E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperti i OKB: Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur emigrantët

Share

Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut për migrantët, z. François Crépeau, inkurajoi Shqipërinë të sigurojë mbrojtje të mëtejshme të të drejtave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë apo që janë kthyer në atdhe, si edhe të migrantëve të huaj që vijnë në Shqipëri. Gjithashtu, ai  i kërkoi Bashkimit Europian më shumë përqendrim në të ardhmen tek të drejtat e njeriut, në kuadrin e përpjekjeve të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Në përfundim të vizitës së tij faktmbledhëse nëntë ditore në Shqipëri, z. Crépeau deklaroi: Do ti inkurajoja autoritetet shqiptare që në partneritet me të gjithë sektorët e shoqërisë, të hartojnë dhe zbatojnë një strategji kombëtare për të drejtat e njeriut, e cila ketë në qendër të vëmendjes të të gjitha ligjeve, politikave dhe programeve të drejtat dhe mirëqenien e të gjithëve, duke përfshirë edhe ato të migrantëve.

Si një hap të parë, eksperti inkurajoi qeverinë shqiptare të vijojë  me grumbullimin e  të dhënave të besueshme në lidhje me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe për personat e kthyer, si edhe për të huajt në Shqipëri, të cilat do të shërbejnë si themele të besueshme për hartimin e politikave që bazohen tek njohja dhe respektimi i të drejtave të tyre.

Në lidhje me kapacitetet, burimet dhe kufizimet e ekspertizës së zyrave konsullore shqiptare për tiu përgjigjur dhe trajtuar siç duhet nevojat dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, Raportuesi i Posaçëm theksoi se: Afërsisht një e treta e popullsisë shqiptare jeton jashtë kufijve të saj. Pjesa më e madhe e tyre ndodhen në Greqi dhe Itali, me status të rregullt ose jo. Në këtë kuadër, Raportuesi i Posaçëm mirë priti informacionin e marrë nga qeveria shqiptare në  lidhje me fuqizimin e shërbimeve konsullore.

U informova në lidhje me vështirësitë për regjistrimin civil të fëmijëve të emigrantëve që janë shtetas shqiptarë, sidomos kur prindërit janë pa dokumente- tha z. Crépeau, duke tërhequr vëmendjen në veçanti për të drejtat e fëmijëve, personave të cilëve u është hequr liria dhe personave të mbetur pa mbrojtje të të drejtave të tyre sociale.

Çdo foshnje gëzon të drejtën të regjistrohet në regjistrin e gjendjes civile menjëherë pas lindjes, të ketë një emër dhe një kombësi. Është e papranueshme që fëmijët të lindin dhe të jenë pa shtetësi në Evropën e ditëve tona, ritheksoi ai. Qoftë Shqipëria, qoftë vendet pritë se duhet të marrin masa urgjente për trajtimin e kësaj situate.

Raportuesi i Posaçëm shprehu shqetësimin e tij për situatën e shtetasve shqiptarë që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilët përballen me procedura gjyqësore apo të cilëve u është hequr liria, duke përfshirë minorenët, si edhe theksoi që shpesh mbrojtja e tyre në gjyq është e dobët, gjë që çon në dënime të padrejta dhe/ose të tepërta. Më tej, Raportuesi shtoi: Rekomandimi im për qeverinë shqiptare do të ishte të forconte dhe të rriste numrin e stafit si edhe ekspertizën e zyrave të saj konsullore për tu dhënë më mirë rrugë dhe zgjidhje nevojave të shumëfishta të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut.

Z. Crépeau theksoi se: Qeveria shqiptare duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për tu ardhur në ndihmë dhe për të asistuar personat e kthyer, pavarësisht nëse këta persona janë të kthyer me vullnetin e tyre apo me forcë. Rritja ekonomike e kohëve të fundit në Shqipëri, bashkë me uljen e varfërisë në njërën anë dhe kriza ekonomike e vendeve fqinje nga ana tjetër ka bërë që shumë shqiptarë të kthehen në atdhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›