AK: Qeveria Gruevski shkaktare e dhunës ndëretnike

Ndaj dhunës kundër shqiptarëve në Maqedoni ka reaguar sot edhe Aleanca Kuqezi. Në deklaratën e këtij subjekti politik thuhet:
Me shqetësim shumë të madh, Aleanca Kuqezi konstaton kohët e fundit që në shtetin fqinj të Maqedonisë janë rritur tensionet ndëretnike shqiptaro-maqedone, si pasojë e valës së dhunshme nacionaliste, etno-centriste dhe tërësisht racore të ushtruar nga faktorë maqedonë kundër shqiptarëve, nga fëmijët e shkollave e deri në rrugët e sheshet e Shkupit. Arsyetimi i kësaj vale dhune antishqiptare ishte emërimi në postin e Ministrit të Mbrojtjes, i Z Talit Xhaferi, që është një personalitet me vlerë e kontribute të mëdha.
Përballë kësaj situate në përshkallëzim, Qeveria Gruevski nuk demonstroi as aftësi dhe as vullnet, duke inkurajuar me qëndrimin e saj urrejtjen ndëretnike në vënd. Qarqe të dukshme dhe të padukshme, të brëndshme dhe Rajonale kanë synim shkatërrimin e Maqedonisë. Cënimi i marrëdhënieve ndër-etnike shqiptaro-maqedone është pjesë e këtij skenari. Qeveria Gruevski, por edhe faktorët politikë shqiptarë lypet të adresojnë me përgjegjësi këtë krizë, duke u mbështetur tërësisht te parimet e Marrëveshjes Kuadër të Ohrit të firmosur nga pala maqedone, shqiptare dhe faktori ndërkombëtar.
Qeveria Gruevski dhe gjithë maqedonët duhet te kenë të qartë se pa shqiptarë nuk ka Maqedoni. Gjithashtu, duhet të jenë të vetëdijshëm se shqiptarët, bazuar në Marrëveshjen Kuadër të Ohrit janë komunitet etnik shtetformues me të drejta pjesëmarrje në të gjithë institucionet shtetërore qendrore e lokale.
Aleanca Kuqezi i bën me dije gjithashtu faktorëve politik shqiptar që të jenë më aktiv për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të tyre. Pasiviteti, mos-koordinimi dhe përçarjet politike midis faktorëve kryesorë politik shqiptar në Maqedoni kanë pasur ndikimin e tyre negativ në mos respketimin e lirive dhe te drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni. Aleanca Kuqezi apelon edhe te faktori ndërkombëtar që të ketë vëmendje të rritur ndaj zhvillimeve të brendshme në Maqedoni, sidomos për respektimin e parimeve të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit, ku faktori ndërkombëtarë është palë firmëtare. /Indeksonline/