E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AIDSSH shfaq tre dokumentarë për rëndësinë e të Drejtave të Njeriut

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) organizoi aktivitetin “Në emër të Njeriut”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Aktiviteti, i cili u zhvillua në ambientet e AIDSSH, kishte për qëllim të theksonte rëndësinë e ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut dhe pasojat e regjimeve totalitare në Shqipëri, përmes shfaqjes së tre dokumentarëve të rëndësishëm.

Kryetarja e AIDSSH, Gentiana Sula theksoi se “rishqyrtimi i historisë është një hap i domosdoshëm për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të përballuar sfidat që ende vijojnë nga trashëgimia e regjimit totalitar”.

“Lëvizja për shqyrtimin e historisë është një akti i jashtëzakonshëm i kurajës dhe integritetit. Ky proces është një mundësi për të ripërtërirë kujtesën tonë kolektive dhe për të ndihmuar shoqërinë të kuptojë se historia nuk është vetëm e shkruar, por gjithashtu ndërtuar nga të vërtetat e fshehura”, theksoi Sula.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe të drejtësisë në procesin e përballjes me të kaluarën komuniste tha se “ky aktivitet na jep mundësinë të nderojmë publikisht ish-të përndjekurit politikë dhe familjet e tyre. Por kujtesa nuk është vetëm për ata që jetuan në ato kohë famëkeqe; ajo është gjithashtu për brezat e ardhshëm. Edhe ata duhet të kujtojnë zhdukjet e ndodhura gjatë regjimit komunist dhe të nderojnë viktimat e represionit dhe heshtjes. Kjo na kujton nevojën për të mbrojtur natyrën universale dhe të pandashme të të drejtave të njeriut”.

Ambasadori Gonzato theksoi gjithashtu rolin e AIDSSH dhe të partnerëve të saj në adresimin e çështjes së të zhdukurve gjatë periudhës komuniste.

“Sot është gjithashtu një mundësi për të njohur punën, rolin dhe përkushtimin e atyre që po angazhohen në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë komunizmit në Shqipëri, veçanërisht të Autoritetit të Dosjeve. Ajo që çka ju bëni në ruajtjen e dokumenteve, në bërjen e tyre të aksesueshme, në nxitjen e debatit dhe në promovimin e drejtësisë është e paçmuar”, tha Gonzato.

Në këtë aktivitet, të organizuar në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, Delegacionin Evropian në Shqipëri, ISKK, Fondacionin “Kujto.al” dhe ICMP, u shfaqën dokumentarët e mëposhtëm:

“Revolta që tronditi diktaturën” – një dokumentar që pasqyron revoltën e të burgosurve politikë në kampin e Spaçit më 1971, përmes dëshmive dhe materialeve arkivore, i prodhuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, me skenar të Ergys Mërtirit dhe regji të Indrit Kasmit.

“Muzeu Virtual i Kampeve të Maliqit” – një rikrijim digjital i kampeve të punës së detyruar në Tepelenë dhe Maliq, bazuar në dëshmitë e të mbijetuarve dhe dokumente të kohës. Bashkëpunimi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit dhe Fondacionit-Konrad-Adenauer, me skenar të Luljeta Lleshanakut dhe regji të Elton Baxhakut.

“Varret pa emër” – një dokumentar që hedh dritë mbi varret masive të periudhës komuniste dhe përpjekjet për identifikimin e viktimave të regjimit. Dokumentar i prodhuar nga Fondacioni Kujto, mbështetur nga Programi i granteve të vogla të ICMP, financuar nga BE dhe Ambasada e Zvicrës.

Pas shfaqjes së filmave, aktiviteti vazhdoi me diskutime dhe pyetje nga audienca, duke ofruar një mundësi për reflektim dhe bashkëbisedim mbi tematikat e trajtuara. Ky aktivitet ishte një hap i rëndësishëm në procesin e ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe përpjekjeve për një të ardhme demokratike dhe të qëndrueshme.

1 nga 9

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›