të sjellin rishikim të çmimeve të trojeve në qytetet më të mëdha të vendit.

Çmimet do të ulen aty ku janë rritur artificialisht, për të balancuar çmimin e një metër katrori në qytet, me atë të një metër katrori në fshat. Vlera e një metër katrori në zonat urbane do të jetë shumë herë më e lartë se ajo në zonat periferike. Çmimet e vlerës së tokës, megjithëse janë miratuar me vendim të Parlamentit, janë jo reale me vlerën aktuale të tregut. Kjo është pranuar edhe nga vetë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Është duke u menduar ngritja e një grupi pune që do të merret posaçërisht me këtë problem dhe më pas qeveria duhet të ndryshojë vlerën sesa kushton një truall, i përcaktuar në vendimet e mbledhjeve të mëparshme të qeverisë gjatë vitit të kaluar. Një ditë më parë, Kryeministri Berisha ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Besnik Mahon, dhe ka emëruar në këtë funksion Tunxh Vatnikaj. Gjatë ditës së djeshme Kryeministri u shpreh se "qeveria shqiptare është angazhuar për të çuar përpara procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave". Kryeministri garantoi se ky proces do të ketë gjithë përkushtimin e qeverisë shqiptare, për të marrë një dimension të ri në muajt që vijnë. "Të mendosh se Roma u ndërtua në një ditë është jorealiste, por të injorosh faktet e mëdha është absolutisht kundër produktive. Asgjë nuk bëhet e prerë me thikë, sepse nuk janë të tilla demokracitë. Demokracitë janë sisteme reformash. Por përpjekja jonë nuk do të reshtë para asnjë vështirësie për të shtyrë përpara këtë proces. Unë mendoj dhe për këtë kam një përkushtim të madh se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave do të marrë një dimension të ri gjatë muajve që vijnë", tha ai.

Harta e vlerës së tokës

Vlera aktuale e tokës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe miratuar nga Parlamenti pritet të pësojë ndryshime në disa qarqe të rëndësishme të vendit. Megjithatë, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, që merren direkt me çështjen e pronave, pohojnë se zona më e nxehtë ngelet kryeqyteti, për shkak të vlerave jo reale që janë të përcaktuara tashmë dhe që vazhdojnë të jenë në fuqi. Qeveria ka miratuar hartën e vlerës së tokës për 12 qarqet e vendit. Këto qarqe janë: Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Elbasani, Korça, Berati, Lezha, Kukësi, Dibra, Gjirokastra. Toka në 12 qarqet e vendit do të ketë shumë shpejt një çmim të ri zyrtar. Harta e vlerës së tokës u jep mundësi të gjithë ish-pronarëve si në qytet, ashtu dhe në fshat, të aplikojnë për kompensimin monetar dhe fizik. Çmimi i tokave në gjithë vendin është ndarë në tre kategori. Çmimet e trojeve urbane, çmimi i tokës bujqësore, si dhe çmimi i tokës që cilësohet si truall fshat. Në kryeqytet çmimi maksimal i trojeve urbane është 77523 lekë për metër katror, ndërsa çmimi minimal është 20473 lekë për metër katror. Kryeqyteti cilësohet dhe vendi ku çmimi i trojeve urbane është më i lartë. Ndërsa rrethi i Skraparit cilësohet si vendi ku çmimi i trojeve urbane është më i ulët. Çmimi minimal për këtë rreth është 640 lekë për metër katror, ndërsa çmimi maksimal 828 lekë për metër katror. Sipas hartës së vlerës së tokës, që ka marrë miratimin edhe në mbledhjen e qeverisë dhe në Parlament, qyteti bregdetar i Durrësit është dhe vendi ku toka ka vlerën më të madhe. Pra, çmimi maksimal i tokës për metër katror në Durrës është 44604 lekë. Durrësi ndiqet nga qyteti i Vlorës, ku një metër katror është 36 mijë lekë. Por problemet për këtë zonë nuk do të kenë të sosur. Deri tani ndërtimet pa leje të zonave urbanistike nuk janë përfshirë në procesin e legalizimit.

Lista e zonave sipas çmimeve

Emërimi i tokës për Tiranën:

Zonat urbane

1. Zona e ish-Bllokut 51000 lekë/m2

2. Rruga e Kavajës 51000 lekë/m2

3. Rruga e Elbasanit 51000 lekë/m2

4. Zona pranë pallateve nëntëkatëshe 71000 lekë/m2

5. Komuna e Parisit 75000 lekë/m2

6. Zona e Kombinatit 20500 lekë/m2

7. Zona e Laprakës 20000 lekë/m2

8. Bashkia Kamzë 2800 lekë/m2

9. Bashkia Vorë 3700 lekë/m2

Rrethet

Kukësi 18165 lekë/m2

Elbasani 16176 lekë/m2

Fieri 3593 lekë/m2

Vlora 36000 lekë/m2

Durrësi 44604 lekë/m2

Korça 27353 lekë/m2

Lezha 28740 lekë/m2

Dibra 23054 lekë/m2

Berati 16514 lekë/m2

Shkodra 31753 lekë/m2

Gjirokastra 22659 lekë/m2

Legalizimet, vazhdon diskutimi i draftit të ndryshuar

Toro: Ish-pronarët, të drejtë ankimimi në gjykatë

Komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka marrë sërish në shqyrtim nen për nen ligjin për legalizimet, të kthyer nga Presidenti i Republikës. Anëtarët e komisionit kanë rënë dakord dje që para miratimit të këtij ligji të dëgjohen edhe një herë ish-pronarët. Këta të fundit, të ardhur në komision menjëherë sapo janë lajmëruar nga sekretaria, gjatë fjalës së tyre kanë kërkuar që në ligj të futet propozimi i tyre, i cili është që "subjekti i shpronësuar të ketë të drejtë domosdoshmërish ta dërgojë çështjen në gjykatë kur nuk është dakord me këtë kompensim". Propozimi është bërë nga përfaqësuesi i ish-pronarëve, Agim Toro, propozim i cili as nuk është hedhur poshtë, por as nuk është miratuar nga komisioni, i cili ka vendosur se do ta analizojë në mbledhjen e ditës së hënë, ku grupi i ish-pronarëve do të sjellë me shkrim në komision të gjitha propozimet dhe mendimet, që ato kanë për nene të veçanta të ligjit. Pas mbledhjes së komisionit, e cila dje ka zgjatur për gati tri orë, Toro është shprehur se çështja që po diskutohet është një nga problemet me të mëdha dhe ne si ish-të shpronësuar kërkojmë që të zbatohet nga shteti ai premtim që ka marrë përsipër. "Ne, tha Toro, e shikojmë veten në konflikt me ligjin e legalizimeve në pikën e zgjidhjes së problemit për të drejtat e subjekteve të shpronësuara, tokat e të cilëve janë zënë me ndërtime të paligjshme". Sipas ish-pronarëve, amendimet e bëra nuk e zgjidhin drejt këtë problem, aq më tepër që problemi i kthimit të pronave është një problem që duhet domosdoshmërish të zgjidhet paraprakisht me një shpronësim të drejtë. Dhe mbi të gjitha, të jetë një marrëveshje midis subjektit të shpronësuar dhe shtetit që do të bëjë legalizimin. Ndërsa deputeti i PS-së, i cili drejton edhe Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Ylli Bufi, është shprehur se komisioni po diskuton nen për nen të gjithë ligjin. Bufi theksoi se "falë konsensusit po gjejmë një gjuhë të përbashkët, për sa i takon formulimit të amendamenteve që kanë lidhje me kompetencat e pushtetit vendor dhe të ALUIZN-it. Në lidhje me kompetencat e pushtetit Vendor, tha Bufi, ne i rikthehemi ligjit ekzistues duke i dhënë kompetencën bazë, e cila është kualifikimi i ndërtimeve pa leje, që e mban përsëri pushteti vendor. Por, ka theksuar ai, pushteti vendor nuk mund ta mbajë pa kufi, ndaj i kemi venë një afat dhe kemi rënë dakord që kjo do të jetë edhe dy muaj të tjerë. Në qoftë se pushteti vendor nuk do ta zbatojë këtë kompetencë, atëherë ALUIZN-i do të vazhdojë punën në bazë të ligjit". Gjithashtu konsensusin dhe frymën e bashkëpunimit në komision e ka vlerësuar edhe deputeti i PD-së, Ardian Kollozi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›