AFP: Arkivole me shqiptarë po kthehen nga Siria (po këtu nuk e ngre kush zërin)
Agjencia franceze AFP, në një reportazh të sajin, thotë se dhjetëra shqiptarë janë bashkuar me rebelët në Siri, duke dhënë jetën kundër regjimit të presidentit Bashar al- Asad.
Shumë prej tyre kthehen në qese trupash pranë familjeve të tyre, të cilat nuk e dinë se ata janë bashkuar me rebelët në luftë.
Migena Maliqaj, një shqiptare, nuk ka dëgjuar gjë nga i shoqi, Halili, që prej nëntorit, kur ai i tha se do largohej nga shtëpia, në Prush të Tiranës, për të gjetur punë në Turqi.
Në qershor ajo mori një mesazh nga një numër i panjohur, ku i thuhej se Halili ishte vrarë në Siri.
Maliqaj nuk pranoi të fliste për AFP-në.
Nëna e Ermal Xhelos dëgjoi për angazhimin e djalit të saj në Siri vetëm kur trupi i 35 vjeçarit mbërriti në qytetin e lindjes, në Vlorë. Edhe ai kishte thënë se do shkonte të punonte në Turqi.
Familja Xhelo po ashtu refuzon që të flasë, raporton AFP.
Por jo vetëm në Shqipëri, edhe nga Kosova po vërshojnë luftëtarët e xhihadit drejt Sirisë.
Nëse Rusia, Irani dhe Hezbollahu nuk hezitojnë të mbrojnë presidentin Asad dhe regjimin e tij, që vret njerëz, madje edhe fëmijë, pse duhet të hezitojmë ne që të ndihmojmë sirianët, thotë për AFP një 40 vjeçar nga Podujeva, që po bëhet gati për të udhëtuar për në Siri.
Por nëse problemi është kaq i përhapur, shqetësues është fakti që autoritetet në Shqipëri nuk flasin./ep