A po vjen fundi për Sharm El Sheikh?
Pushimet në resortet e bukura të Detit të Kuq në Egjipt shpejt mund të jenë thjesht një histori. Vëllazëria Myslimane, që ka fituar me sukses raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare, është vendosur që ta çlirojë rajonin e Sharm El Sheikh nga mëkatet.
Një nga kandidatët e Vëllazërisë Myslimane tha se turistët nuk kanë nevojë të pinë alkool kur vijnë në Egjipt, kanë boll në shtëpitë e tyre.
Ata vijnë këtu për të parë një civilizim antik, jo për të pirë alkool, u tha mbështetësve Aza Al Jarf. Një klerik tjetër ka bërë thirrje për atë që njihet me emrin Turizmi hallall. Shumë druhen se një masë do jetë ajo që nuk do lejojë çiftet të flenë bashkë në një dhomë në hotel. Natyrisht këtu përfshihen edhe plazhet e ndara.
Vëllazëria Myslimane megjithatë është nën presion të madh. Mbështetësit kërkojnë masa të tilla, por nëse ndodh diçka e tillë kjo do ishte shkatërrimtare për ekonominë.
Të dielën, kryeministri i përkohshëm shpërtheu në lot kur tha se gjendja e ekonomisë është më keq sa imagjinohet.