E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Forumi për të Drejtat e Njeriut, HR30, Krasniqi: Gjuha e urrejtjes, shqetësim mbarëbotëror

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi mori pjesë në Forumin për të Drejtat e Njeriut, HR30, “Empower Talk: Qëndresa Kundër Urrejtjes dhe Përqafimi i të Drejtave”, organizuar në Tiranë nga qeveria shqiptare dhe Universiteti “Essex” në Angli.

Në fjalën e saj në këtë forum, Krasniqi theksoi se “në epokën moderne të komunikimit, ku jetojmë sot, gjuha e urrejtjes është kthyer në shqetësim mbarëbotëror”.

“Ndër shumësinë e sfidave të kohës që po jetojmë, natyrshëm nënvizohet edhe nevoja për të trajtuar rastet në rritje të gjuhës së urrejtjes”, tha Krasniqi.

Kryetarja e AMA-s, Krasniqi u shpreh se “sot diskutohet për raportin e gjuhës së urrejtjes me liritë themelore, për raportin e gjuhës së urrejtjes me ligjin, me median, për ndikimin e internetit dhe rrjeteve sociale, për vetërregullimin dhe bashkërregullimin e hapësirës virtuale që duket se ka hapur dimensione të reja”.

“Në këtë panoramë, sfida ekziston si për median ashtu edhe për rregullatorët, siç është AMA. Ne kemi punuar duke u mbështetur në disa shtylla: reformat ligjore, përafrimi me legjislacionin e BE dhe ndjekja e shembujve perëndimorë, respektimin e të Drejtës për Informim dhe Edukimin Mediatik të Publikut, si investimi më i mirë për krijimin e një audience të mençur dhe vendimmarrëse”, tha Krasniqi.

1 nga 6

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›