E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq/ Balluku: Situata nën kontroll, strukturat e MIE në gatishmëri

Prej mbrëmjes së djeshme, reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit, duke sjellë vështirësi të dukshme sidomos në zonat veriore dhe verilindore.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka bërë të ditur se strukturat e varësisë së MIE janë angazhuar pa ndërprerje për të menaxhuar situatën, me ekipe të vendosura në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.

Përmes një komunikimi ë rrjetet sociale, Balluku ka informuar qytetarët mbi ndërhyrjet e kryera në akset rrugore, gjendjen e furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, si dhe funksionimin normal të porteve dhe aeroportit.

Ajo thekson se reshjet e shiut me intensitet të lartë, të shoqëruara me erëra të forta, kanë prekur të gjithë territorin e vendit, me fokus të veçantë zonat veriore dhe verilindore, ndërsa strukturat e varësisë së MIE janë angazhuar maksimalisht në monitorimin dhe menaxhimin e situatës, duke vendosur ekipe të gatshme për ndërhyrje të menjëhershme.

Reagimi i plotë: Prej mbrëmjes së djeshme, reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit, veçanërisht zonat veriore dhe verilindore. Strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar maksimalisht në monitorimin dhe menaxhimin e situatës, me ekipe të ngritura në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme. Grupet e punës së ARRSH dhe OSSH janë aktualisht në terren për të garantuar qarkullimin normal të automjeteve dhe furnizimin e pandërprerë me energji elektrike për abonentët. SITUATA NË AKSET RRUGORE Zona Veriore dhe Verilindore Në Tropojë, Kukës dhe në aksin Skurraj–Burrel, reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në trupin e rrugës. Ekipet e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë menjëherë për pastrimin e akseve, duke garantuar qarkullim normal dhe pa bllokime. Aksi Laç – Ura e Drojës Për shkak të daljes së përroit nga shtrati është përmbytur një segment i rrugës. Po vijon puna për largimin e ujit nga karrexhata dhe rikthimin e qarkullimit normal. Aksi Ersekë – Leskovik – 3 Urat • Ka pasur rënie inertesh në trupin e rrugës. • Janë marrë menjëherë masat për pastrimin e karrexhatës. • Kompanitë e mirëmbajtjes janë të pranishme në terren me mjete dhe personel për garantimin e lëvizjes së sigurt. FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE Situata në Rrjetin e Shpërndarjes • OSSH ka vënë në dispozicion rreth 1500 punonjës për menaxhimin e situatës. • Aktualisht janë jashtë pune 26 fidera të rrjetit të tensionit të mesëm. • Krahasuar me orët e para të situatës, furnizimi me energji elektrike në rang vendi është përmirësuar në rreth 70%. • Në rajonet Shkodër, Dibër, Durrës, Vlorë dhe Berat furnizimi është plotësisht i normalizuar. • Rrjeti që furnizon hidrovorët është funksional dhe pa defekte. Rrjeti i Transmetimit • Nuk raportohen avari apo defekte. • Të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal. Situata në kaskadën e Drinit • Pasditen e sotme pritet aktivizimi i një fronti të dytë reshjesh me intensitet të lartë në të gjithë basenin e lumit Drin. • Parashikohet rënie reshjesh deri në 80 mm në basenin e Fierzës dhe rreth 130 mm në basenin Koman–Vau i Dejës. • Në disa stacione reshjet mund të jenë edhe më intensive. • Situata mbetet nën kontroll, dhe të gjitha grupet operative janë në gatishmëri të plotë. FURNIZIMI ME UJË TË PIJSHËM • Situata në furnizimin me ujë paraqitet optimale në rang vendi. • Nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike në stacionet e pompimit, të cilat janë plotësisht funksionale. • Në sistemet me gravitet janë marrë masat e nevojshme për menaxhimin e turbullirës gjatë procesit të klorinimit. • Aktualisht janë në gatishmëri 40 grupe pune, mbi 50 mjete, si dhe ekipet mbështetëse të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve. SITUATA NË PORTET DHE AEROPORTIN E TIRANËS Portet Detare • Porti i Durrësit: Situata është e qëndrueshme dhe nën kontroll. Tragetet janë akostuar sipas orarit dhe përpunimi i anijeve vijon normalisht. • Porti i Sarandës: Nuk janë raportuar problematika. Lundrimet drejt portit të Korfuzit kanë vijuar normalisht. Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” • Situata paraqitet e qetë dhe pa asnjë raportim për probleme apo ndërprerje të operimeve. Të gjitha strukturat e agjencive te MIE janë të angazhuara plotësisht për menaxhimin e situatës. Vijon monitorimi intensiv në zonat me risk të shtuar, veçanërisht në basenin e lumit Drin gjatë orëve në vijim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›