AIDSSH dhe Fakulteti i Shkencave Sociale, projekte për edukimin mbi të kaluarën totalitare

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Projektet që lidhen me edukimin mbi të kaluarën totalitare ishin në qendër të një takimit të zhvilluar sot mes kryetares së Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe prof. dr. Arjana Muça, përgjegjëse e Katedrës së Pedagogji-Psikologjisë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale.
Gjatë takimit u vlerësua platforma edukative “Mësojmë nga e kaluara,” konceptuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Kjo nismë synon zbatimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse nëpërmjet partneriteteve akademike dhe përfshirjes aktive të studentëve.
Platforma do të angazhojë posaçërisht studentët e mësuesisë dhe mësuesit e lëndëve të Historisë, Gjuhës, Letërsisë, Qytetarisë dhe Filozofisë, duke ofruar mundësi për të eksploruar tema të ndërlidhura me periudhën totalitare.
Ndër veprimtaritë që do të zhvillohen përfshihen leksionet e hapura, klubet e librit, punimi me dëshmi gojore dhe profilizimi i individëve të prekur nga regjimi, përfshirë të dënuarit politikë dhe të zhdukurit.
Gjithashtu, në takim u theksua rëndësia e qasjes gjinore dhe drejtësisë për të miturit në trajtimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe nevoja për të edukuar mbi traumat historike dhe pasojat e tyre.
Ky projekt, përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe aktorëve akademikë, do të ndihmojë në formimin e një brezi të ri të mësuesve dhe studentëve të vetëdijshëm për historinë, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të ndërgjegjshme.
AIDSSH falënderoi prof. dr. Arjana Muçën për bashkëbisedimin frytdhënës dhe mbështetjen në këtë nismë të rëndësishme.
1 nga 7/k.s/r.e/a.f/