E Diel, 1 Nëntor 2026

AK: Më 28 nëntor në Morinë, do prezantojmë themelet e koalicionit kuqezi

Aleanca KuqeZi ka hedhur ditën e premte bazat e mundshme të një koalicioni të përbërë me 12 parti patriotike, të cilat kanë shprehur vullnetin e plotë të bashkimit me AK. Krerët e 12 partive pjesëmarrëse në takimin e parë me drejtuesit e Aleancës KuqeZi, kanë shprehur optimizmin për nisjen e këtij bashkëpunimi si nevojë e domosdoshme për sjelljen e ndryshimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare te vitit 2013.

Kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i AK, Myslim Pashaj, biseduan për disa orë me krerët e 12 partive të vogla, të cilat kanë rënë dakord në këndvështrimin e unifikimit dhe bashkimit me Aleancen KuqeZi si e vetmja mundësi për të larguar nga pushteti i grabitur partinë-shtet.

12 partitë e pranishme në takimin me kryetarin e AK, Kreshnik Spahiu, kanë në programin dhe ideologjinë e tyre kauzën kombëtare. Për Aleancën KuqeZi janë pikërisht lëvizjet patriotike që do të fitojnë në zgjedhjet e vitit 2013.

Gjatë diskutimeve të krerëve të 12 partive të bashkuara me AK, largimi i Berishës nga politika është kushti kryesor i bashkëpunimit.

Në tryezë u diskutua edhe mënyra e festimit të 100 vjetorit të pavarësisë, ku 12 partitë shprehën mbështetje për projektin e kuqezinjve për një bashkim në kufirin Shqipëri-Shqipëri. Krerët e partive njoftuan një pjesëmarrje masive më 28 nëntor në Morinë ku dhe do të prezantohen themelet e koalicionit kuqezi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›