Tjetër takim Rama- Meta, ndërkohë që marrëdhëniet PD- LSI përkeqësohen
Edi Rama dhe Ilir Meta pritet të takohen sërish brenda gjashtë muajve. Ky do jetë takimi i katërt i tyre. Takimi pritet të realizohet sot, ndërkohë që liderët e PS dhe LSI janë në Bruksel, ku do marrin pjesë në konferencën e Partive Socialiste Europiane.
Disa të përditshme shkruajnë se ata të dy mund të jenë takuar që dje, pasi janë në një hotel bashkë.
Shqiptarja.com shkon më tej, kur thotë se ata do të vijnë me një platformë bashkëpunimi në Tiranë.
Ende nuk dihet sa e vërtetë është kjo, por dihet tashmë që marrëdhëniet mes PD dhe LSI nuk janë në ditët më të mira.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që është një kundërshtare e madhe e LSI, sulmoi këtë parti, duke thënë se ata mund të fitojnë zgjedhjet edhe pa të. Përgjigja nuk ka munguar, nga Ylli Manjani, që tha se përgjegjësia e koalicionit bie mbi PD.
Ndërkohë media të tjera si Shqip thonë se edhe Këshilli Bashkiak i Tiranës është bllokuar për shkak të qëndrimit të LSI.