E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKP shpërblen dështuesit

Për Fondin e Privatizimit, Auditori ka gjetur plot dallavere. Mungesa e transparencës prej privatizimit e deri te kontraktimi, pasqyrim jo i vërtetë i financave, shpërblimi i të dështuarve me kontratë dhe trajtimi jo i njëjtë i ofertuesve në tenderim, janë disa nga shkeljet që ka bërë Bordi i AKP’së gjatë vitit 2010. Nga Albulena Maloku më 04 qershor 2011 në ora 08:10

Pavarësisht se blerësit kanë dështuar në përmbushjen e zotimeve, Agjencia Kosovare e Privatizimit i shpërblen ata me kontratë të privatizimit. Përveç kësaj, kjo agjenci nuk i trajton njëjtë të gjithë ofertuesit e saj. Për disa aplikon tarifën tenderuese prej një mijë eurosh, e për disa tjerë 2 mijë euro.

Këto dhe shumë dallavere të tjera janë gjetjet e Auditorit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit të kaluar.

Sipas këtij raporti, thuhet se procesi i privatizimit nuk ishte transparent. Kjo madje ishte vërejtur te privatizimi i Fabrikës për përpunimin e llamarinës Sharr Cem, për të cilën AKP’ja nuk kishte siguruar treg të hapur. Pastaj edhe monitorimi për ndërmarrjet e komercializuara nuk ishte bërë në përputhje me kontraktimet.
Sipas Auditorit, komercializuesi Egi Bau, që kishte dështuar të përmbushë marrëveshjen e zotimit, agjencia e kishte shpërblyer me kontratë të privatizimit.
“AKP’ja kishte nënshkruar kontratë të komercializimit me Ndërmarrjen Egi Bau për komercializimin e ndërmarrjes Zdrukthëtaria në vlerë 251,480€. Në këtë kontratë, ceken kushtet që duhen të përmbushen. Komercializuesi ka dështuar dhe nuk i ka përmbushur zotimet në përputhje me kontratën. Edhe përkundër kësaj, Agjencia i ka dhënë të drejtën për privatizimin e ndërmarrjes së re, Zdrukthëtaria”, thuhet në raportin e ZAP’it.

Një problem tjetër që ka gjetur Auditori është edhe mosrespektimi i politikave dhe rregullave të tenderit gjatë ngarkimit me tarifë tenderuese. Përderisa kërkohet që secili ofertues të paguajë tarifën në vlerë prej një mijë euro (për Spin-Off të rregullt), Agjencia kishte vendosur për disa ndërmarrje tarifën në vlerë 2 mijë euro. E agjencia nuk kishte ndonjë arsye për rritjen e tarifave për këtë ndërmarrje.
“AKP’ja nuk kishte një kontroll të duhur gjatë ngarkimit me tarifa tenderuese. Andaj nuk kishte një trajtim të barabartë për të gjithë ofertuesit”, është konkluzioni i ZAP’it për këtë rast.
Sipas raportit, AKP’ja nuk ka ndjekur procedura të rregullta gjatë kontraktimit të shërbimeve këshillëdhënëse për privatizimin e fabrikës “Sharr Cem”. Duke u bazuar në këtë, thuhet se agjencia nuk kishte siguruar as çmim të tregut të hapur gjatë shitjes se kësaj ndërmarrjeje. “Parregullsitë e vërejtura prej kontraktimit të këshilltarit deri të shitja e Sharr Cemit na shpien në mendimin se është favorizuar blerësi i kësaj ndërmarrjeje. Andaj, shprehim shqetësimin tonë lidhur me procesin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në raportin e ZAP’it.

Auditori rekomandon Bordin e AKP’së që të sigurojë zbatimin e politikave operuese gjatë tërë procesit të privatizimit, duke filluar nga caktimi i komisionit, përbërja e tij e deri të hapja dhe regjistrimi i ofertave, zbatimin e rregullave të tenderit nga njoftimi i fituesit të përkohshëm, njoftimin për pagesën e 75-përqindëshit e deri te nënshkrimi i kontratave.
Madje, në një rast Auditori ka gjetur edhe kualifikimin e operatorëve të papërgjegjshëm. “Konkretisht ne kemi verifikuar pagesat e bëra nga ofertuesit dhe nuk kemi hasur në ndonjë dëshmi për pagesën e depozitës për ofertë prej 20 mijë euro si dhe tarifën për dorëzim prej një mijë eurosh”, është konkluzioni i ZAP’it.

Ndërsa, gjatë procesit të shitjes me likuidim të pasurive, sipas Auditorit, kontrolli aktualisht është i dobët dhe kjo ka shkaktuar zvarritje të procesit të privatizimit. Gjithashtu, AKP’ja gjatë vitit të kaluar nuk i kishte kushtuar rëndësi menaxhimit të parave të imëta. Nuk kishte krijuar rregulla për menaxhimin e tyre dhe nuk kishte bërë regjistrimet adekuate të daljes së parasë. Në pasqyrat financiare të llogarive në mirëbesim për periudhën 2010 AKP’ja ka prezantuar shpenzime të arkës në vlerë prej 39,304 euro. “Ne testuam këtë vlerë dhe vërejtëm se këto ishin avance të pambyllura (në përjashtim të vlerës 200 euro). Kjo vlerë nuk ishte e prezantuar drejt në pasqyrat financiare”, thuhet më tej në raportin e auditimit.
Edhe në shpërndarjen e 20-përqindëshit të punëtorëve për Ndërmarrjen Banja e Kllokotit janë bërë dallavere. Kjo shpërndarje nuk ishte bërë në përputhje më rregullat ligjore. “AKP’ja nuk ka siguruar dokument relevant që vërtetojnë legjitimitetin e punëtorëve të përfshirë në listë. Lista është përpiluar në vitin 2006, në periudhën e AKM-së”, thuhet në raport. Auditori rekomandon bordin e agjencisë për përmirësimin e kontrollit në mënyrë që shpërndarja e 20-përqindëshit te punëtorët të bëhet në përputhje të plotë me kornizën e aplikueshme ligjore.

Gjatë vitit 2010, AKP’ja kishte përmbyllur gjithsej 99 kontrata. Prej tyre 21 ishin të tenderuar gjatë vitit 2010, ndërsa pjesa tjetër prej 78 kontratave ishin të tenderuar në vitet e mëhershme. E, sipas kësaj, del se kjo agjenci kishte neglizhuar nënshkrimin e kontratave me blerësit. Në llogaritë e privatizimit hyrjet e parasë kapin vlerën prej 531,596euro. Prej tyre, 418,450 euro janë të hyra nga tarifat tenderuese që paguhen nga secili ofertues tenderues, 110,000 euro depozita e ofertave e transferuar në tarifën tenderuese të privatizimit ndërsa pjesa tjetër janë të hyra nga interesi dhe transaksionet tjera. Ndërsa daljet e parasë prej 67,540 euro janë nga kthimi i depozitave ofertuesve të ofertuesit prej tarifës tenderuese të privatizimit 40,000 euro, tarifat tenderuese 14,500 euro, kthimi i tarifave tenderuese 9,550 euro dhe pjesa prej 3,490 euro paraqet daljet e tjera në administrimin e kësaj llogarie.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›