I përzgjedhuri
Partia Demokratike gjendet përpara një riformatimi historik në njëzet vjet. Gjasat që të shpien në bindjen pse Lulzim Basha do të jetë Kryetari i ri i PD-së dhe zërat që e kërkojnë (me të drejtë) fillimin e ri tek analiza e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit
Nga Renato Kalemi*
Katër vjet më parë, kur kryeministri Berisha hapi garën për kreun e Partisë Demokratike në Tiranë, ra (me dashje) pre e lapsusit frojdian. Në fakt, i pyetur për emrat që garonin për ti zënë vendin Sokol Olldashit, ai nuk ngurroi të përgjigjej se Aldo Bumçi është një kandidaturë e shkëlqyer. Kjo mjaftoi për të kuptuar shijen e kryetarit të PD-së në atë përballje, ndërsa delegatët e konferencës kombëtare të selisë blu morën mesazhin se për kë duhet të votonin pas dy ditësh. Edhe dy kandidatët e tjerë, Gjergj Bojaxhi dhe Lajla Përnaska, i prenë shpejt shpresat ato pak që kishin, gjithsesi. Bumçi fitoi me 559 vota nga 826 të mundshme.
Pasi u dorëhoq nga drejtimi i PD-së, tre ditë pasi humbi rëndë në zgjedhjet e 23 qershorit, pritej që Berisha të distancohej nga jeta e brendshme e partisë për ta lënë atë në rrugën e formatimit të domosdoshëm. Pritej së paku, mbledhja e strukturave për të analizuar arsyet që sollën disfatën në zgjedhje e mandej, procedurat për të zgjedhur kryetarin e ri të PD-së. Por, nuk u desh shumë kohë të kuptohej se, ashtu si në rastin e Bumçit, Berisha do të ndiqte aktivisht garën e brendshme në selinë blu, duke u kthyer në bariun që kujdeset për tufën e tij dhe që kërkon ta lërë atë në duar të sigurta, mundësisht dikujt tek i cili ai beson pa mëdyshje. Ndryshe nga çbëri Fatos Nano në vitin 2005 kur u gjend në të njëjtat pozita. Ai zgjodhi rrugën e dytë, zgjedhjen sa më shpejt të Kryetarit të ri të PD-së, duke anashkaluar analizën për humbjen e rëndë në zgjedhje. Të cilën, në fakt, nuk e ka bërë asnjëherë, as në zgjedhjet vendore të 2007-ës, kur PD-ja humbi përballë aleancës PS-LSI, dhe as në 2011-ën, kur dështoi në të gjitha bashkitë e mëdha dhe fitoi në tavolinë Bashkinë e Tiranës. Rezultati i atyre zgjedhjeve ishte një shenjë se opozita e majtë po fitonte terren, edhe pa e pasur në krah LSI-në.
Por, le ti kthehemi garës që PD-ja ka hapur për të zgjedhur kryetarin e ri. Për herë të parë nga koha e themelimit, kreu i selisë blu do të zgjidhet sipas parimit një anëtar, një votë, të cilit vetë Berisha nuk iu nënshtrua asnjëherë gjatë mbretërimit të tij. Ai ka vendosur të jetë mbikëqyrësi i procesit edhe pse ka dhënë dorëheqjen. Një veprim të cilin shumë e komentojnë si një imponim për ta caktuar ai vetë pasardhësin e tij, edhe pse ka bërë thirrje për një garë jo fiktive, por të drejtë e të barabartë. Një pasardhës që shumë veta janë të gatshëm të vënë dorën në zjarr se do të mbajë emrin e Lulzim Bashës; njeriu më i afërt i familjes, një beniamin i Berishës që nga viti 2004 kur u shfaq për herë të parë në PD, por edhe i besuari i tij, pozitat e të cilit në selinë blu janë rritur kaq shumë vitet e fundit, saqë ka kaluar edhe mbi dy figurat e vjetra si Ridvan Bode apo Jozefina Topalli.
Tashmë është vendosur se gara për Kryetarin e ri të PD-së do të jetë midis Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit. Ndonëse kuotat e Bashës janë shumë herë më të larta në parti, Olldashi është një tjetër nga djemtë e rinj të PD-së që dikur cilësohej si beniamin i Berishës. Por, kësaj here duket se atij do ti duhet të dorëzohet para emrit të Bashës, kartat e të cilit flasin qartë se ka ardhur koha të jetë Kryetar i PD-së. Takimi me Berishën një ditë përpara se Olldashi të shpallte kandidaturën për kryetar, mund të është një e dhënë interesante, e cila ka disa pikëpyetje brenda. Pse duhet një kandidat për kryetar të PD-së tia paraqesë vendimin e tij së pari kryetarit të dorëhequr përpara se ta bëjë publik? Një pyetje e cila mund të ketë së paku dy përgjigje të ndryshme: Se Berisha është tërheqësi i vetëm i fijeve në PD dhe ai duhet të jetë në dijeni të gjithçkaje që lidhet me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri (sepse në fund do të bëhet si thotë ai), ose ky takim vjen si një kërkesë e Berishës ndaj Olldashit që ai të kandidojë dhe humbë përballë Bashës, për ti dhënë legjitimitetin e nevojshëm garës, nga ku do të nisë riformatimi i PD-së në opozitë.
Përpara se Olldashi të shpallte kandidaturën e tij, emra si Bode, Topalli, Astrit Patozi apo Eduart Selami dhe Edi Paloka, kishin deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e garës. Duke shpenzuar fjalët më të mira për Berishën si lider historik i PD-së, pa të cilin e djathta nuk kishte kuptim, ata u tërhoqën nga gara edhe për faktin se asnjëri prej tyre nuk ishte i përzgjedhuri. Kështu, ata hoqën çdo lloj dyshimi dhe i hapën rrugën përballjes Basha-Olldashi. Këta të dy kanë mjaft të përbashkëta me njëri-tjetrin, duke nisur që nga pëlqimi që Berisha ka ndaj tyre, të cilin, ai e ka vërtetuar me postet që u ka besuar gjatë tetë viteve në qeverisje. Si Basha, ashtu edhe Olldashi kanë drejtuar një nga ministritë më të rëndësishme të qeverisë, atë të Punëve Publike dhe Transportit. Po ashtu, në kohë të ndryshme ata kanë mbajtur edhe Ministrinë e Brendshme, si dhe janë përzgjedhur nga Berisha për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës, në 2007 dhe 2011. Në 2007-ën, Olldashi pësoi një disfatë në Tiranë, por megjithatë Berisha e rimori në kabinetin qeveritar, pavarësisht se ai nuk ishte më deputet i PD-së. Ndërsa për Bashën, gjërat shkuan ndryshe në 2011-ën, dhe pas humbjes në 23 qershor ai mbetet realisht njeriu më i pushtetshëm në PD, duke qenë edhe kryetar u Bashkisë së Tiranës. E nëse gjërat shkojnë sipas planit dhe Basha do të zgjidhjet kryetar i PD-së, ai do ta gjejë veten njësoj si Edi Rama në vitin 2005, kur u bë kryetar i PS-së në opozitë dhe kryebashkiak i Tiranës.
Të flasësh për kandidatura të tjera që mund të jenë pjesë e garës për kryetar të PD-së duket një kuturisje e kotë, pasi emrat e parë që janë shprehur pro futjes në garë, ose janë skualifikuar direkt ose nuk janë pranuar fare nga sekretariati i selisë blu. Këtë fat ka pasur Aleksandër Biberaj, një nga figurat e vjetra të PD-së, i cili para disa kohës u largua nga selia blu për të formuar Frymën e Re Demokratike, e më pas u largua edhe nga kjo e fundit për përplasjet me kryetarin Bamir Topi. Administrata ka marrë urdhër për të mos e pranuar dosjen time për të kandiduar për kreun e PD. I bëj thirrje kryetarit aktual të PD-së të hapë realisht garën, kanë qenë fjalët e tij, pasi mësoi refuzimin për të qenë pjesë e garës. Sipas sekretariatit të PD-së, Biberaj nuk mund ta kandidojë për kryetar pasi nuk është më pjesë e partisë, pas largimit nga ajo dy vjet më parë. Biberaj ka sqaruar se nuk e ka tërhequr anëtarësinë nga PD-ja dhe realisht vazhdon të jetë anëtar i saj, ndërsa FRD-në e cilësoi një kapi