AAK-ja i “kapet” Ministrisë së Bujqësisë për kulturat pranverore

Këta të fundit kanë përgjigje për krejt akuzat që u janë bërë. Thonë se këtë vit për herë të parë do të subvencionohen disa mbjellje pranverore, ndërsa për imputet thonë që kushdo që din ndonjë rast ta lajmërojë, por që sipas tyre ato vazhdimisht testohen nga ekspertë të kësaj fushe.
Kryesuesi i Departamentit të Bujqësisë në AAK, Imer Rusinovci ka pohuar të martën se janë të rrejshme premtimet se bujqësia është prioritet, ngase sipas tij, shumë sipërfaqe po shndërrohen në djerrina, dhe se do të kemi sërish shkallë të madhe të importit për prodhimet ushqimore, e në raste të caktuar mund të kemi hiper prodhim të ndonjë produkti të caktuar.
Sipas Rusinovcit, 50 për qind e nevojave ushqyese me grurë në vendin tonë janë importuar.
“Po qesë e shikoni statistikën vetëm shkallën e importit të drithërave në përgjithësi dhe grurit, në veçanti që ka pasur nga korriku deri tek viti i ri, ju bënë të kuptoni se rreth 50% të nevojave ushqyese të popullatës me grurë janë importuar. Kjo, të bënë të kuptosh që qoftë për grurin, qoftë për misrin që janë si kultura dominuese lavërtare, por edhe perimet e tjera, çdo herë pasqyra, përkatësisht raportet që paraqiten janë të rrejshme dhe nuk janë të sakta”, ka thënë ai.
Ministria e Bujqësisë ka një përgjigje për këtë. Këshilltari në këtë ministri, Adil Behramaj ka pohuar se ata shërbehen me të dhënat e komunave, dhe çdo vit u shpërndahen komunave formularët sa i përket sipërfaqeve që planifikohet të mbillen.
Behramaj bënë të ditur se vitin e kaluar kanë qenë rreth 110 mijë hektarë, ndërsa për këtë vit ende nuk janë plotësuar të dhënat nga të gjitha komunat. Ndër të tjera ai tregon se për herë të parë do subvencionojnë disa mbjellje pranverore.
“Mbjelljet pranverore ne si ministri, për herë të parë këtë vit do t’i subvencionojmë, në kuadër të këtyre subvencionimeve janë kultura e misrit, e lulediellit, kolzës dhe sojës, që janë kultura vajore, dhe për herë të parë do ta subvencionojmë edhe prodhimtarinë e farës së grurit që është për mbjellje, që është mbjellë në vjeshtë, mirëpo sipërfaqet e mbjella do t’i përkrahim tani”, ka thënë ai.
Por, Departamenti i Bujqësisë në AAK, thonë se ka edhe shumë probleme të tjera. Rusinovci shprehet se ky sektor është i anashkaluar dhe qëllimisht po lihet në varshmëri të importit.
Ndër të tjera, ai bënë thirrje tek të gjithë fermerët që të përdorin impute cilësore për mbjelljet e tyre.
“Furnitorët, të cilët e furnizojnë tregun tonë me impute të caktuara, siç janë farërat, pesticidet, plehrat dhe shumë të tjera, janë të familjarizuar, dhe janë licenca që ipen me krah partiak, gjë për të cilën ne nuk mund të pajtohemi, sepse ato dita-ditës janë të dyshimta. Ministria e Bujqësisë as edhe një herë nuk kanë dal me ndonjë raport transparent, apo ndonjë analizë ta bëjë, qoftë për farërat, plehrat, apo pesticidet, dhe kjo ndikon që prodhimi bujqësor të jetë gjithnjë e më i ulët”, ka thënë ai.
Ndërsa Behramaj pohon se imputet që hyjnë në Kosovë të gjitha kontrollohen disa herë dhe në mënyrë profesionale. Por edhe ai bënë një thirrje, që të gjithë që hasin në ndonjë rast të imputeve të dyshimta, ta lajmërojnë në ministri.
“Janë deklarata politike dhe vlerësime subjektive, sepse secili imput bujqësor që importohet nga vendet e rajonit, qoftë edhe atyre shumë fqinje, importohen në mënyrë të rregullt. Mostrat e tyre merren në kufi, testohen në institutin bujqësorë të Kosovës, janë inspektorët sanitar, fito-sanitar që veprojnë në pika kufitar. Mirëpo apelojë që secili, e edhe grupi i ekspertëve të AAK-së, që nëse dinë ndonjë rast konkret, ta adresojnë në ministri, sepse deri më tani vetëm një rast është i adresuar e që është në Gjykatën Supreme”, ka thënë ai.
Departamenti i Bujqësisë në AAK, thonë se ndër problemet më të mëdha në këtë ministri, është mungesa e planifikimit paraprak, e që sipas tyre, sjellë deri tek hiper prodhimi për disa produkte. (Kosovapress)