A po lë pas Berisha gropë financiare, me parimin pas meje u bëftë qameti?
Fjala e Edi Ramës në grupin e ri parlamentar socialist, përmbante dhe këtë mesazh drejtuar kryeministrit në detyrë: Më vjen keq që për shkak të sjelljes me paratë e popullit dhe pasuritë kombëtare këto ditë duhet të ua kujtojmë përsëri se janë mundur aq keqazi, por e kemi detyrë publike që ta ndalin projektin e tyre rrënues, janë në të drejtën e tyre ta interpretojnë verdiktin e popullit, por e kanë humbur të drejtën të marrin vendime me kosto materiale në dëm të sovranit. Në fakt, këto ditë kanë qenë jo të pakta thirrjet e eksponentëve socialistë, që qeveria në ikje të bëjë kujdes me financat, nisur edhe nga zbatimi i vendimit për rritjen e rrogave dhe pensioneve pas zgjedhjeve. Ideja e një zbrazjeje finale të arkës së shtetit nga Berisha, është e pranishme mes të majtëve, teksa po zhvillohet sot edhe ankandi i bonove me vlerë rreth 250 milionë dollarë sipas procedurave të organizuara nga Banka e Shqipërisë. Për shkak të mungesës së të ardhurave nga tatimet dhe doganat, përballë nevojës për të mbyllur hesapet e paga-pensioneve, por edhe për faturat e prapambetura ndaj kompanive private, ky borxh i fundit, sipas gazetës Shqip, ka shtënë dyshime për larje hesapesh të qeverisë në ikje për klientët e saj. Kuptohet, kusuret i mbeten qeverisë së re.