AAK: Nuk ka koalicion me VV, as votë për Glauk Konjufcën

PRISHTINË, 15 nëntor/ATSH/ Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hedhur poshtë mundësinë për koalicion me Vetëvendosjen për formimin e qeverisë së re, duke paralajmëruar votë kundër të mandatuarit Glauk Konjufca.
Vetëvendosja ka dështuar të formojë qeverinë në tentimin e parë më 26 tetor, pasi Albin Kurti nuk mori votat e mjaftueshme në Kuvend.
Presidentja Vjosa Osmani i ka dhënë shansin Glauk Konjufcën, si i propozuar i dytë për të marrë mandatin nga Lëvizja Vetëvendosje për kabinetin e ri qeverisës, afati për paraqitjen e të cilit do të përfundojë brenda pak ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje ndërkohë i ka bërë ftesë AAK-së në lidhje me formimin e qeverisë, por kjo e fundit në takimin e sotëm ka dalë me qëndrim kategorik kundër dhe me kërkesën për shkuarje në zgjedhje të parakohshme si rrugë e vetme për dalje nga kriza.
Zëdhënësi i kësaj partie Kushtrim Xhemaili ka sqaruar se nuk ka asnjë mundësi për koalicion me Vetëvendosjen dhe se AAK nuk do ta votojë Glauk Konjufcën apo dikë tjetër për kryeministër nga radhët e partisë së Albin Kurtit.
Në rast dështimi edhe në tentimin e dytë për sigurimin e 61 votave nga Glauk Konjufca i VV-së, sipas afateve kushtetuese e para e vendit tonë brenda 40 ditësh duhet të shpallë zgjedhje të reja.
/Kosovapress/