AKMC: Evakuohen pesë familje, mungesë energjie dhe rrugë të bllokuara në disa zona

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin prej orëve të para të ditës së sotme kanë krijuar problematika në disa zona, ku strukturat e Emergjencave Civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar për të ndihmuar qytetarët.
AKMC informoi se për shkak të pranisë së ujit në banesa, është kryer evakuimi i një familje prej pesë anëtarësh nga ekipet e Forcave të Armatosura në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë.
Në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e vërshimit të përrenjve të Prullit dhe Pllanës, ka prani uji në katër banesa. Banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore.
Forcat e emergjencave kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimin fillestar të ambienteve të prekura.
Në qarkun e Durrësit vijon puna në terren për eliminimin e pasojave të reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm. Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale. Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.
Në qarkun Dibër situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall-Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë-Çidhën.
Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.
Në bashkinë Kurbin në qarkun Lezhë vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras. Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga ujërat e lumit Droje. Puna vijon edhe në segmentin Skuraj-Gallatë-Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë. Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.
Në qarkun e Kukësit ka rënie inertesh në disa akse rrugore, dhe kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre. Segmenti Vranisht-Fajza (njësia Fajza, bashkia Has) është dëmtuar si pasojë e reshjeve.
Në qarkun Shkodër vijon pastrimi i inerteve në segmentin Gimaj-Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga trupat e FA dhe punonjësit bashkiakë. Segmenti Ndërlysë-Breg Lumi mbetet i bllokuar; po punohet për hapjen e tij.
Në qarkun Elbasan nuk ka raportime për problematika, përveç rënies së inerteve në segmentet Elbasan-Librazhd dhe Elbasan-Rrogozhinë, të cilat po pastrohen nga operatorët e mirëmbajtjes.
Sa i përket situatës energjetike, AKMC njofton se ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në: disa fshatra të njësisë administrative Rubik (Mirditë), fshatrat Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj të Tropojës, njësitë Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (Qarku Gjirokastër), disa njësi administrative të qarkut Korçë.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencave për marrjen e masave në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.
/k.s/r.e/