E Shtunë, 31 Tetor 2026

A/H1N1, 19 raste në vendin tonë

Numri i rasteve me grip derrash në Shqipëri mbërrin në 19 persona. Pas 8 rasteve të konfirmuar edhe nga Laboratori i Referencës në Londër, Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se janë dërguar për konfirmim edhe 11 raste të reja, që në laboratorin tonë kanë rezultuar pozitivë. Sipas Silva Binos, specialiste pranë këtij instituti, 11 rastet ka shumë gjasa të konfirmohen, pasi kështu ka ndodhur edhe me pacientët e dyshuar më parë.
Bino bën të ditur se numri i pacientëve të prekur deri më tani, i përket moshës aktive të popullatës nga 24 deri 45 vjeç. Megjithatë, specialistja e ISHP-së, përcjell lajmin e mirë se rastet e konfirmuar në vend kanë dëshmuar se kemi të bëjmë me një formë të lehtë të pandemisë së gripit të derrave.
Sipas Binos, numri më i madh i pacientëve dhe rasteve të dyshuar me A/H1N1 janë nga Tirana, por nuk mungojnë edhe rastet nga rrethet. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik dëshmojnë se janë në proces edhe mbi 290 mostra të tjera, ndërkohë që çdo ditë paraqiten mostra të reja të marra nga poliklinika dhe qendra shëndetësore të ndryshme të vendit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›