Nuk pret presione për njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, ka deklaruar se pas arrestimit të kriminelit Ratko Mlladic nuk pret që dikush të bëjë presion ndaj Serbisë për të pranuar realitetin e ri të krijuar në Kosovë.
Ai ka thënë për televizionin “Euronews” se nuk pret që politikanët evropianë të tentojnë për ta bindur që të pranojë pavarësinë e Kosovës.
“Ata që do të provojnë një gjë të tillë nuk do të kenë sukses”, ka thënë Tadic, i pyetur nëse pasi që kriminelët Mlladic dhe Radovan Karaxhic ndodhen në Hagë, Kosova është pengesa më e madhe për hyrjen e Serbisë në BE.
Sipas tij, ekzistojnë shumë zgjidhje për Kosovën, por “këto zgjidhje duhet të jenë me marrëveshje”, ndërsa “pala tjetër duhet të jetë fleksibile, e gatshme për dialog, e guximshme dhe inovative”.
“Nëse jemi rigid nuk mund të gjejmë zgjidhje për problemet e pranishme në Ballkan për më shumë se 100 vjet. Nuk jam shumë i lumtur që ekzistojnë këto probleme dhe nuk jam fajtor që ekzistojnë për më shumë se 100 vjet, por pres dhe kërkoj nga të gjithë që të marrin parasysh dhe të respektojnë interesat serbe”, ka thënë Tadiq.