AKR-ja është e sigurt në fitoren time

Zëvendëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë të premten se në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit kjo parti për herë të parë do t’i fitojë disa komuna.
“Në këto zgjedhje jam e bindur se Aleanca Kosova e Re (AKR) do ta realizojë fitoren e saj për herë të parë në të paktën disa komuna. Kjo fitore do t’i paraprijë përgatitjes për një rezultat të mirëfilltë edhe në zgjedhjet nacionale të vitit të ardhshëm”, ka thënë Kusari-Lila në një intervistë për “Epokën e re”.
Ajo ka deklaruar se Prishtina është një prej pikave kryesore të AKR-së. “AKR-ja do ta ketë kandidatin më të përshtatshëm për Prishtinën”, ka thënë Kusari-Lila. Ndonëse ende s’ka vendosur nëse do të kandidojë apo jo për kryetare të Gjakovës, Kusari-Lila ka thënë se këtë mundësi është duke e trajtuar shumë seriozisht. “Jam me fat dhe e nderuar që subjekti im dhe udhëheqësit kyçë të partisë më japin besimin dhe janë të sigurt në fitoren time. Prapë këtë mundësi dhe këtë garë jam duke e trajtuar shumë seriozisht”, është shprehur Kusari-Lila.
Kusari-Lila e ka kritikuar qeverisjen në Gjakovë, duke thënë se ngecjet në këtë komunë janë rezultat i mungesës së vizionit të pushtetit aktual. /Indeksonline/